A janë dyert e BE-së gjysmë të hapura apo gjysmë të mbyllura për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut?

Flamuri i BE-së. Foto nga Giampaolo Squarcina, e licensuar me CC BY-NC-ND 2.0

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE), që u takuan në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme në Luksemburg më 18 qershor, shtynë për në tetor vendimin nëse do të hapin bisedimet e anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Një BE e ndarë vendos të shtyjë vendimin për hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në tetor, duke i dhënë një goditje të madhe të dyja vendeve.

Dy vendet e Ballkanit Perëndimor shpresonin që takimi do të sillte një rezultat pozitiv, ndaj konkluzionet e shefave të diplomacisë të vendeve anëtare të BE-së për të shtyrë vendimin në vjeshtë, ishte një zhgënjim.

BE-ja gjeti më në fund gjuhën e përbashkët mbi bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë – duke vendosur të mos vendosë.

Komisioni Evropian deklaroi në maj 2019 se dy vendet kishin bërë përparimin e nevojshëm në standardet demokratike dhe sundimin e ligjit. Por disa vende anëtare të BE-së, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, ende nuk ishin të gatshëm të martën për të dhënë dritën jeshile, raportoi politico.eu.

Pas takimit të Këshillit, Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Johannes Hahn, tha:

Për fat të keq, një pakicë e shteteve anëtare nuk ishin në gjendje të mbështesin propozimin e Komisionit për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sot. Besueshmëria jonë kolektive është në rrezik dhe stimujt e ndikimi ynë për reforma të thella në të gjithë rajonin janë po aq të rrezikuara.

Deklarata e mëposhtme u lëshua pas takimit:

Duke patur parasysh kohën e kufizuar në dispozicion dhe rëndësinë e çështjes, Këshilli do t'i rikthehet asaj me qëllim që të marrë një vendim të qartë dhe thelbësor sa më shpejt që të jetë e mundur dhe jo më vonë se tetori 2019.

A janë vërtet gati Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut?

Shtyrja në fakt ka të bëjë jo vetëm me “kohën e kufizuar në dispozicion”.

Shqipëria po përballet me një krizë politike që nga shkurti pas raportimeve nga Zëri i Amerikës dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, ku pretendohet se zyrtarë të qeverisë bashkëpunuan me bandat kriminale në një skemë blerjeje votash në zgjedhjet e vitit 2017. Deputetët e opozitës hoqën dorë nga mandatet e tyre dhe dolën në rrugë në protesta, duke kërkuar që kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen dhe duke bërë thirrje për krijimin e një qeverie kalimtare për të mbikëqyrur zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Rama refuzon të japë dorëheqjen dhe insiston se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në vitin 2021 ashtu siç është planifikuar dhe ato lokale më 30 qershor 2019. Presidenti Ilir Meta u përgjigj duke anuluar zgjedhjet lokale, veprim i nevojshëm sipas tij për të ulur tensionet politike në vend. Kjo solli miratimin e një rezolute nga deputetët e Partisë Socialiste (PS) në pushtet, që e konsideron anulimin e zgjedhjeve nga Meta të pavlefshëm dhe i bën thirrje institucioneve publike të vazhdojnë me planet zgjedhore. Rama gjithashtu njoftoi synimin e tij për të kërkuar shkarkimin e Metës nga detyra.

Bashkitë e udhëhequra nga partitë opozitare, Partia Demokratike (PD) dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), megjithatë, bënë thirrje për heqjen e materialeve elektorale nga komisionet zgjedhore lokale, në përputhje me dekretin e anulimit të Metës. Në pjesë të ndryshme të vendit pati protesta me tension dhe përballje me policinë.

Në thellimin e krizës politike në Shqipëri ndihmoi edhe publikimi nga gazeta gjermane Bild i përgjimeve mbi skemën e blerjes së votave në 2017-ën, çështje që po hetohet edhe nga prokuroria.

Kryeministri Rama dhe udhëheqësi i opozitës, Lulzim Basha, e shfrytëzuan shtyrjen e marrjes së vendimit nga ana e BE-së, për të fajësuar njëri-tjetrin:

Ku qëndrojnë vendet e Ballkanit Perëndimor me integrimin europian?

