- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Lufta në Ukrainë rriti tensionet mes Kosovës dhe Serbisë

Kategoritë: Europa Lindore e Qendrore, Kosova, Rusia, Serbia, Lufta e konflikti, Marrëdhëniet ndërkombëtare, Media e qytetarëve, Protesta, The Bridge, Russia invades Ukraine

Ilustrim nga Big Eye [1], përdorur me leje nga Sbunker.

Ky artikull u publikua fillimisht [2] nga Sbunker si pjesë e nismësrajonale Porta e Dezinformimit në Ballkanin Perëndimor. Një version i redaktuar ribotohet në dy pjesë nga Global Voices me leje.

Shumë kohë përpara se konflikti në Ukrainë të përshkallëzohej në një luftë në shkallë të gjerë nga Rusia, tensionet ekzistonin në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu ekzistonte dhe interesi i Rusisë që Ballkani Perëndimor të mbetej një zonë e trazuar brenda Evropës dhe të përdorej si kërcënim, sa herë që gjykohej e dobishme për interesat e saj.

Jo më shumë se gjashtë vjet më parë [3], u konfirmua përfshirja e shërbimit sekret rus në një grusht shteti të dështuar në Malin e Zi. Kjo ishte në kohën kur Mali i Zi po përfundonte procedurat për anëtarësim në NATO dhe kjo sigurisht që nuk i shkonte për shtat Rusisë. Marrëdhënie gjithnjë e më të ngushta u panë edhe ndërmjet kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski dhe presidentit rus Vladimir Putin – marrëdhënie që penguan qartë përparimin e shtetit maqedonas drejt anëtarësimit në NATO [4]. Nga ana tjetër, marrëdhëniet e ngushta [5] që përfaqësuesi i Republikës Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, Milorad Dodik kultivoi me presidentin Putin dhanë një sinjal të qartë për motivet dhe interesat e Rusisë [6] në këtë pjesë të Evropës. Së fundi, mbajtja e marrëdhënieve të tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë, rezulton të jetë një strategji e mirëmenduar [7] e Federatës Ruse për të çimentuar ndikimin e saj në rajon.

E ndërgjegjshme për një interes të shtuar rus në Ballkan, Kosova ka qenë e përkushtuar dhe ka ndërmarrë veprimet e duhura për të penguar çdo përpjekje destabilizuese në vend. Në këtë kuptim, vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës i shpalli non grata dy diplomatë rusë [8] që vepronin në Kosovë, me arsyetimin se ata përbënin kërcënim për sigurinë kombëtare.

Mirëpo, pas sulmit rus ndaj Ukrainës [9], ra alarmi për mundësinë e përshkallëzimit të konfliktit në Ballkanin Perëndimor për shkak të çështjes së pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë dhe situatës së brishtë politike në Bosnje dhe Hercegovinë. Megjithatë, pavarësisht vëmendjes së shtuar në Ukrainë, SHBA dhe BE ribalancuan fokusin e tyre në Ballkanin Perëndimor. Një delegacion i lartë amerikan vizitoi rajonin, ku kërkesa kryesore ishte t'i jepej fund “status quo-së” mes Kosovës dhe Serbisë [10]. Nga ana tjetër, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, BE-ja ka qenë më e zëshme [11] në thirrjen që Serbia të jetë në anën e Perëndimit në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Incidente në veri të Kosovës

Dy sulme ndaj policisë në veri të Kosovës në muajin prill, të cilat nuk dihet se kush i ka kryer, por që qeveria e Kosovës i ka cilësuar si një përpjekje destabilizimi nga jashtë, kanë sjellë përsëri akuza të ndërsjellta mes palëve. Edhe pse rasti është nën hetim, qeveria e Kosovës e përshkroi atë si një sulm terrorist [12], duke pretenduar se plumbat në drejtim të automjeteve të policisë janë gjuajtur nga territori serb.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, në një konferencë të përbashkët për media kanë thënë se zyrtarët e policisë kufitare janë sulmuar për tri ditë me radhë, gjatë ndërrimit të turnit në Jarinjë, pikën kufitare me Serbinë. Sipas Sveçlas, sulmi i parë në tentativë është kryer me vendosjen e iriqëve metalikë në rrugën kombëtare, “me qëllim që të pamundësohet puna e Policisë së Kosovës dhe në të njëjtën kohë të rrezikohet jeta e policëve”. Në sulmin e dytë janë hedhur gurë ndaj Policisë së Kosovës.

