Traditat e kuzhinës bullgare si një mënyrë për të rivendosur kujtesën kulturore: barishtet e egra dhe erëzat

Rukie Izirova dhe bakllavaja e saj. Foto nga arkivi personal, e përdorur me leje.

Ky është artikulli i parë i një serie prej tre pjesësh nga Dessislava Dimitrova dhe Nevena Borisova rreth mënyrës se si gratë sipërmarrëse nxisin ringjalljen e traditave të kuzhinës në pjesë të ndryshme të Bullgarisë, si pjesë e lëvizjes moderne të ushqimit të ngadaltë, duke nxitur turizmin dhe duke luftuar shpopullimin.

Kultura bullgare ka një thesar të mahnitshëm të recetave dhe traditave të kuzhinës. Të ashtuquajturat ushqime artizanale (sepse ndër të tjera prodhohen në mënyrë jo mekanike dhe janë dukuri kulturore në thelb) ndryshojnë nga rajonet. Ndërsa këto tradita zbulojnë shumë për kulturën dhe historinë, ato priren të harrohen gjithnjë e më shumë edhe nga vendasit, për shkak të një kombinimi të kujtesës së zbehur, “kolonializmit” të ushqimeve komerciale dhe mënyrës së jetesës. Një faktor i madh është tendenca prej dekadash e shpopullimit të madh të fshatrave bullgare.

Harta e Bullgarisë ku tregohen fshatrat YavornitsaAntimovo e Plevun. Bazuar në gartat e Wikipedia, CC BY-SA 3.0.

Megjithatë, ka njerëz që i luftojnë këto tendenca duke rikrijuar traditat e kuzhinës lokale. Kemi arritur të intervistojmë tre persona të tillë, që vijnë nga cepa të ndryshëm të Bullgarisë, por kanë diçka të përbashkët: besojnë se detyra e tyre është ruajtja e trashëgimisë vendase si pjesë e një identiteti kolektiv.

Nga ana tjetër, të treja mbështeten nga OJQ-ja globale Slow Food, e themeluar nga aktivisti italian Carlo Petrini në 1986. Kjo organizatë synon të gjejë njerëz që e bëjnë këtë punë dhe t'i ndihmojë ata të kenë akses në treg dhe të rrisë publicitetin e tyre lokal dhe ndërkombëtar.

Ushqimet dhe erëzat magjike të fshatit Yavornitsa

“Mbarova së gatuari, kështu që kam kohë të flas tani”, thotë Rukie Izirova. Dhe më pas ajo fillon të flasë për ushqimet vendase që përgatit edhe për vizitorët e konakut dhe restorantit të saj në fshatin Yavornitsa, në jugperëndim të Bullgarisë.

Emri i fshatit vjen nga fjala “yavor“, që do të thotë rrap (dhe jo një pemë panje siç përmendet zakonisht në gjuhën bullgare). Pemët shekullore janë të shumta në zonë. Yavornitsa ka një listë zgjedhore me rreth 800 persona në të, që është një numër jo i vogël për një fshat bullgar, por jo të gjithë jetojnë atje gjithmonë.

Rukie është një pjesëtare e komunitetit mysliman pomak që flet bullgarisht, i vetmi në fshat. Ajo ndihet mirë, e pranuar në këtë fshat të lindjes së të shoqit, ku u shpërngul në vitin 1972 dhe punoi si mësuese. Por ajo gjithmonë ka ndjerë se është ndryshe, sepse pomakët kanë zhvilluar një identitet të dallueshëm si nga myslimanët ashtu edhe nga të krishterët. Pasi Rukie u tërhoq nga mësimdhënia në vitin 1996, ajo hapi shtëpinë e saj, e cila u bë një objekt i madh turistik për fshatin.

Fshati ndodhet në malin Belasitsa, i cili mbart barishte dhe erëza. Në frymën e traditës, Rukies i pëlqen të gatuajë me barishte të egra. Ajo “përditëson” disa nga recetat në mënyrë që ato “të përshtaten me shijen bashkëkohore”. Dhe, duke synuar popullarizimin e këtyre ushqimeve, ajo organizon një aktivitet të përvitshëm lokal të quajtur “Belasitsa e dimrit”, ku më shumë se 25 lloje të recetave lokale u prezantohen të pranishmëve.

Qulli i bërë nga Rukie Izirova. Foto nga arkivi i saj personal, e përdorur me leje.

Disa nga “gjërat e gjelbra” që Rukie mbledh në pranverë thahen ose ngrihen për të qenë të dobishme gjatë dimrit, duke përfshirë hithrën dhe dokun, një lloj hudhre e egër që rritet vetëm në mal.

“Në pranverë, unë bëj një qull nga bimë të ndryshme të gjelbra nga pyjet. Gjithashtu mbledh barishte për çaj – bli, trumzë, kantariona – të gjitha këto janë tipike të rajonit,” thotë Rukie. Ajo ka mbledhur njohuri për barishtet dhe traditat e kuzhinës duke folur me fshatarët e moshuar dhe duke ua përcjellë atë nxënësve të përkushtuar – vajzës dhe mbesës së saj të vogël.

 

„Когато дойдох в селото, се чудех какво все берат хората по ливадите, как сладко мирише, особено дивият чесън. В менюто ползваме билки, характерни за района. Много хубава салата например става от тученицата – към свежите листа добавяме лимон, зехтинче, скилидка чесън, две лъжички майонеза и кисело мляко. Тази салата е прекрасна!“

“Kur erdha në këtë fshat, mbeta e hutuar kur pashë bollëkun e bimëve të ndryshme që banorët vendas i mbledhin nga livadhet. Unë mbeta e mahnitur nga gama e aromave të ndryshme dhe në veçanti aroma e hudhrës së egër. Në menynë tonë ne përdorim barishte që janë karakteristike për këtë rajon. Për shembull, mund të bëhet një sallatë shumë e shijshme nga purslana e zakonshme – gjethet mishtore i marrim të freskëta dhe shtojmë limon, vaj luledielli, një thelpi hudhër, dy lugë kafeje majonezë dhe pak kos. Sallata është thjesht e mrekullueshme!”

Mësuesja në pension gjithashtu konservon ushqime, bën ëmbëlsira dhe reçelra si dhe mezetë ballkanike lyutenitsa (shkruar edhe si ljutenica). Restoranti i saj përdor vetëm perime të rritura në shtëpi dhe ajo nuk blen pije të gazuara, përkundrazi bën lëngje nga pjeshkët, lulet e radhiqes dhe sambucus.

E pyetur se si do ta përshkruante veten, Rukie thotë se “rruga e saj ka pasur shumë gjemba, por është e suksesshme sepse e ka çuar drejt asaj që gjithmonë kishte dashur të bënte”.

Ky artikull është pjesë e një serie për ringjalljen e traditave të kuzhinës bullgare si një mënyrë për të rivendosur kujtesën kulturore,  duke theksuar përvojën e grave sipërmarrëse që punojnë në zonat rurale të shpopulluara. Seria përfshin artikujt e mëposhtëm:
– Barishtet e egra dhe erëzat e fshatit Yavornitsa
– Trahanaja e paharrueshme e gjyshes nga Plevuni
– Pjatat e harruara të gjyshes në fshatin Antimovë

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.