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia dhe Mali i Zi kanë filluar zyrtarisht bisedimet e pranimit me BE, respektivisht në vitin 2014 dhe 2012.

Maqedonia hodhi hapa të rëndësishëm kohët e fundit pasi ndryshoi emrin e saj në Maqedonia e Veriut, duke zgjidhur një mosmarrëveshje 27-vjeçare me fqinjin e saj, anëtar të NATO-s dhe BE-së, Greqinë. Por Maqedonia e Veriut ende duhet të presë deri në tetor, së bashku me Shqipërinë, për vendimin e BE.

Ministri i jashtëm i vendit, Nikolla Dimitrov, megjithatë foli me një dozë optimizmi:

Le të jemi realistë, le të bëjmë të pamundurën! Dhe ne do të mundemi në tetor sepse ne kemi treguar tashmë se mund të lëvizim malet. Dhe ne do të vazhdojmë rrugën e reformës, sepse duam që ëndrra jonë europiane të realizohet. Dhe unë kam një premtim: do ta bëjmë të turpshme po të mos ndodhë!

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria shihen si shtete kyçe për promovimin e stabilitetit në Ballkan, por ato ende vuajnë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Disa zyrtarë në Bruksel argumentojnë se BE-ja nuk duhet të nxitojë të pranojë anëtarë të rinj, duke përmendur korrupsionin e vazhdueshëm dhe çështjet e drejtësisë në vendet anëtare, Rumaninë dhe Bullgarinë.

Pasi vendi i tij u shpërfill nga ministrat e BE-së në takimin e 18 qershorit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev tha për Financial Times: “Ne nuk kemi nevojë për një radikalizëm të ri, nacionalizëm dhe populizëm në vendin tonë”.

“Ekziston një premtim nga Evropa se është një sistem në bazë të meritave dhe ata duhet të marrin vendime mbi argumentat e asaj që meritojmë dhe çfarë përmbushëm. Pas 15 vjetësh, ne me të vërtetë e meritojmë këtë dhe Evropa duhet të mbajë premtimin,” shtoi ai.

Rreziku i rritjes së nacionalizmit dhe populizmit përmendet edhe nga vëzhguesit e procesit të integrimit, ndërsa disa të tjerë fajësojnë BE-në që dështoi në mbajtjen e premtimit:

Forcat nacionaliste do të forcohen më shumë në Ballkan nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të marrin dritën jeshile për të nisur bisedimet e pranimit në BE deri në vjeshtë

Kjo nuk është vetëm për politikën e zgjerimit, por për BE-në… Në thelb tregon se BE-ja është e paaftë për të marrë vendime në një fushë thelbësore të strategjisë së saj

Këshilli Evropian shtyn vendimin për hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më vonë këtë vit, në tetor. Mosveprimi mund të dëmtojë zgjerimin e BE-së si një politikë e jashtme e suksesshme dhe të kërcënojë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Ju duhet të ndryshoni emrin tuaj! Ju duhet ta bëni këtë! Ju duhet ta bëni atë!, thotë BE, por BE nuk bën asgjë, por jep “njohje të qartë”. Çfarë talljeje! Oh dhe të “çiftëzon” me Shqipërinë, e cila është edhe më larg anëtarësimit në BE.

Përfundimet e sotme i lanë të gjithë të zhgënjyer. Mendoj se tregon shumë se kritikët sot nuk janë mbështetës të së djathtës ekstreme, izolacionistë apo nacionalistë, por kërkues, akademikë, analistë dhe gazetarë që kanë nxitur me zell prej vitesh integrimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor.

Nuk është vetëm besueshmëria e BE-së në rrezik.

Ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut Dimitrov, theksuon se nëse BE nuk e pranon vendin e tij në bllok, Brukseli do të humbasë ndikimin në rajon dhe rrezikon shtimin e influencës së rivalëve, si Rusia dhe Kina. Vendet e tjera që synojnë ndikim në rajon përfshijnë Turqinë dhe shtetet e Gjirit Persik.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.