Zyrtarët rusë dhe serbë vazhdojnë të mohojnë Masakrën e Reçakut

Kolazh i pamjeve të artikullit të lajmeve për intervistën e ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe një postim në Twitter të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier. Perdorim i drejte.

Ky artikull u publikua fillimisht nga Sbunker si pjesë e nismësrajonale Porta e Dezinformimit në Ballkanin Perëndimor. Një version i redaktuar ribotohet në dy pjesë nga Global Voices me leje.

Gjatë tre muajve pas agresionit rus ndaj Ukrainës, zyrtarët rusë dhe serbë vazhduan të japin deklarata dezinformuese për Kosovën. Një shembull shumë i rëndësishëm gjatë qershorit erdhi nga ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, i cili në një intervistë për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve Sputnik, e cila u transmetua nga mediat serbe, ka mohuar masakrën e Reçakut të vitit 1999 në Kosovë.

Masakra e Reçakut ishte vrasja e 45 shqiptarëve të Kosovës që ndodhi në janar 1999 në fshatin e quajtur Raçak në serbisht dhe Reçak në shqip, që ndodhet në qendër të Kosovës. Masakra u krye nga forcat serbe të sigurisë. Pasi një ekip ndërkombëtar përcaktoi se këto vdekje përbënin vrasje të civilëve të paarmatosur, kjo luajti një rol në vendimin e NATO-s për përfshirje të drejtpërdrejtë në konfliktin e Kosovës, duke kryer një seri sulmesh ajrore taktike kundër objektivave kritikë të importit ushtarak ose strategjik në Republikën e atëhershme Federale të Jugosllavisë, e përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi. 

Gjatë intervistës, Lavrov u citua të thoshte se ishte “zbuluar” se trupat e të masakruarve në Reçak nuk ishin të civilëve, por të ushtarëve, rrobat e të cilëve ishin ndërruar për t'u dukur si civilë.

Lavrov i bëri këto deklarata për të bërë një krahasim ndërmjet krimeve të ndodhura në Buça në Ukrainë dhe Masakrës së Reçakut që ndodhi në Kosovë në vitin 1999.

Siç dëshmojnë të gjitha raportet e besueshme, rasti i Buças është dëshmi e qartë se trupat ruse në tërheqje ndërmorën një fushatë të vrasjeve masive të civilëve ukrainas. Gjithashtu konfirmohet se masakra në Reçak ishte një veprim i paramenduar i forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë.

Pamja e një artikulli të titulluar “Lavrov: Skema e zhvilluar në Buça është e njëjtë si në Reçak” nga media serbe B92. Etiketa thotë “Kur diçka është në interesin e SHBA-së, gjithçka lejohet, përfshirë edhe bombardimin e menjëhershëm të Jugosllavisë”, deklaroi shefi i diplomacisë ruse Sergej Lavrov. Perdorim i drejte.

Për më tepër, Misioni i OSBE-së që vepronte në Kosovë në atë kohë, pjesë e të cilit ishin edhe vëzhguesit rusë, e përshkroi masakrën e Reçakut si më të rëndën në Kosovë. Por Lavrov, siç e kanë bërë vazhdimisht zyrtarët serbë, e ka quajtur masakrën e Reçakut një trillim.

Për këtë deklaratë të Lavrov ka reaguar ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Përpjekjet për të rishkruar dhe mohuar historinë e mirë-dokumentuar të masakrës së Reçakut lavdërojnë krimet e luftës, çnderojnë kujtimin e të vdekurve dhe rihapin plagët e të mbijetuarve.

“Ata që mohojnë mizoritë në Reçak kërkojnë të pengojnë përparimin drejt pajtimit rajonal, konsolidimit demokratik dhe integrimit evropian e euro-atllantik,” tha Hovenier.

Hovenier gjithashtu i ka bashkangjitur postimit të tij dy dokumente të OSBE dhe UNDPPA që vërtetojnë masakrën e Reçakut.

Edhe në raste të tjera, zyrtarët rusë kanë tërhequr paralele mes Kosovës dhe rajoneve të aneksuara të Ukrainës. Edhe para ofensivës ushtarake kundër Ukrainës, presidenti Putin, gjatë një konference të përbashkët në Kremlin me kancelarin gjerman Olaf Scholz, përmendi ndërhyrjen e NATO-s në Jugosllavi në vitin 1999.

Kjo nuk është hera e parë që zyrtarët rusë dhe serbë i mohojnë apo i hedhin poshtë krimet e regjimit të Sllobodan Millosheviçit gjatë viteve 1998–99 në Kosovë. Autorët e narrativave anti-NATO dhe anti-BE në Ballkan shpesh bazohen në keqinterpretimet e ngjarjeve nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe luftërat pasuese në vitet 1990, duke hedhur teori konspirative që portretizojnë “Perëndimin” si fajtor për ngjarjet që çuan në humbjen e qindra mijëra jetëve dhe shkatërrimi i mjeteve të jetesës së miliona njerëzve, duke përfshirë disa miliona refugjatë.


 

Foto nga Giovana Fleck.

Për më shumë informacion rreth kësaj teme, shihni mbulimin tonë special Rusia pushton Ukrainën.

 

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.