Shoqata e gazetarëve: Femrat në media janë objektivi më i zakonshëm i sulmeve kundër shtypit në Maqedoninë e Veriut

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë – Konferenca për shtyp e SHGM në tetor 2021 paralajmëroi rritjen e numrit të incidenteve. Foto nga SHGM, e përdorur me leje.

Ky shkrim nga Meri Jordanovska fillimisht është publikuar nga Truthmeter.mk. Një version i redaktuar është ribotuar këtu me një marrëveshje për ndarjen e përmbajtjes midis Global Voices dhe Fondacionit Metamorphosis.

Në periudhën 2017-2021, në Regjistrin e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) janë shënuar 42 sulme ndaj gazetarëve dhe mediave. Forma më e zakonshme e kërcënimit për sigurinë e gazetarëve është ai verbal.

Nga 42 sulme ndaj gazetarëve, 25 kanë qenë kërcënime verbale, 14 fizike, dy kanë qenë ndaj organizatave mediatike dhe një sulm ka qenë në formë të burgosjes së gazetarit.

Këto të dhëna dalin nga publikimi i fundit i titulluar “Sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatikë 2017-2021: tendenca dhe rekomandime” në të cilin Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) mbulon disa nga shkeljet më të rënda të të drejtave të punonjësve mediatikë në vend.

Llojet e incidenteve kundër punonjësve të mediave në Maqedoninë e Veriut (2017-2022) sipas raportit të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë. Grafiku nga SHGM, i përdorur me leje.

Konkluzioni i parë që mund të nxirret nga publikimi është se numri i sulmeve ndaj femrave që ushtrojnë profesionin e gazetares është më i lartë se sulmet ndaj meshkujve që bëjnë të njëjtën punë, në dy vitet e fundit.

“Përdoret shpesh retorika seksiste, duke u dhënë këtyre sulmeve një veçori shtesë nga fakti se ato jo vetëm që i referohen punës së gazetarëve, por duken edhe të bazuara në gjini”.

Konkluzioni i dytë në kuadrin e sigurisë së gazetarëve është se frekuenca e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj punonjësve të medias rritet në situata të trazuara politike, veçanërisht gjatë zgjedhjeve. Sipas SHGM, etiketimet e shpeshta shpifëse të gazetarëve si armiq nga politikanët dhe zyrtarët publikë mund të nxisin më tej simpatizantët e partisë që të ndjekin shembullin dhe të vazhdojnë të kërcënojnë sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias në mënyrë të ngjashme.

Konkluzioni i tretë i nxjerrë nga analiza është se sulmet fizike ndaj gazetarëve janë ulur gjatë pandemisë, ndërsa kërcënimet online janë rritur ndjeshëm.

Trendi i katërt dhe sipas SHGM-së më i rëndësishmi, është mosndëshkimi i sulmeve ndaj gazetarëve, çështje që kërkon angazhim më serioz nga organet ligjzbatuese dhe ato gjyqësore:

„И покрај бројните домашни и меѓународни извештаи кои укажуваат на овој проблем, и покрај бројните конференции кои се користат за укажување на овој проблем, па и покрај бројните анализи и публикации на оваа тема, проблемот со неказнивоста продолжува да тлее и да биде посочуван како негативен пример во светски рамки.“

“Pavarësisht raporteve të shumta vendore dhe ndërkombëtare që flasin për këtë çështje si dhe konferencave të shumta, analizave dhe publikimeve, mosndëshkimi i sulmeve ndaj gazetarëve vazhdon dhe është vënë si shembull negativ në kontekstin global.”

Si janë sulmuar punonjësit e medias?

Në Regjistrin e SHGM-së në vitin 2017 janë regjistruar 16 sulme ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave. Prej tyre, gjashtë ishin sulme verbale ndaj gazetarëve, nëntë ishin fizike dhe një rast i shkatërrimit të pronës personale.

