- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Pozicioni i lëkundur i Kinës ndaj pushtimit rus të Ukrainës kërcënon pozicionin e saj brenda e jashtë vendit

Kategoritë: Kina, Rusia, Ukraina, Aktivizmi dixhital, Censura, Marrëdhëniet ndërkombëtare, Media e gazetaria, Media e qytetarëve, Të drejtat e njeriut, Russia invades Ukraine

Foto nga raporti i CCTV [1] mbi pushtimin rus të Ukrainës me titull “Ukraina nuk e pranon ultimatumin, a ka marrë pjesë indirekt NATO në luftë?”

Që nga pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt 2022, pozicioni zyrtar i qeverisë së Kinës vazhdon të ndryshojë, me veprimet e saj shpesh që nuk përputhen me retorikën e saj. Kina abstenoi [2] nga rezolutat e OKB-së që dënonin agresionin rus, fajësoi NATO [3]-n për provokimin e konfliktit dhe vazhdon të përforcojë teoritë konspirative ruse. Në të njëjtën kohë, ministria e Jashtme bën thirrje për negociata paqësore [4] dhe refuzon çdo formë të ndërhyrjeve të palëve të treta, duke përfshirë sanksionet ekonomike ose ndihmën ushtarake.

Ndërsa Kina ka qenë partneri më i madh tregtar i Rusisë për 10 vitet e fundit [5] (një e katërta [5] e rezervave valutore të Rusisë mbahen në monedhën kineze Renminbi), vitin e kaluar, vendi u bë gjithashtu importuesi më i madh i mallrave ukrainase, kryesisht minerale hekuri dhe misri. Si një komb i varur nga energjia dhe ushqimi i huaj, llogaritjet e pamenduara e të gabuara mund të rrezikojnë jetesën e miliona njerëzve. Në rang rajonal, shumica e vendeve përgjatë projektit “Një brez, një rrugë” varen, të paktën pjesërisht, nga Ukraina dhe Rusia [6] për grurin, elbin, misrin dhe vajin e lulediellit. Rusia është gjithashtu eksportuesi më i madh në botë i plehrave azotike. Paparashikueshmëria e vazhdueshme rajonale mund të destabilizojë seriozisht sferën e ndikimit të Kinës në të gjithë Azinë Qendrore.

Thënë kjo, Pekini ka pasur vështirësi në balancimin e perceptimeve dhe interesave të Evropës Lindore. Në të kaluarën, qeveria kineze ka përdorur presionin ekonomik ndaj Lituanisë [7] për të vendosur pozicionin e saj. Ndërsa Pekini ka investuar më shumë se 129 miliardë dollarë [8] në Evropën Lindore që nga viti 2009, justifikimi i tij i vazhdueshëm i “operacioneve speciale” ruse po i bën ukrainasit [9] edhe më vendimtarë drejt Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Stafi diplomatik i Kinës është përpjekur të ndjeke një linjë normale duke mos antagonizuar askënd, shpesh duke zhgënjyer të gjithë.

Ecja në një litar të ngushtë gjeopolitik 

Politika zyrtare e Pekinit ka mbetur në mënyrë të paqartë në mbështetje të kauzës ruse, por kundër pasojave të saj. Mediat kineze nuk i referohen konfliktit si një luftë, duke përsëritur kryesisht përkufizimin e Kremlinit [10] për “operacionet speciale”. Ambasadat kineze kanë shpërndarë gjerësisht [11] deklaratat e Kremlinit për Masakrën e Buçës, duke sugjeruar ndërhyrjen e huaj dhe atë të Ukrainës. Ministria e Jashtme e Kinës i ka bërë jehonë [12] gjithashtu pretendimeve të pambështetura të Rusisë se Shtetet e Bashkuara po zhvillonin armë biologjike në Kiev.

