Parku i ri kombëtar në Maqedoninë e Veriut i kërcënuar nga projektet zhvillimore

Vendi i ndërtimit të një hidrocentrali të vogël në lumin Markova, afër Shkupit, Maqedonia e Veriut. Foto nga arkivi privat, e përdorur me leje.

Ky lajm bazohet në raportimin e Meta.mk. Një version i redaktuar është ribotuar këtu përmes një marrëveshjeje për ndarjen e përmbajtjes midis Global Voices dhe Fondacionit Metamorphosis. 

Gati një vit pasi zyrtarët njoftuan se do të ndërtonin një park të ri kombëtar në Maqedoninë e Veriut, mjedisi është ende nën rrethim, pasi bizneset kërkojnë të zhvillojnë pjesë të parkut dhe të shfrytëzojnë tokën për përfitime kapitale. Përpara se toka të shndërrohej në park kombëtar, qeveria u ofroi bizneseve koncesione dhe subvencione për të ndërtuar dhe operuar hidrocentrale të vogla me ujin nga burimet malore.

Tani që planet për parkun janë duke u zhvilluar, bizneset po refuzojnë të heqin dorë nga sipërmarrjet e tyre fitimprurëse.

Brenda kufijve të Parkut të ri Kombëtar të Malit Sharr në Maqedoninë e Veriut, janë ndërtuar dhe janë në përdorim 11 hidrocentrale të vegjël dhe katër të tjerë janë në ndërtim e sipër.

Më 30 qershor 2021, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi një ligj që shpalli një pjesë të malit Sharr park kombëtar, duke mbuluar 2 për qind të sipërfaqes tokësore të vendit, e duke përfshirë 28 liqene dhe shumë burime të tjera natyrore. Popullsia e saj prej 26,000 banorësh është e shpërndarë në 30 fshatra.

Mjedisi në të gjithë Ballkanin është nën kërcënim serioz nga ndërtimi i mbi 2700 hidrocentraleve të vegjël, të cilët janë subvencionuar nga qeveri të ndryshme. Kritikët thonë se ndërtimi është i nxituar e pa vlerësimin e duhur të ndikimit mjedisor dhe se projektet janë mbuluar nga korrupsioni.

Në vitin 2021, përfaqësuesit e qeverisë pretenduan se do të kërkonin ndalimin e ndërtimit dhe heqjen e hidrocentraleve të vegjël nga Parku Kombëtar i sapokrijuar i Sharrit. Sidoqoftë, ndërtuesit nuk heqin dorë.

Ndërtuesit në fakt po e mbajnë peng tokën, pasi disa operatorë të hidrocentraleve kanë refuzuar të ndalojnë ndërtimin nëse qeveria nuk rimburson asetet e tyre të investuara.

Gjatë negociatave në vazhdim me qeverinë, vetëm një koncesionar, që kontrollon dy hidrocentrale, është tërhequr tërësisht dhe nuk kërkon dëmshpërblim.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë së Veriut nuk i ka zbuluar shumat e kërkuara nga ndërtuesit. Përfaqësuesit e tyre deklaruan se Komisioni i Parkut i përbërë nga anëtarë të ministrive të mjedisit, financave dhe ekonomisë janë ende duke analizuar kërkesat dhe provat dhe janë në negociata me operatorët e hidrocentraleve.

Ministria e Mjedisit ka informuar publikun vetëm për temën e negociatave:

Për momentin janë duke u zhvilluar negociata me të gjithë koncesionarët që janë të përfshira në nenin 17 të Ligjit për shpalljen e një pjese të Malit Sharr zonë e mbrojtur e kategorisë së dytë, park kombëtar me zona të përkohshme mbrojtëse. Këto janë MHEC Pena 82, MHEC Ljubotenska 66, MHEC Vratnichka 67, MHEC Belovicka 107, MHEC Mazdracha dhe MHEC Leshochka 100 dhe 101.

Prej tyre, koncesionari i hidrocentraleve të vegjël Leshochka 100 dhe 101 ka paraqitur një deklaratë se është tërhequr nga investimet pa kërkuar asnjë rimbursim, ndërsa koncesionet për Pena 82, Ljubotenska 66, Vratnichka 67 dhe Belovicka 107 kanë paraqitur kërkesë për rimbursim për ekzekutimin e kontratës deri në këtë moment.

Ndërtimi i hidrocentraleve të vogla në malin Sharr në vitin 2021. Foto nga Portalb.mk, e përdorur me leje.

Organizatat qytetare mjedisore i kanë bërë thirrje prej kohësh qeverisë që të ndalojë këto objekte energjetike. Arsyet përfshijnë shkatërrimin e dukshëm të natyrës dhe dëmtimin e biodiversitetit, pasi objektet zakonisht marrin ujin nga përrenjtë dhe lumenjtë në tubacione, duke krijuar thatësirë ​​artificiale për zonat përreth, duke çuar në shpyllëzim.

Ndërtimi i hidrocentraleve të vegjël gjithashtu pengon aksesin te uji për banorët e zonave të afërta. Për shembull, qyteti i Tetovës, i vendosur pranë Parkut Kombëtar të Malit Sharr është përballur me mungesë të ujit të pijshëm.

Për më tepër, një analizë e vitit 2021 nga Qendra për Analizë Ekonomike (CEA) dhe organizata mjedisore Eko Svest (“Ndërgjegjja Eko”) zbuloi se e gjithë korniza për subvencionet shtetërore për hidrocentralet e vogla nuk është në përputhje me rregulloret e Bashkimit Evropian, gjë që pengon objektivin strategjik për anëtarësim në BE.

Nga ana tjetër, hidrocentralet e vogla japin një kontribut minimal në furnizimin me energji elektrike të vendit, jo më shumë se pesë deri në shtatë për qind.

Në një prononcim për Meta.mk, Gjorgji Mitrevski, përfaqësues i Eko Svest, theksoi se ambientalistët presin që të respektohen rekomandimet e Konventës së Bernës.

Pritet që shteti nënshkrues i Konventës së Bernës për mbrojtjen e biodiversitetit të zbatojë rekomandimet në legjislacionin kombëtar. Ne kemi komunikim të vazhdueshëm me Konventën dhe nga momenti që kanë kaluar rekomandimet e deri më tani nuk ka pasur asnjë aktivitet.

Mitrevski vuri në dukje se disa muaj më parë Konventa e Bernës rekomandoi shmangien e ndërtimit të hidrocentraleve në zonat e mbrojtura. Kërkesa të ngjashme ishin lëshuar në vitin 2015 dhe 2017 për një park tjetër kombëtar në Maqedoninë e Veriut, Mavrovën. Ekziston gjithashtu një rekomandim i përhershëm që objektet energjetike të mos ndërtohen askund jashtë zonave të mbrojtura nëse ndërtimi i tyre do të ketë efekt në zonat e mbrojtura. Mitrevski theksoi se kjo tregon qartë se të gjitha objektet e planifikuara në parqet kombëtare nuk duhet të ndërtohen dhe ato jashtë duhet të rishikohen.

Vendimi përfundimtar për kompensimin e koncesionarit do të duhet të merret nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mjedisit për Meta.mk.

Panorama e fshatit Bozovcë, brenda kufijve të Parkut Kombëtar të malit të Sharrit në Maqedoninë e Veriut. Foto e Meta.mk, e përdorur me leje.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.