Në vitin 2017 ndodhi hyrja e paligjshme në Kuvend, e njohur ndryshe edhe si “E Enjtja e Përgjakshme”, ku u sulmuan 20 punonjës të medias dhe disa prej tyre kërkuan drejtësi në gjykatë. Gjykata Themelore Civile në Shkup i hodhi poshtë paditë e tyre. Sipas raportit të SHGM:

“Ndërkohë, të vetmit që kanë marrë drejtësinë për ngjarjet e 27 prillit janë politikanët. Sulmuesit e tyre tashmë janë persona të dënuar. Kjo flet shumë për standardet e dyfishta në trajtimin e rasteve të dhunës ndaj gazetarëve e ndaj politikanëve, si dhe për shkallën e jashtëzakonshme të mosndëshkimit të sulmeve ndaj gazetarëve”.

Në vitin 2018, SHGM ka regjistruar tri raste të sulmeve ndaj gazetarëve. Gazetari Armand Braho është sulmuar gjatë një konference të partisë Aleanca për Shqiptarët (ASH) në Strugë. Sipas tij, anëtarët e partisë e kanë ngacmuar, e kanë penguar të transmetojë drejtpërdrejt konferencën dhe pas ngjarjes është sulmuar fizikisht.

Rasti i dytë i sulmit ndaj gazetarëve u regjistrua në mars të vitit 2018, kur vëllai i një zyrtari të lartë të partisë politike në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kërcënoi me vdekje kryetarin e atëhershëm të SHGM-së, Naser Selmani. Dënimi i kërcënimeve nga bashkësia ndërkombëtare dhe një protestë para qeverisë bëri që Prokuroria Themelore Publike të hapte një hetim për rastin, por nuk arriti të ngrinte akuza.

Në rastin e tretë, policia ndaloi gazetarin e Infomax, Borislav Stoilkoviq, pasi dyshohet se kishte refuzuar të identifikohej duke filmuar dhe raportuar një protestë, megjithëse një rishikim i pamjeve zbuloi se ai mbante një kartën e gazetarit të varur në qafë.

Në vitin 2019 janë regjistruar edhe katër raste më të rënda të sulmeve ndaj gazetarëve, si dhe njëzet kërcënime dhe incidente të tjera të vogla. Sulmi më i rëndë ishte ndaj ekipit të TV 21 në Komunën e Haraçinës.

“Ky sulm përmbante elementë të privimit të paligjshëm të lirisë, për të cilat mediat publikuan regjistrime audio dhe video. Rasti nuk ishte raportuar zyrtarisht në Ministrinë e Brendshme, ku MPB-ja pretendonte se nuk ishte në gjendje të niste një procedurë. SHGM vazhdimisht ka deklaruar publikisht se për shkak të natyrës së veprës penale është e nevojshme që vetë prokuroria të ndërmarrë veprime sipas detyrës zyrtare dhe në fund rasti nuk u zgjidh, përkundër faktit se kryetari i Komunës së Haraçinës, Milikije Halimi, kërkoi falje publike për incidentin, gjë që vërtetoi se ka ndodhur realisht”.

SHGM në vitin 2020 ka regjistruar 12 kërcënime ndaj gazetarëve, një sulm fizik dhe një sulm ndaj mediave. Nga 14 sulmet e regjistruara ndaj gazetarëve në Maqedoninë e Veriut, në nëntë raste të sulmuara ishin gra që kryenin detyrën e gazetares.

Gazetaret janë një objektiv më i shpeshtë i sulmeve

Nga fillimi i vitit 2021, SHGM ka regjistruar gjithsej pesë sulme, katër verbale dhe një fizike. Ajo që është shqetësuese është se në vitin 2021 shumica e këtyre sulmeve (tre) kishin për qëllim gratë me detyrë gazetare.

Pasqyrë e sulmeve kundër gazetarëve dhe punonjësve të mediave në Maqedoninë e Veriut nga viti 2017 deri në vitin 2021 sipas gjinisë. Burimi: Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë – SHGM, Grafiku i përdorur me leje.

Kjo, sipas SHGM-së, është vazhdimësi e dukurisë negative të vërejtur në vitin 2020 – numri i sulmeve ndaj femrave në media është më i lartë se numri i sulmeve ndaj meshkujve.

“Është interesant fakti se në të tri sulmet verbale ndaj gazetareve në vitin 2021, kërcënimet vijnë nga personazhe politikë. Flet shumë për kulturën e ulët të komunikimit publik në marrëdhëniet e një mbajtësei të një posti publik dhe një gazetareje, por edhe flet për faktin se funksionarët publikë nxiten lehtësisht të bëjnë kërcënime ndaj grave gazetare në Maqedoninë e Veriut. Është e rëndësishme të theksohet se asnjë rast zyrtar nuk është ngritur nga Prokuroria Publike apo Ministria e Punëve të Brendshme, përkundër faktit se disa kërcënime janë raportuar në polici.”