Gjatë gjithë kohës, Kina ka ofruar të ndërmjetësojë [13] luftën. Ambasadori i Kinës në Ukrainë, Fan Xianrong, deklaroi [14] më 14 mars:

Kina nuk do të sulmojë kurrë Ukrainën, ne do të ndihmojmë, veçanërisht në drejtimin ekonomik. Brenda një viti, vendi ynë importon mallra nga e gjithë bota me vlerë mbi 3 trilion dollarë. Ne jemi të gatshëm t'ju ndihmojmë të zhvilloheni. Në këtë situatë që keni tani, ne do të veprojmë me përgjegjësi. Ne kemi parë se sa i madh është uniteti i popullit ukrainas dhe kjo do të thotë fuqia e tij.

Në një takim me Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz, Xi Jinping përsëriti [14] se Perëndimi duhet të punojë drejt “një kuadri sigurie evropiane të balancuar, efektiv dhe të qëndrueshëm”. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Zhao Lijian, deklaroi [15] më 1 prill se liderët perëndimorë nuk duhet ta detyrojnë Kinën të “zgjedhë një anë ose të adoptojë një qasje të thjeshtuar mik-armik. [Ata] duhet, në veçanti, t'i rezistojnë të menduarit si gjatë Luftës së Ftohtë dhe përballjes së bllokut.”

Në një intervistë video me Global Voices, Ron Keller, ish ambasadori holandez në Ukrainë, Kinë, Turqi dhe Rusi midis 2005 dhe 2017 tha: “Kina ka qenë e shqetësuar për zgjerimin e NATO-s dhe Amerikës sepse ka frikë nga presioni i ngjashëm në lidhje me Tajvanin, Tibetin dhe Detin e Kinës Jugore.”

Media shtetërore e Kinës ka fajësuar NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara për konfliktin. Zhao Lijian vuri në dukje [15] se Rusisë nuk iu la zgjidhje, sepse, “Si fajtori dhe nxitësi kryesor i krizës së Ukrainës, SHBA-të e kanë udhëhequr NATO-n të angazhohet në pesë raunde të zgjerimit drejt lindjes në dy dekadat e fundit pas 1999.” Gjatë Lojërave Olimpike dimërore në 2022, Rusia dhe Kina lëshuan një deklaratë të përbashkët, duke pohuar [16] se “palët kundërshtojnë zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s dhe i bëjnë thirrje Aleancës së Atlantikut të Veriut të braktisë qasjet e saj të ideologjizuara të Luftës së Ftohtë”.

Sanksionet kanë mbetur frika kryesore e Kinës. Ministria e Jashtme ka theksuar [15] se “nuk mbështesin zgjidhjen e problemeve përmes sanksioneve dhe [ata] janë kundër sanksioneve të njëanshme dhe juridiksionit afatgjatë që nuk kanë bazë në të drejtën ndërkombëtare”. Në vitin 2021, Bashkimi Evropian sanksionoi [17] ligjvënësit kinezë për abuzime në rajonin e Xinjiang-ut, duke ndalur një marrëveshje investimi shumëpalëshe dhe duke filluar një përplasje ekonomike. Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, ka përsëritur [18] në një bisedë me ministrin e Jashtëm spanjoll se “Kina nuk është palë në krizë dhe as nuk dëshiron që sanksionet të ndikojnë në Kinë”.

Keller përfundon: “Ekziston një shqetësim i vërtetë historik i aventurizmit të huaj brenda Kinës. Kini parasysh trashëgiminë e bombardimeve franceze dhe britanike të Shangait, pushtimin gjerman dhe italian të Pekinit, pushtimin rus të zonave të mëdha të Kinës Perëndimore, zgjerimin britanik në Himalaje dhe shumë më tepër.”

