“Tuneli i Shpresës”, mënyrë mbijetese gjatë Rrethimit të Sarajevës

Shtëpia e familjes Kolar në Sarajevë, pikënisja e tunelit të shpresës. Foto nga Alem Bajramović, e përdorur me leje.

Ky artikull nga Kristina Gadže u botua fillimisht në Balkan Diskurs, një projekt i Qendrës Kërkimore të Paskonfliktit  (PCRC). Një version i redaktuar është ripublikuar nga Global Voices sipas një marrëveshjeje për ndarjen e përmbajtjes.

Rrethimi i Sarajevës (1992–1996) ishte më i gjati i një kryeqyteti në historinë moderne. Fushatat e përditshme të granatimeve dhe snajperëve, që synonin popullsinë civile, ishin të tmerrshme dhe mizore, të shoqëruara me bllokimin e autokolonave të ndihmave humanitare dhe ndërprerjen e çdo lidhjeje me pjesën tjetër të Bosnjë-Hercegovinës dhe me botën. Në përpjekje për të mbijetuar dhe për të komunikuar me botën e jashtme, banorët e Sarajevës hapën një tunel në oborrin e familjes Kolar. Duke u shtrirë nga vendbanimi i Dobrinjës deri në atë të Butmirit, ai njihej kështu si tuneli D-B, ose tuneli i shpresës.

Tuneli i Shpresës ishte nën kontrollin e Ushtrisë së Republikës së Bosnjë dhe Hercegovinës (ARBiH) dhe përdorej për të shpërndarë ushqime, cigare dhe armë për mbrojtje. Ai lidhte qytetin e Sarajevës, i cili ishte shkëputur tërësisht nga Ushtria e Republika Srpska (VRS), me territorin e mbajtur nga boshnjakët në anën tjetër të aeroportit të Sarajevës, një zonë e kontrolluar nga Kombet e Bashkuara. Tuneli ishte nën pistën e aeroportit.

Ndërtimi i tunelit filloi në prill të vitit 1993. Sipas kuratorit Edis Kolar, djali i Bajro Kolarit, ata ishin të vetëdijshëm që më parë se do të ndërtohej një tunel në oborrin e tyre, por nuk u diskutua publikisht.

Brendësia e tunelit të shpresës. Foto: Alem Bajramović, e përdorur me leje.

Edhe pse luftonin në vijën e frontit, Edis Kolar dhe babai i tij shkonin rregullisht për të kontrolluar shtëpinë e tyre. Edis kujton se në një rast, kishte disa njerëz para shtëpisë, përfshirë inxhinierin Nedžad Branković, projektuesin kryesor të tunelit, disa arkitektë nga Zenica dhe Bakir Izetbegović, (djali i presidentit të atëhershëm të Bosnjës dhe Hercegovinës, Alija Izetbegović, i cili shërbeu si drejtor i Institutit të Ndërtimit në Sarajevë, dhe më vonë u bë politikan).

“E mbaj mend shumë mirë atë që tha Bakiri: “Na duhet shtëpia dhe toka për diçka.” E dinim që po ndërtohej një tunel, por ishte një sekret i mbajtur mirë. Babai im e dinte se çfarë i nevojitej, kështu që tha: “Gjithçka që është e imja është edhe e jotja”, kujton Edis. Ai më tej shpjegon se babai i tij punonte në ekipin që hapi tunelin dhe ndihmoi në blerjen e pajisjeve.

Dy muaj pas asaj vizite, Edis tha se njerëzit filluan të gërmojnë me dorë, me radhë. Por kishte më pak granatime, megjithatë, kur Ushtria e Republika Srpska (VRS) mori vesh për gërmimin e tunelit, ndërmorën dy sulme të tmerrshme më 17 dhe 18 mars 1993. “Ata shkatërruan gjithçka. Por prapë nuk ia dolën”, tha Edis, ndërsa ndërtimi vazhdoi pavarësisht dëmeve.

Edis thotë se tuneli ishte i një rëndësie të madhe për qytetarët e Sarajevës dhe nëse nuk do të ishte ndërtuar, mund të merret me mend se çfarë do të kishte ndodhur. Ai gjithashtu theksoi se tuneli nuk është ndërtuar si rrugë shpëtimi nga Sarajeva, por si infrastrukturë dhe linjë furnizimi.