Ky trend shqetësues, sipas SHGM-së, mund të çojë në të ashtuquajturin “efekt ftohës” ku gratë gazetare vetëcensurohen në raportim ose hetimin e mëtejshëm për një temë të caktuar, ose, në rastet më ekstreme, të tërhiqen plotësisht nga profesioni i gazetarisë. SHGM deklaroi:

“Një ndalim i tillë është nxitur edhe nga mosveprimi i institucioneve apo joefikasiteti në kryerjen e hetimeve dhe mbledhjes së provave. Ministria e Brendshme si mjet në duart e prokurorisë është i vetmi institucion me akses në mekanizmat për mbledhjen e provave në internet, ku është e nevojshme të lokalizohen sulmuesit me adresa IP. Megjithatë, duhet theksuar se vendimi përfundimtar nëse do të fillojë procedura penale kundër sulmuesve është në dorë të prokurorisë publike. Sulmet ndaj grave gazetare përmes platformave të ndryshme online duhet të ngrenë alarmin në institucione, sepse jeta në epokën dixhitale i ka bërë sulmuesit më të guximshëm, më të sigurt dhe më të ashpër në sulmet e tyre.”

Shpesh sulmet ndaj gazetarëve janë nga profile anonime në rrjetet sociale apo të ashtuquajturit “bot” që përdorin VPN (rrjetet virtuale private), kështu që ata mund të fshehin lehtësisht gjurmët e tyre online dhe vështirë se mund të lokalizohen edhe nga institucionet kompetente. SHGM vuri në dukje se, në praktikë, procedura për gjetjen e sulmuesve duke përdorur platformat e internetit është e vështirë dhe e ngadaltë. Për identifikimin e autorëve nevojitet një bashkëpunim më i mirë ndërinstitucional. Për të mbledhur informacion përtej kufijve, agjencitë vendase të zbatimit të ligjit duhet të përdorin instrumente të ndihmës juridike ndërkombëtare, e cila nuk është gjithmonë efektive, pasi vullneti për bashkëpunim mund të ndryshojë nga vendi në vend, veçanërisht kur janë përdorur mjete që mundësojnë komunikim anonim.

Ç'do të ndodhë?

Si rrugëdalje nga këto situata, SHGM rekomandon disa masa për mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve mediatikë. Fillimisht, Kuvendit i kërkohet të kalojë sa më shpejt ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, ku të zbatohen format e kualifikuara të veprave penale që prekin gazetarët. Në formulimin e këtyre ndryshimeve u konsultuan të dyja shoqatat e gazetarëve dhe sindikatat.

Po ashtu, SHGM kërkon që MPB-ja të rrisë efikasitetin e punës së Departamentit të Krimeve Kibernetike dhe Forenzikës Digjitale në mënyrë që të gjejë më lehtë autorët e sulmeve online ndaj gazetarëve dhe mediave. Ajo gjithashtu kërkon krijimin e njësive speciale në Prokurorinë Publike dhe në gjykata që do të trajnohen dhe specializohen për sigurinë e gazetarëve; përmirësimi i kulturës së komunikimit publik ndërmjet aktorëve politikë për të mos nxitur sulmet offline dhe online; dhe monitorimin dhe dokumentimin e gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve me bazë gjinore ndaj gazetarëve në hapësirën e internetit nga sektori i shoqërisë civile, ndër të tjera.

Gjithashtu, në raportin e fundit për progresin e Maqedonisë së Veriut, Komisioni Evropian rekomandon që të ketë zero tolerancë për frikësimin dhe sulmet ndaj gazetarëve.

“Vëmendje duhet t'i kushtohet të drejtave të punës së gazetarëve. Rekomandimi është që të vendoset një qasje e tolerancës zero ndaj frikësimit, kërcënimit dhe dhunës ndaj gazetarëve gjatë ushtrimit të profesionit të tyre dhe të sigurohet që autorët të ndëshkohen.”

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.