- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Policia e Stambollit shpërndan me dhunë Marshimin e Krenarisë dhe arreston mbi 300 persona

Kategoritë: Lindja e Mesme e Afrika Veriore, Turqia, Censura, Ligji, Liria e fjalës, Media e gazetaria, Media e qytetarëve, Politika, Protesta, Qeverisja, Të drejtat e LGBT, Të drejtat e njeriut, Pride 2021: Growing visibility, increasing attacks, Pride 2022: Community resistance

Një pamje nga kronika [1] e Agjencisë së Lajmeve AFP.

Tema e marshit të krenarisë së këtij viti në Turqi ishte “rezistenca”. Ky vit shënoi [2] edhe 30 vjetorin e Javës së Krenarisë LGBT+ të Stambollit. Më 26 qershor, Java e Krenarisë përfundoi me arrestime dhe rrugë të barrikaduara, pasi një numër i madh policësh penguan pjesëmarrësit të marshonin.

Një javë përpara marshimit, organizatorët thanë se zyrtarët e Stambollit ua mohuan [2] lejen për të marshuar. Mbrojtësit e të drejtave dhe organizatorët e marshimit thanë se mbi 300 njerëz u arrestuan, por shumica u liruan të nesërmen.

Shifra e fundit për paraburgimet e #IstanbulPride është 370 për avokatët. Ata raportohet se po mbahen në autobusë, nuk u është dhënë ushqim apo ujë. Ky trajtim është i papranueshëm. Këtyre individëve u hiqet liria thjesht se ushtronin të drejtat e tyre.

373 personat e ndaluar ditën e djeshme janë liruar pas marrjes së deklaratave dhe do të dërgohen në spitale për kontroll mjekësor.

Më 20 qershor, në një deklaratë [9] të lëshuar nga guvernatorët e distrikteve Kadikoy dhe Beyoglu të Stambollit, autoritetet përsëri i ndaluan të gjitha aktivitetet për shtatë ditë për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Organizatorët e Javës së Krenarisë së Stambollit thanë [9] se vendimi ishte i paligjshëm në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit [10] të grupit dhe llogaritë e mediave sociale [11].

Sot, me fillimin e Javës së Krenarisë së 30-të LGBT+ të Stambollit, policia vizitoi vendet e përzgjedhura për ngjarjet këtë javë si pjesë e “kontrollit të përgjithshëm”

Java e Krenarisë së Stambollit është ndaluar edhe një herë në mënyrë të paligjshme. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve përkatëse të heqin ndalimin dhe të sigurojnë të drejtën e lirisë së tubimit dhe shprehjes së pjesëmarrësve, në përputhje me angazhimet ndërkombëtare të Turqisë për të drejtat e njeriut.

Në një incident të ndarë më 17 qershor, një grup studentësh u vunë në shënjestër [16] të grupeve islamike dhe nacionaliste përpara një pikniku të organizuar si pjesë e aktiviteteve të Javës së Krenarisë. Sipas raportimit [16] të Gazete Duvar, studentët e Universitetit të Stambollit u rrethuan nga islamistët duke brohoritur “Tekbir, Allah-u Ekber” (Allahu është më i madhi), por u ndaluan menjëherë pas ndërhyrjes së policisë. Në një postim [17] në Twitter, studentët njoftuan se pikniku ishte anuluar për shkak të linçimit dhe se njerëzit duhet të shmangin grumbullimin në grupe të mëdha në zonë. Gjithashtu në fillim të këtij muaji, policia arrestoi 11 aktivistë LBGTQ+ në Stamboll, të cilët më vonë thanë se ishin keqtrajtuar dhe torturuar në paraburgim nga policia. Ata publikuan foto pas lirimit të kyçeve të duarve dhe këmbëve të mavijosura rëndë, të cilat u shkaktuan ndërsa ishin të ndaluar, raportoi [18] Euronews.