Muzeu si dëshmi

Edis shpjegon se pasi ndërtuan llogoret dhe linjat e komunikimit, tuneli u bë një dëshmi e jetës së përditshme të qytetarëve të Sarajevës, në të cilën disa u martuan.

Njëri prej tyre ishte shoku i Edisit, Elvir Spahiq, i cili në atë kohë ishte 18 vjeç dhe kishte qenë me Edisin në fushën e betejës në zonën e Treskavicës. “Ai [Spahiqi] kishte një të dashur nga Hrasnica dhe ne e ngacmuam për të. Por një mëngjes, Spahiqi tha se po martohej. Ne qeshëm, por morëm pushkët dhe qëlluam disa të shtëna në ajër dhe ata kaluan përmes tunelit për në Sarajevë,” kujton Edis.

Sipas Edisit, tuneli nuk është përdorur gjatë muajit të fundit të luftës pasi ishte mbushur me ujë. Edis dhe babai i tij shkuan në shtëpi për ta pastruar dhe gjetën gjëra të braktisura, karroca dhe fotografi. “Ne i morëm të gjitha dhe i rregulluam në bodrumin, i cili ishte bosh dhe kështu u krijua muzeu,” tha Edis.

Edhe pse ata bashkëpunojnë me shkollat, Tuneli i Shpresës vizitohet më rrallë nga nxënësit e shkollave nga Hercegovina ose entiteti i Republikës Srpska. Foto nga Alem Bajramović, e përdorur me leje.

I frymëzuar nga ideja për të ruajtur atë që kishte mbetur pas, Edis kërkoi për artefakte të asaj periudhe për t'i blerë në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën. Edhe sot, artefaktet mund t'i dhurohen muzeut nëse qytetarët besojnë se kanë të bëjnë me tunelin gjatë Rrethimit të Sarajevës. Edis thotë se edhe pse shumë organizata humanitare erdhën për të ndihmuar në rindërtimin e shtëpisë së tyre pas luftës, babai i tij nuk donte që ajo të rindërtohej. Ai donte që shtëpia të ruhej pikërisht ashtu siç ishte.

Përmbajtja e muzeut 

Muzeu drejtohej nga Bajro dhe Edis Kolar deri në vitin 2012, kur Fondi Përkujtimor i Kantonit të Sarajevës mori përgjegjësinë. Deri në prill të vitit 2022, ata përfunduan rindërtimin e tunelit 130 metra, i cili duhej të ngrihej nga themeli ndërsa kalonte nën aeroportin e Sarajevës. Një pjesë e pistës së aeroportit është rikonstruktuar në vitin 1998 dhe e gjithë gjatësia e tunelit është mbushur me beton.

“Tre apo katër vjet më parë, ne vendosëm ta bllokonim atë kanal dhe të mos shkonim poshtë aeroportit, por vetëm aq sa mundemi duke qëndruar në tokën tonë. Pra, nëpër atë tub betoni u futën dërrasa dhe shina”, tha Edis, duke shpjeguar se projekti konceptual është krijuar nga arkitektja Selina Tanović dhe është vendosur një aplikacion ndërkombëtar për të mbështetur përfundimin e tij.

Çdo vit muzeu i Tunelit të Shpresës organizon aktivitete për fëmijët e verbër dhe me shikim të dëmtuar. Foto nga Alem Bajramović, e përdorur me leje.

Tuneli dhe muzeu vizitohen nga afërsisht 170,000 persona çdo vit. Përmbajtja është përshtatur për ta bërë atë të aksesueshme për personat e verbër dhe me shikim të dëmtuar si dhe për ata me aftësi të kufizuara zhvillimore. “Çdo vit ne organizojmë aktivitete për fëmijët e verbër dhe me shikim të dëmtuar, së bashku me një edukatore dhe kuratorin tonë. Ata na ndihmuan të printonim udhëzuesin në Braille”, tha Edis.

Vizitorët vijnë për të parë tunelin dhe muzeun nga Bosnja dhe Hercegovina, rajoni dhe mbarë bota.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.