Ky artikull nga Sarah Watson u botua për herë të parë në Nepali Times dhe një version i shkurtuar dhe i redaktuar është ribotuar në Global Voices si pjesë e një marrëveshjeje për shkëmbimin e përmbajtjes.
Për 25 vjet, Ang Jangmu Sherpa mblodhi kërpudha në pyjet pranë shtëpizës së saj në fshatin Tengboche që ndodhet në një lartësi prej 3867 metrash në Nepal. Vetëm një kërpudhë lokale, e njohur në vend si “petak”, ofron mjaftueshëm për një vakt.
Bhesh Rag Dahal mbledh dhe than kërpudhat për muajt e dimrit në restorantin e tij në Tashingma. Meqenëse kërpudhat mbahen aq mirë, ai ka ende një depo kërpudhash që nuk u konsumuan kur turizmi u rrënua gjatë pandemisë. Ai mund t'i shesë kërpudhat në treg për 10,000 NPR (78 dollarë) kilogrami. Përndryshe, ai ua jep si dhurata të çmuara të afërmve dhe lamave (mësues budiste) në Tengboche dhe manastire të tjera.
Në rajonin Solu Khumbu në prehrin e malit Everest, kërpudhat e ngrënshme janë një pjesë integrale e dietës lokale dhe një pjesë e pamasë, e anashkaluar e biodiversitetit të Himalajeve.
Tani, një grup mikologësh nepalezë dhe amerikanë – shkencëtarë që studiojnë fungjet ku bëjnë pjesë dhe kërpudhat – po identifikojnë kërpudhat në një udhëtim të parë eko-turistik në kampin bazë të Everestit.
Ekspedita trejavore që filloi në mes të qershorit të këtij viti u organizua nga International Mountain Trekking (IMT) dhe përfshiu një ekip ndërkombëtar nga Nepali, SHBA dhe Meksika. Mikologu dhe botanisti nepalez Shiva Devkota dhe mikologët amerikanë Britt Bunyard dhe Thomas Roehl identifikuan mbi 150 lloje kërpudhash gjatë udhëtimit.
Mijëra udhëtarë dhe alpinistë bëjnë udhëtimin për në kampet bazë të Everestit çdo vit, por pak prej tyre vërejnë qindra lloje kërpudhash që rriten përgjatë shtegut.
“Unë kisha parë gjithmonë kërpudha, por gjithmonë nxitoja shumë,” thotë Richard Silber i IMT-së, i cili shpreson se udhëtimet eko-turizmit do të lejojnë që rajoni i Everestit të njihet për biodiversitetin e tij dhe popullatat e pasura të kërpudhave përtej maleve të tij.
Silber punoi me Devkota dhe Sonam Jangbu Sherpa gjithashtu nga IMT për të organizuar udhëtimin e parë të turizmit ekologjik të këtij lloji. Përveç mykologëve, rrugëtimit iu bashkuan edhe qytetarë me interes për kërpudhat, të udhëhequr nga Phu Chiri Sherpa dhe Tenzing Tashi Sherpa.
“Ekziston ky biodiversitet i mahnitshëm në Nepal – në mënyrë unike i vërtetë për shkak të gradientit të jashtëzakonshëm të lartësisë – brenda një brezi të shkurtër terreni shkon nga 1829 metra në pikën më të lartë në tokë”, thotë Silber.
Ndryshimi i lartësisë së Solu Khumbu krijon mjedisin për qindra lloje unike pemësh, duke e bërë atë të pasur për rritjen e kërpudhave në lidhje me bimësinë. Deri më tani, kërpudhat e rajonit nuk ishin kataloguar në mënyrë sistematike.
Devkota ka një doktoraturë në kërkimin e kërpudhave dhe thotë: “Për të bërë plane të ruajtjes dhe menaxhimit, fillimisht duhet të eksplorojmë se çfarë lloj kërpudhash kemi. Kuptova se kishte një boshllëk dhe një mundësi.”
Tani ka një shtysë për shkencëtarët për të dokumentuar gjërat përpara se kërpudhat e çmuara të zhduken. Bunyard thotë: “Pylli këtu është i mbuluar me jetë, por kjo është një nga pjesët më të pastudiuara të botës. Nuk ka libra këtu, është një lloj kutie e zezë.”
Kërpudhat nuk ekzistojnë të izoluara, por janë kritike për ekosistemet. Ato pasurojnë diversitetin e jetës në biosferë. “Ata janë partnerë për pothuajse të gjitha bimët,” shton Bunyard.
Kërpudhat formojnë rrjete të mëdha nëntokësore me specie bimore, lëndë ushqyese që lëvizin me cikle, duke siguruar mbijetesën e bimëve dhe duke kontribuar në ciklet e karbonit dhe fosforit.
“Nëse do të shuanit të gjitha kërpudhat në planet, të gjitha pemët do të thaheshin. Pra, kërpudhat janë në thelb përgjegjëse për jetën e të gjithëve në sipërfaqen e botës,” shton Thomas Roehl.
