- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Destinacionet në Shqipëri përballen me një sezon të pazakontë turistik veror

Kategoritë: Europa Lindore e Qendrore, Shqipëria, Media e qytetarëve, Shëndeti, Udhëtime, COVID-19
[1]

Plazh në jug të Shqipërisë. Foto nga Ardi Pulaj [2], e përdorur me leje

Shih mbulimin e Global Voices për pasojat e COVID-19 [3] në botë.

Prej vitesh, të rezervosh në hotelin ikonik “Adriatik” [4] në qytetin-port të Durrësit [5] është një luks. Por 2020-a, viti i pandemisë së koronavirusit ka shumë dallin nga vitet e kaluara.

Hoteli rihapi dyert e tij më 18 maj, pasi vendi doli nga izolimi gjatë të cilit plazhet e kufijtë me shtetet fqinje qëndruan të mbyllura deri në fillim të qershorit.

Megjithë relaksimin e masave, rezervimet kanë rënë me 85%, sipas menaxheres së përgjithshme Nevila Dudaj. “Ne kemi pasur shumë rezervime për sezonin veror 2020 që nga vjeshta e vitit 2019 dhe ato u ndalën gjatë javës së parë të marsit,” tha ajo.

“Disa klientë me rezervime të vlefshme e shtynë ardhjen për vitin tjetër, por shumica e mysafirëve tanë kërkuan rimbursim, duke na vënë përballë vështirësisë financiare,” thotë Dudaj, e cila gjithashtu drejton agjencinë me qendër në SHBA, Adriatik Tours [6].

“Rimëkëmbja e sektorit të turizmit do të marrë kohë, të paktën një deri në dy vjet,” parashikon Dudaj.

[7]

Masat anti COVID-19 në ambientet e  Adriatik Hotel në Durrës. Foto nga Ardi Pulaj [2], e përdorur me leje.

Dhërmiu [8], në jug të Shqipërisë, ndodhet midis Himarës dhe Vlorës. Është i famshëm në mesin e shqiptarëve dhe të huajve për plazhet e tij tepër të bukura dhe atmosferën e qetë.

2 Lips [9], një bar, restorant dhe hotel i vendosur në plazhin e Dhërmiut, zakonisht mirëpret turistët nga Britania e Madhe, Polonia, Çekia, Belgjika, Austria, Franca dhe Italia. Turistët kinezë shkuan atje për herë të parë vitin e kaluar.

Ernis Osmanaj, pronari i 2 Lips tha se rezervimet këtë vit janë afërsisht të njëjta me vitin e kaluar.”

“Dallimi i vetëm është se këtë sezon klientët tanë janë nga Tirana, dhe jo nga Britania e Madhe si viti i kaluar,” tha Osmanaj.

Për Osmanaj, bindja e klientëve për të ndjekur protokollet anti-COVID-19 është gjëja më e vështirë. Ata duhet t'i nënshtrohen kontrollit të temperaturës dhe të dezinfektohen pasi hyjnë dhe dalin nga ambientet, tha ai.

Protokollet e vendosura nga qeverisë shqiptare kërkojnë që hotelet dhe resortet të kenë një “koordinator” anti-COVID-19 për të mbikëqyrur zbatimin e masave të tilla. Stafi duhet të mbajë maska dhe doreza në çdo kohë.

Duke lëvizur më tej në jug, qyteti bregdetar i Sarandës [10], gjithashtu është duke u përgatitur për një verë të vështirë. Aty turistët mund të shohin rrënojat e lashta të Parkut Kombëtar të Butrintit [11] dhe të shijojnë një ecje në shëtitore, si dhe plazhet fantastike. Në shkurt Saranda ishte në vendet e para të Tripadvisor [12] për destinacionet e ardhshme të udhëtimit. Ajo u rendit e dyta [13] pas Kaliningradit në Rusi.

[14]

Seaside Artist Hotel në Sarandë, foto nga stafi i hotelit, e përdorur me leje.

Seaside Artist [15], një restorant dhe një hotel familjar në Sarandë, rezervimet janë ulur me 60% në krahasim me vitin e kaluar. Rezervimet e gushtit përfshijnë turistë nga Italia, ndërsa shtatori premton të sjellë turistë nga Bullgaria, Gjermania dhe Greqia.

“Këtë sezon kemi pasur shumë anulime për shkak të pasigurisë nga situata e pandemisë. Do të punojmë me rezervimet e minutave të fundit këtë sezon. Saranda nuk ka pasur asnjë rast të koronavirusit dhe është e gatshme të mirëpresë turistët,” tha Rudina Toska nga hoteli dhe restoranti Seaside Artist.

Përshtatja për turistët vendas

Ejiris Shoshi ndihmon hotelet në Ksamil [16], afër Sarandës, me prenotimet që vijnë nga agjencitë e udhëtimit në internet. Ajo është në kontakt të drejtpërdrejtë me turistët që kalojnë pushimet në bregdetin e Jonit. Këtë vit 72% e rezervimeve janë anuluar.

[17]

Plazhi privat i Hotel Abalone në Ksamil. Foto nga Ardi Pulaj [2], e përdorur me leje.

“Ato pak rezervime që kemi marrë janë për muajt gusht dhe shtator. Është një sezon i paparashikueshëm, për shkak të faktit se turistët vendas rezervojnë në minutën e fundit dhe turistët e huaj – ata që do të kenë mjetet financiare për të udhëtuar këtë vit – janë të paqartë se si mund të vijnë,” tha Shoshi.

“Shqetësimi kryesor i turistëve të huaj ka qenë udhëtimi – mbyllja e kufijve jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga të gjitha vendet e tranzitit”.

Agjencia e Shoshit, në bashkëpunim me hotelet në zonë, kanë shtuar fushatat reklamuese në mediat sociale, për të tërhequr turistët vendas.

Turizëm patriotik

Nevila Dudaj nga Adriatik Hotel dhe agjencia Adriatik Tours thotë se kontributi i diasporës shqiptare është shumë i rëndësishëm për rimëkëmbjen e industrisë së turizmit.

“Edhe në New York Times Travel Show në janar të vitit 2020, ku morëm pjesë, u apelova të gjithë shqiptarëve, kudo që të jenë, të vizitojnë dhe të kalojnë pushimet e tyre në Shqipëri, pasi turizmi shqiptar duhet të mbështetet nga ata. Dhe tani, më shumë se kurrë, për shkak të pandemisë së COVID-19, ne kemi nevojë për mbështetjen e tyre “, thotë Dudaj.

Deri më tani, turistët nga Kosova dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor u janë bashkuar turistëve vendas për të pushuar [18] në plazhet e Shqipërisë.

Shqipëria numëron gjithsej 2,047 të infektuar me koronavirus [19], ndërsa janë shënuar në total 45 të vdekur që nga nisja e pandemisë.