Sulmi i tretë është kryer me armë zjarri në afërsi të postbllokut të ngritur me qëllim parandalimin e përdorimit të rrugëve të paligjshme. Në automjetin e policisë udhëtonin policë shqiptarë dhe serbë.

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla në një dalje publike deklaroi:

“Angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës, veçanërisht i Policisë së Kosovës, për vendosjen e rendit dhe ligjit në çdo cep të Kosovës, është bërë pengesë për Serbinë, për grupe të caktuara, të cilat mbështeten drejtpërdrejt nga Serbia dhe me të vërtetë i pengon planet e të gjithë atyre që e kanë parë Kosovën si djep potencial për aktivitetet e tyre kriminale dhe si vazhdimësi të krizave të tjera”.

Për mospublikimin e sulmeve më herët, ministri ka arsyetuar se i kanë lënë kohë policisë për të zbuluar shkaqet. Por, pas sulmit në të cilin u rrezikua drejtpërdrejt jeta e punonjësve të policisë, siç u shpreh ministri i Brendshëm, nga organet e sigurisë pati vlerësime se bëhej fjalë për një sulm terrorist dhe informacioni u nda me publikun për të parandaluar ndonjë lloj dezinformimi.

Përkundër arritjes së disa marrëveshjeve në të kaluarën që kanë të bëjnë edhe me aspektin e sigurisë në veri, ato nuk kanë kontribuar në ruajtjen e qetësisë. Në disa raste, zyrtarët e Kosovës  [13]kanë përsëritur se Serbia vazhdon të mbajë gjallë strukturat paralele në veri, duke synuar të krijojë tensione sa herë që e kërkon Beogradi. Sulmet si këto në veri shpesh kanë shërbyer për të krijuar një situatë të re në terren, pas së cilës kanë filluar negociatat. Që nga paslufta, struktura e ashtuquajtur “Mbrojtja Civile” ka funksionuar në veri përmes frikësimit dhe shantazhit si mjet për të ruajtur prezencën e shtetit të Serbisë në këtë pjesë të territorit. Përpjekja e institucioneve të Kosovës për të shtrirë sovranitetin në veri zakonisht ka hasur në rezistencën e serbëve. Kjo është shoqëruar me postblloqe dhe sulme ndaj policisë.

Vlen të theksohet se Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje [14] për shpërbërjen e “Mbrojtjes Civile” dhe ish-anëtarët e kësaj strukture — 483 janë integruar në institucionet qendrore të Kosovës.

Diplomatët kërkojnë shmangien e tensioneve 

Të ndërgjegjshme për situatën e brishtë në veri të vendit, ambasadat perëndimore në Kosovë dhe Zyra e Bashkimit Evropian kanë dënuar sulmet ndaj policisë, por në të njëjtën kohë kanë kërkuar të shmangen spekulimet që mund të nxisin tensione në këtë pjesë të Kosovës. Kështu, ambasadori i SHBA-së [15] në Prishtinë, Jeff Hovenier, shprehu shqetësim lidhur me raportimet për të shtëna me armë dhe gjuajtje me gurë ndaj oficerëve të policisë pranë Zubin Potokut. Ndërkohë, Zyra e BE-së ka dënuar ashpër [16] atë që e quajti “sulm të dhunshëm ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës”. Në të njëjtën linjë të dënimit ishte edhe Misioni i NATO-s [17] në Kosovë, ku përveç dënimit të sulmeve ndaj policisë, ofroi gatishmërinë për të mbështetur Policinë e Kosovës nëse kërkohet.

Lista serbe dënoi sulmet 

Siç ndodh rrallë, ndaj këtyre sulmeve reaguan Lista Serbe [18] dhe zyrtarë të tjerë nga Beogradi. Edhe pse motivet dhe autorët e sulmeve mbeten të panjohura, entiteti që përfaqëson serbët e Kosovës e përshkroi atë si tendencë të Prishtinës zyrtare për të njollosur serbët.

“Ky incident ka për qëllim destabilizimin e situatës, por është edhe një përpjekje për të paraqitur serbët si banditë, gjë që nuk është e vërtetë”, thuhet në një deklaratë [19] të Listës Serbe.

Ky subjekt u bëri thirrje “të gjithë qytetarëve që të përmbahen, të mos bien pre e provokimeve dhe të mos lejojnë incidente të tilla që rrezikojnë paqen shumë të nevojshme në këtë zonë”.

