Ukrainasit mbushën rrjetet sociale me meme teksa grupi Wagner marshoi drejt Moskës

Russia_coup_Swan_Lake

Një foto e punuar që përshkruan Evgeny Prigozhin dhe luftëtarët e tij të Wagner si një kompani baleti që performon Liqenin e Mjelmave.

Më 23 dhe 24 qershor, shumë ukrainas e gjetën veten duke parë një dramë të denjë për një reality show televiziv: grupi famëkeq mercenar Wagner po mobilizohej me shpejtësi. Por në këtë rast, ata nuk po lëviznin drejt Ukrainës, Sirisë, apo diku në kontinentin afrikan ku tërhoqën vëmendjen ndërkombëtare në vitin 2017, por po lëviznin drejt shtetit të tyre, Rusisë.

Pasi qëndroi në Bakhmut, një qytet i vogël ukrainas, për rreth tetë muaj, grupi në dukje ka ndryshuar skenarin. Grupi, i njohur për mizoritë e tij të luftës, pushtoi Rostov-on-Don, një qendër rajonale në Rusinë perëndimore në disa orë dhe më pas marshoi drejt Moskës, duke i detyruar guvernatorët përgjatë rrugës të bllokonin rrugët që të çojnë në kryeqytetet e tjera rajonale ruse. Ukrainasit shpresonin se rebelimi i Wagnerit do ta detyronte presidentin rus Vladimir Putin të tërhiqte forcat nga Ukraina. Mediat e pavarura ruse përhapën informacione që lanë të kuptohet për një panik në Kremlin për Putinin që nuk ishte parë askund dhe avioni i tij po largohej nga Moska. Ishte një grusht shteti? Fillimi i luftës së re civile ruse? “Le të bëjmë tifo për të dyja skuadrat”, thanë disa me shaka në Ukrainë.

Rrjetet sociale ukrainase u mbushën me fotografi dhe video të balerinave – një referencë për përpjekjen për grusht shteti të vitit 1991 nga konservatorët sovjetikë në Moskë, i cili praktikisht i dha fund Bashkimit Sovjetik. Në atë kohë, ndërsa puçistët po merrnin masa për të rrëzuar Mikhail Gorbaçovin, presidentin e parë dhe të fundit të BRSS, publiku sovjetik, i uritur për lajme, iu drejtua mediave për të mësuar se çfarë po ndodhte dhe në vend të kësaj gjeti stacione televizive që transmetonin “Liqenin e Mjelmave”, në dukje të paaftë për të përcaktuar se cilën anë duhet të mbështesin dhe çfarë saktësisht duhet të raportohet. Në Ukrainë, demokratët kombëtarë në parlamentin e parë të zgjedhur në mënyrë demokratike – një nga rezultatet e reformave të kujdesshme të Gorbaçovit – shfrytëzuan momentin për të shpallur pavarësinë e Ukrainës nga BRSS.

Disa u mbështetën në historinë më të re duke postuar shaka për Victor Yanukovych, një ish-president ukrainas i cili u rrëzua nga protestat e Maidan në 2014 dhe u arratis në Rostov. Duke tallur me fjalimin e Yanukovych drejtuar ukrainasve nga Rostovi menjëherë pas tërheqjes së tij të nxituar nga Kievi në shkurt 2014, të cilin ai e përfundoi me një “Ostanovites!” ose “Stop!” në rusisht dhe duke iu referuar pushtimit të fundit të Rostovit nga Wagner, përdoruesit ukrainas postuan një foto të tij me fjalët “Ostanovitë!” – tashmë një meme – dhe “Nuk kam ku të iki nga Rostovi”, ose versioni i së njëjtës foto, por me Yanukovych duke ngrënë kokoshka dhe duke thënë: “Mos u ndal”.

Yanukovych_Rostov

Një tjetër meme me Yanukovych, nga llogaria në Instagram protsyshynofficial, është një karikaturë e Yanukovych duke ikur nga Rostovi duke ecur me një struc. Kur ai u largua nga Ukraina në vitin 2014, në rezidencën e tij aktivistët gjetën një kopsht zoologjik me strucë në pronën e tij. Në një intervistë një vit më vonë, Yanukovych tha se ai “mbrojti” zogjtë atje duke shkaktuar një valë të re memesh në Ukrainë.

Të tjerë karikaturuan Yevgeny Prigozhin, udhëheqësin e grupit Wagner, i cili muajt e kaluar kërkonte municion nga qeveria ruse për luftën e tij Bakhmut. Në memet ukrainase, Prigozin i drejtohej komandantit të përgjithshëm ukrainas: “Zaluzhny, na jep municion!” Shumë në Ukrainë iu referuan komunikimit të raportuar midis Prigozhin dhe Kyrylo Budanov, kreut karizmatik të inteligjencës ushtarake ukrainase, duke paraqitur teorinë se marshimi i Wagner në Moskë ishte disi i koordinuar nga Kievi, pasi pak ukrainas kishin ndonjë besim se qytetarët rusë mund të ishin në gjendje të bënin në mënyrë të pavarur ndonjë ndryshim në Rusi.

Një shaka popullore ishte një kronologji e zhvillimit të ushtrisë ruse nga “e dyta më e mira në botë” në 2021 në e dyta më e mira në Ukrainë në 2022 në e dyta më e mira në Rusi në 2023. “Unë duhet t'i jap meritat Shtabit të Përgjithshëm” – një përdorues ka shkruar në një tjetër postim viral në Facebook. “Kundërofensiva filloi, me të vërtetë, në një vend të papritur.” Një nga memet e tjera të njohura ishte me Serhiy Prytula, një ish-komedian i kthyer në politikan dhe më pas mbledhësi më i madh i fondeve për ushtrinë ukrainase që e furnizonte atë me automjete, pajisje dhe madje edhe një satelit. “Ukrainas, ka ardhur kjo kohë”, shkruhej në foton e buzëqeshur të Prytula. “Ne blemë Wagner.”

Prytula_Foundation

Meme e Prytula e cila thotë “Ne blemë Wagner”.

Pavarësisht vëmendjes masive mbi zhvillimet në lidhje me Wagner, në Ukrainë, nuk kishte eufori apo shpresë se angazhimi ushtarak rus në Ukrainë mund të zvogëlohej si rezultat i konfliktit të brendshëm. Disa e panë marshimin e Wagnerit dhe reagimin e Kremlinit ndaj tij si një provë të rëndësishme të aftësisë dhe gatishmërisë ruse për të përballuar një rebelim të brendshëm ose zhvillime ushtarake në territorin e saj. Shumë ukrainas po i shikonin fillimisht zhvillimet e Wagner-it me një kënaqësi keqdashëse dhe një dëshirë për hakmarrje pasi rusët – shumica e të cilëve vazhdojnë të mbështesin luftën e Putinit në Ukrainë – po dëshmonin marshimin e mijëra kriminelëve të dhunshëm të luftës në tokën e tyre.

Disa madje shprehën indiferencën e tyre. “Prigozhin, a jeni 25 mijë veta?” Një ukrainas shkroi në Twitter. “Nënshkruani peticionin në lidhje me Tkachenko ju lutem.” Disa ditë para ngjarjeve, një peticion i ri u shfaq në seksionin e posaçëm të faqes presidenciale të internetit për peticionet që propozonin shkarkimin e Olexandr Tkachenko, një ministër i papëlqyer i kulturës ukrainase. Një peticion duhet të ketë jo më pak se 25,000 nënshkrime që presidenti i Ukrainës ta marrë në konsideratë.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.