Presioni në rritje në mediat sociale 

Mediat sociale të Kinës, që janë nën mbikëqyrje të frikshme nga censuruesit, kanë diskutime të kufizuara për luftën në Ukrainë. Shumica e opinioneve në Weibo janë hequr. Një postim i tillë, “Askush nuk guxon të qëndrojë me Ukrainën tani, është e gjitha mbështetje e njëanshme për Rusinë”, u hoq brenda disa orësh [19]. Postimet pro-ruse janë hequr [19] në mënyrë të ngjashme, duke përfshirë një postim nga kanali shtetëror rus i lajmeve RT që falënderonte Kinën për mbështetjen e saj në luftën kundër Ukrainës.

Në prill, Digital Times zbuloi udhëzimet për rrjetet mediatike [19] nga Administrata e Hapësirës Kibernetike të Kinës (CAC), duke i urdhëruar “faqet komerciale të internetit, mediat lokale dhe të vetë-publikuara që të mos kryejnë transmetime të drejtpërdrejta ose të përdorin hashtagë për konfliktin në Ukrainë”. Douyin, Weibo, Bilibili dhe WeChat kanë hequr mijëra postime [19] në lidhje me pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Edhe pse ka pasur përpjekje për ta mbajtur plotësisht luftën jashtë internetit, censura nuk zbatohet në mënyrë të barabartë. Postimet zyrtare dhe të mediave sociale që i bëjnë jehonë narrativës ruse mbështeten dhe ripostohen [20] në masë të madhe nga kanalet zyrtare të qeverisë. Mediat kineze citojnë rregullisht raportet e Sputnik dhe RT, dhe kanë qenë plotësisht [19] në mbështetje të justifikimit rus për “operacionet speciale”, fajësonin ukrainasit për krime lufte dhe paralajmëronin Shtetet e Bashkuara.

Zërat kinezë nga Ukraina

Nga ana tjetër, zërat kinezë kanë vijuar nga brenda Ukrainës. Wang Jixian, i cili është përfshirë në raportimet e Global Voices [21] në të kaluarën, është një programues 37-vjeçar dhe ka punuar në Odesa që nga korriku 2021. Më 24 shkurt, Wang filloi të publikonte video [22] të shkurtra përmes WeChat dhe YouTube. Wang gjithashtu ka refuzuar të zhvendoset në Bjellorusi për shkak të bashkëpunimit të saj në konfliktin e armatosur dhe ka vazhduar të raportojë për dëmet e pushtimit rus.

Wang nuk është kursyer nga kritikat në Kinë. Komentuesit në internet kanë pohuar se ai punonte [22] për fuqitë e huaja si aktor me pagesë dhe disa kërkuan që ai të ekstradohej dhe të gjykohej në Kinë. Wang ka deklaruar se është sulmuar në të dy frontet, nga ushtarët rusë në njërën anë dhe propaganduesit kinezë nga ana tjetër. Ai shpesh i përfundon ditarët e tij me video me fjalët “Arritëm të kalojmë edhe një ditë tjetër (又活过了一天).”

Ndërsa situata zhvillohet dhe aleancat ndryshojnë, bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallosh kufirin midis retorikës së brendshme dhe ndërkombëtare të Kinës, nga strategjia e saj ushtarake dhe ekonomike, ose qëndrimet e saj morale dhe etike. Më 12 mars, Wang postoi një video [23] drejtuar kritikëve të medias kineze:

Kush je ti? Nga se frikësohesh? Pse ke kaq frikë se unë mund të flas? Unë nuk bëj asnjë kërcënim; Unë nuk mbroj vrasjen. Gjithçka që bëj është t'i bëj thirrje njerëzve që të respektojnë jetën dhe t'i japin fund kësaj lufte. Pse keni kaq frikë nga njerëzit që e dinë se çfarë po ndodh në të vërtetë? Ne nuk kemi armë bërthamore; ne nuk kemi asnjë armë. Pse dëshironi të dëgjohen vetëm zërat që mbrojnë vrasjen?


Foto: Giovana Fleck

Për më shumë informacion rreth kësaj teme, shihni mbulimin tonë special Rusia pushton Ukrainën [24].