Kur një mjedis dëmtohet nga aktiviteti njerëzor, kërpudhat ende mund të rriten dhe në disa raste, të ndihmojnë në fillimin e një jete të re. Ato gjithashtu nënkuptojnë shëndetin e ekosistemit. Kërpudhat mund të përdoren për të treguar nivelet e ndotjes së ajrit, pasi ato luftojnë për të mbijetuar në zona me emetime të mëdha.
Kërpudha në Everest
Edhe përpara se të hynte në Parkun Kombëtar Sagarmatha në Himalajat e Nepalit lindor, ekspedita kishte identifikuar tashmë mbi 60 lloje kërpudhash, duke përfshirë pamjet e specieve që shiheshin rrallë.
Ekipi gjeti Tremella salmonea, që u përshkrua për herë të parë në 2019 dhe dokumentoi Amanita tullossiana, një specie e re e gjetur në 2019 në Himalajet Indiane.
Studiuesit besojnë se kanë identifikuar Amanita innatifibrilla, një specie me të dhëna të kufizuara dhe gamë të panjohur, por dikur e dokumentuar në Kinën jugore. Ekipi identifikoi kërpudhat më të larta të gjetura ndonjëherë në një lartësi prej 5,193 m.
Studiuesit punuan ndërsa ecnin, duke identifikuar kërpudha të reja dhe duke u shpjeguar zbulimet e tyre qytetarëve të apasionuar.
“Kjo është ndryshe nga ajo që shihni në çdo institucion akademik,” shpjegoi Silber gjatë udhëtimit, duke përshkruar mënyrën se si mikologët punuan në terren. “Ata tërhiqen nga kërpudhat si një magnet. Ata turbullohen mbi to. Është frymëzuese, me të vërtetë, është e lezetshme.”
Përveç shtimit në bazën e të dhënave të kërpudhave të Nepalit, Silber shpreson që ky udhëtim i përqendruar te kërpudhat të jetë një model për turizmin ekologjik në të ardhmen. Në pjesë të tjera të Nepalit, turistët i bashkohen udhëtimeve për të vëzhguar zogjtë, krokodilët ose tigrat, dhe botanika, gjeologjia dhe biodiversiteti i rajonit të Everestit mund të ofrojnë mundësi të ngjashme për turizmin gjatë ngjitjeve jashtë sezonit.
Bhumiraj Upadhyaya, Shefi i Konservimit në Parkun Kombëtar Sagarmatha, ka punuar në sistemin e parkut kombëtar për më shumë se 30 vjet, por ky është udhëtimi i parë i përqendruar te kërpudhat që ai ka parë. “Pothuajse të gjithë turistët vijnë këtu vetëm për të parë malet,” thotë ai. “Këtu ka shumë më tepër sesa malet.” Ai shpjegon se boshllëqe të mëdha kërkimore mbeten ende për leopardët e borës, drerët e myshkut dhe ndotjen pranë liqeneve Gokyo.
Megjithatë, kërkimet shkencore në rajon janë të kufizuara, për shkak të fluturimeve të parregullta, kostove të larta dhe kushteve të këqija të rrugëve. Studiuesit kanë më shumë gjasa të shkojnë në rajonet më të aksesueshme të Annapurna ose Chitwan.
Vendasit rrisin kërpudhat e tyre ose mbledhin në pyjet e afërta. Kërpudhat mund të thahen, ruhen dhe rihidratohen për përdorim në të ardhmen, gjë që u shkon në favor shtëpizave që janë të stërmbushura me turistë në pranverë dhe vjeshtë.
Analiza e mëtejshme shkencore e kërpudhave të rajonit mund të përfitojë nga ato që mbështeten në grupin ushqimor. “Ndoshta në të ardhmen, më shumë njerëz mund të dinë për kërpudhat e ngrënshme,” thotë Jangbu Sherpa. “Gjatë dimrit nuk ka perime, kështu që ne mund t'i mbledhim dhe thajmë ato për dimër.”
Një tjetër ekspeditë për kërpudhat është planifikuar për vitin 2023 dhe Silber shpreson që aktiviteti shkencor në Solu Khumbu të bëhet i arritshëm dhe i bazuar te komuniteti. “Sigurisht, është e vështirë të bësh shkencë në zona të largëta. Nëse doni të vini këtu dhe të bëni këtë lloj pune, është një angazhim i madh dhe i rëndësishëm”, thotë ai.
Për projektet dhe kërkimet e ardhshme, IMT shpreson të punojë me popullsinë lokale, duke përfshirë ndërtimin e një qendre shkencore me një shtëpi të dhuruar në Phortse. Qëllimi kryesor i hulumtimit është të ndihmojë komunitetet lokale të përfitojnë nga njohuritë.
“Ne e dimë gjatë historisë se shkencëtarët perëndimorë hyjnë, bëjnë punën e tyre dhe largohen,” thotë Silber. “Ata nuk angazhojnë apo trajnojnë vendasit, kjo nuk është pjesë e protokollit të kërkimit. Dhe është një mundësi e madhe e humbur në çdo komunitet.”