Për të ndaluar kontrabandën, policia e Kosovës në fillim të këtij viti mbylli disa rrugë ilegale në zonën kufitare me Serbinë. Por në periudhën 26-28 prill, KFOR-i [20] njoftoi se në koordinim me Policinë e Kosovës dhe MPB-në ka ndërmarrë veprime për hapjen e rrugës afër vijës kufitare administrative.

Sipas tyre, çdo masë sigurie që synon përmirësimin e policisë dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe paqësor duhet të peshohet në proporcion me nevojat e komuniteteve lokale dhe lirinë e lëvizjes për vendasit.

“Status quo” e paqëndrueshme

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike Karen Donfried tha [21] se kjo situatë i shkon për shtat vetëm Rusisë, e cila është e interesuar të zgjerojë konfliktin. Kështu, u kërkuan hapa konkretë drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare që do të përfshinte të gjitha çështjet e pazgjidhura mes dy palëve.

Gati 10 muaj pas takimit të fundit Kurti-Vuçiç, ata u ftuan në një darkë joformale [22] në Berlin të organizuar nga i dërguari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Më herët, kancelari gjerman Olaf Scholz u takua veçmas me Vuçiqin dhe Kurtin, ku u kërkua angazhimi i të dyve për të arritur një zgjidhje përfundimtare.

Por palët nuk kanë dhënë sinjale të qarta se do të ndryshojnë qëndrimet e tyre. Ndërsa Kurti këmbëngul [23] që njohja reciproke duhet të jetë në qendër të marrëveshjes, Vuçiç [24] e ka përjashtuar atë, duke kërkuar që Kosova të përmbushë detyrimin e saj për të krijuar një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se përparimi në dialogun Kosovë-Serbi [25] është i një rëndësie të madhe për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore si dhe për integrimin evropian të të dy vendeve. Sipas Scholz, marrëveshja e ardhshme Kosovë-Serbi do të ketë shumë detaje, dhe më e rëndësishmja – ajo për të cilën Kosova insiston – do të përfshijë njohjen reciproke. Por, një qartësi të tillë për epilogun e marrëveshjes nuk e ka shprehur Miroslav Lajçak. Kjo për faktin se pesë shtete nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, rrjedhimisht BE-ja ka qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës. Premtimi i vetëm për Kosovën sa i përket dialogut është konfirmimi [26] i një të ardhmeje evropiane për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Në mungesë të qartësisë që do t'i jepte fund ngërçit në dialog, BE-ja herë pas here i rikthehet kërkesës për zbatimin e marrëveshjeve nga raundet e mëparshme të dialogut, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. BE-ja është kritikuar gjithashtu nga zyrtarët e Kosovës për një qasje të njëanshme [27], duke mos i trajtuar palët si të barabarta në dialog.

Putin krahason Kosovën me rajonet e Ukrainës dhe Kaukazit

Rasti i Kosovës ka vazhduar të përmendet nga zyrtarët e Kremlinit për të justifikuar aneksimin e territoreve në Ukrainë. Pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, Vladimir Putin tha se kishte lexuar personalisht vendimin e GJND-së [28] për Kosovën, sipas të cilit zbatimi i së drejtës për vetëvendosje për territorin e një pjese të caktuar nuk e detyron atë të kërkojë leje për të deklarojë sovranitetin nga vendi nga i cili ndahet.

“Kjo është shkruar në lidhje me Kosovën dhe ky vendim është përkrahur nga të gjithë. Nëse është kështu, atëherë Republika e Donbasit dhe Republika e Donetskut kanë të njëjtat të drejta për të mos zbatuar autoritetin qendror të Kievit kur deklarojnë sovranitetin e tyre, pasi precedenti ekziston”, tha Putin [29].

Interesi i Rusisë për të lidhur veprimet e saj politike dhe ushtarake me Ballkanin është i hershëm, por është intensifikuar pas sulmit në Ukrainë.

Është pikërisht kjo përpjekje e Rusisë për të krahasuar Kosovën me rajonet në Ukrainë dhe Kaukaz që i ka shtyrë strukturat perëndimore – BE-në dhe NATO-n dhe disa liderë politikë të përshpejtojnë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo do të ishte e vetmja mënyrë që status quo-ja të mos i shërbejë Rusisë dhe që rajoni të konsolidojë rrugën e tij drejt integrimit euroatlantik.


 

Ilustrim nga Giovana Fleck.

Për më shumë informacion rreth kësaj teme, shihni mbulimin tonë special Rusia pushton Ukrainën [9].