Kjo nuk është hera e parë që aktivitetet e Paradës së Krenarisë ndalohen në emër të të ashtuquajturës siguri publike. Në vitin 2015, policia turke hodhi [19] gaz lotsjellës dhe ujë me presion ndaj pjesëmarrësve të marshimit të Krenarisë. Në vitin 2016, marshimi u ndalua [20] në Stamboll për të “ruajtur sigurinë dhe rendin publik.” Në vitin 2017, në kryeqytetin Ankara, qeveria vendosi një ndalim pa afat [21] dhe të plotë për ngjarjet e Krenarisë, duke shfrytëzuar kompetencat e saj të “gjendjes së jashtëzakonshme” pas një grushti shteti ushtarak në 2016. Në mënyrë të ngjashme, në Stamboll, parada e Krenarisë u ndalua [22] për shkak të shqetësimeve të sigurisë në të njëjtin vit. Aktiviteti u ndalua përsëri në vitin 2018 për arsye sigurie edhe pse shumë e kundërshtuan [23] ndalimin duke marshuar në Stamboll përpara se policia të ndërhynte, duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit.  Në vitin 2019, policia ndërhyri [24] ndërsa turmat festuan marshimin e 17-të të krenarisë në Stamboll. Në vitin 2020, marshimi u anulua për shkak të kufizimeve të COVID-19.

Marshimi i fundit për të cilin ishte dhënë leja [25], u zhvillua në 2014. Vitin e kaluar [26], policia qëlloi me gaz lotsjellës dhe plumba gome ndaj protestuesve.

Një ditë përpara marshimit të planifikuar, autoritetet lokale njoftuan [27] se do të mbyllnin stacionet kryesore të metrosë në qytet. Shoqata e Avokatëve të Stambollit e kritikoi [28] masën në një deklaratë më 26 qershor, duke argumentuar se ndalimi i njerëzve në një demonstrim paqësor ishte i paligjshëm.

Pavarësisht ndalimeve dhe pranisë së madhe të policisë, pjesëmarrësit e marshimit u mblodhën në rrugët e Stambollit si dhe në qytete të tjera anembanë vendit për të shënuar këtë ditë, duke mbajtur flamuj me ylber dhe duke brohoritur slogane si “Ylberi nuk është krim. Diskriminimi është krim, ” “Ne jemi këtu. Ne nuk do të shkojmë askund.”

Një turmë e vogël, por sfiduese është mbledhur në lagjen Cihangir të Stambollit. Ata janë të rrethuar nga policia e trazirave duke u përpjekur t'i pengojë ata të marshojnë

Policia përdori forcë edhe kundër përfaqësuesve të mediave që mbulonin marshimin.

Policia sulmoi Marshimin e Krenarisë LGBTQ të Stambollit. Ndërsa shtypi u godit dhe u largua me forcë nga zona, shefi i zyrës së fotografisë së AFP, Bulent Kılıç, i cili u shtyp me forcë në tokë, me policinë që i shtyu në qafën e fundit, u ndalua gjithashtu nën tortura.

Reporterët pa Kufij, më vonë në Twitter shkruan [33] se Kılıç u lirua pasi iu nënshtrua një kontrolli mjekësor dhe se do të ngrinte akuza me arsyetimin se ishte rrahur dhe nuk u lejua të takohej me avokatin e tij ndërsa ishte mbajtur në autobus, duke pritur për 4.5 orë. Përfaqësuesi i organizatës në Turqi, Erol Onderoglu tha [34] se policia e ka bërë zakon të ndalojë Kılıç dhe të vazhdojë të përdorë “dhunën arbitrare dhe ndalimin kundër gazetarëve”.

Policia ka përdorur ndërhyrje të ngjashme edhe në qytetet e tjera ku u zhvillua marshimi.

Policia në Izmir po përpiqet të detyrojë anëtarët e LGBTI+ të largohen nga zona!

Ndërkohë, organizatorët e marshimit në një deklaratë thanë [38] se do të vazhdojnë rezistencën:

Së bashku kemi forcë. Ne e marrim fuqinë nga rezistenca jonë dhe vazhdojmë të rezistojmë. Si LGBTI+ që festojnë dinjitetin dhe ekzistencën e tyre në rrugë çdo vit në javën e fundit të qershorit, ne jemi këtu me këmbëngulje në luftën tonë, me shpresën për të nesërmen dhe me guximin dhe solidaritetin që marrim nga njëri-tjetri. Ne ishim, jemi, do të jemi!