Ky artikull u publikua për herë të parë në Chaikhana Media. Një version i redaktuar është ripublikuar sipas një marrëveshjeje partneriteti për përmbajtjen.
Brezat e punëtorëve emigrantë azerbajxhanas kanë kërkuar në veri për punë dhe një shans për të fituar më shumë para për familjet e tyre.
Por sot, miliona azerbajxhanas që punojnë në Rusi dhe Ukrainë po e gjejnë veten të detyruar të vendosin midis vendeve të punës dhe sigurisë së tyre, pasi lufta e Rusisë vazhdon të godasë ekonominë në të dyja anët e konfliktit.
Elvin Magsudov, 33 vjeç, zgjodhi sigurinë dhe u zhvendos në Moldavi nga Ukraina pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia. Por ndryshe nga jeta e tij në Ukrainë, Moldavia është e shtrenjtë dhe pagat janë të ulëta. Ai thotë:
Kushtet e mia të punës dhe shpenzimet e jetesës në Ukrainë ishin shumë të mira në krahasim me Moldavinë. Diferenca në pagë në Moldavi është dukshëm më e ulët, ndërsa kostoja e jetesës është dyfishi i asaj që ishte në Ukrainë.
Pavarësisht sfidave të vendosjes në Moldavi, Elvini nuk ka plan të kthehet në Azerbajxhan, ku është gjithashtu e vështirë të gjejë një punë me pagesë të mirë. Jo në një kohë kur familja e tij varet nga paratë që ai dërgon.
Ekonomisti Natig Jafarli beson se shumë rreth dy milionë azerbajxhanasve që kanë punuar në Rusi dhe gjysmë milioni në Ukrainë, para luftës, ka të ngjarë të qëndrojnë atje pavarësisht sfidave dhe rreziqeve të krijuara nga konflikti. Sidomos pasi familjet e tyre në atdhe po ndiejnë tashmë ndikimin e sanksioneve të vendosura mbi Rusinë dhe sigurinë e punës.
“Forca e punës, fuqia blerëse, të ardhurat janë ulur dhe ka pengesa për dërgesat e parave nga emigrantët”, tha Jafarli në një intervistë me median Chaikhana, duke shtuar se azerbajxhanasit në Rusi nuk mund të përdorin më shërbimet ndërkombëtare të transfertave bankare për të dërguar para në shtëpi, për shkak të sanksioneve.
Ekonomisti Gubad Ibadoglu i tha Zërit të Amerikës në prill se 60 për qind e dërgesave në Azerbajxhan erdhën nga Rusia në nëntë muajt e parë të 2021, duke shtuar se “një rënie e mprehtë transferimi pritet këtë vit”.
Në Bilajary, një periferi e kryeqytetit të Azerbajxhanit, Baku, Yegana Mamishova, 42 vjeç dhe dy fëmijët e saj tashmë po ndjejnë pasojat. Yegana punon si edukatore kopshti, por rroga e saj mezi mjafton për të mbajtur familjen, kështu që ata varen nga paratë që i dërgon nga Rusia bashkëshorti i saj, Hafiz Mamishov, 48 vjeç, një ish-ushtar. Hafizi u largua nga Azerbajxhani për në Rusi sepse nuk ishte në gjendje të gjente një punë pas largimit nga ushtria.
Bashkëshorti im aktualisht punon në industrinë e ndërtimit në Rusi. Prej pesë vjetësh ai punon në Rusi dhe na dërgon para, por kjo nuk është më e mundur.
Tani ata janë duke u përpjekur të jetojnë me 400 AZN (235$) që Yegana merr në muaj.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, papunësia në Azerbajxhan ishte 6.6 për qind në vitin 2021. Këtë vit, sipas disa statistikave, është pak më poshtë se 6 për qind.
Por punëtorët emigrantë si Aliheydar Azimzade, 24 vjeç, vërejnë se punët mund të jenë të vështira për t'u gjetur.
Pas diplomimit nga universiteti në Ukrainë në vitin 2015, Aliheydar qëndroi, bleu një shtëpi dhe hapi një biznes. Ai kaloi një javë pas pushtimit përpara se të vendoste të zhvendosej në Azerbajxhan. Por tranzicioni nuk ka qenë i lehtë. Ai i tha Chaikhana Media:
Megjithëse jam duke kërkuar, ende nuk mund të gjej punë. Problemi më i madh është papunësia. Kam në plan të kthehem në Ukrainë nëse lufta përfundon, sepse puna dhe shtëpia ime mbeten atje.