- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Aplikacionit “Tinder” i kërkohet të ndajë të dhënat e përdoruesve me autoritetet ruse

Kategoritë: Europa Lindore e Qendrore, Rusia, Censura, Media e qytetarëve, Teknologjia, RuNet Echo
[1]

Shërbimet ruse të sigurisë tani mund të kenë qasje në të dhënat e përdoruesve rusë në Tinder / Ithmus në Flickr, nën CC2.0

Më 31 mars 2019, agjencia ruse e censurës, Roskomnadzor (shkurt për Shërbimin Federal për Mbikëqyrjen e Komunikimeve, Teknologjisë së Informacionit dhe Masmedias) shtoi Match Group LLC, kompania mëmë e aplikacionit Tinder, në regjistrin e saj të “atyre që shpërndajnë informacion në internet”. Roskomsvoboda, një OJQ ruse për të drejtat dixhitale, dha lajmin të hënën, më 3 qershor:

Roskomnadzor shtoi Tinder në regjistrin e saj për të përgjuar përdoruesit në emër të FSB-së [Agjencisë vendore të inteligjencës ruse].

Në praktikë, kjo do të thotë që Tinder, si 174 faqe të tjera në regjistër, ku përfshihen shumica e shërbimeve të medias sociale ruse, por edhe aplikacionet për mesazhe, si Threema dhe Telegram, tani i kërkohet të ruajë të dhënat e përdoruesve për gjashtë muaj t'ua ofrojë autoriteteve ruse kur i kërkojnë. Të dhënat që duhet të ruhen dhe të ndahen, sipas një ligji të vitit 2014 [4], përfshijnë çdo gjë që ka të bëjë me “marrjen, transferimin, dërgimin dhe (ose) përpunimin e informacionit zanor, tekstit, fotografive, tingujve ose çdo mesazhi tjetër elektronik”. Ata duhet të zbatojnë edhe ligjet e tjera ruse, si ato që ndalojnë materialet e ashtuquajtura “ekstremiste” ose “ekspozimin e të miturve ndaj informacioneve të dëmshme”.

Vlen gjithashtu të theksohet se shtimi në regjistrin e Roskomnadzor kërkon së paku reagimin e shërbimit për këtë proces: sipas kërkesës së ministrisë, ata duhet të japin informacione relevante të kompanisë që do të shtohen në bazën e të dhënave, që do të thotë se Tinder iu përgjigj letrës së Roskomnadzor dhe ra dakord. Një përfaqësues i Tinder tha [5] për Kommersant, një gazetë ruse për biznesin, se edhe pse ata janë regjistruar në bazën shtetërore të të dhënave pas një kërkese zyrtare, nuk kishin ndërmend të ndanin të dhënat e përdoruesve të tyre me autoritetet ruse.

Lajm i mirë është se këto ligje nuk zbatohen, veçanërisht për shërbimet e mëdha ndërkombëtare. Refuzimi mund të rezultojë në një gjobë deri në 300 mijë rubla, ose pak më shumë se 4,500 dollarë – shumë që nuk është e mjaftueshme për falimentuar Tinder ose pronarin March Group. Është gjithashtu e pamundur që një faqe e njohur interneti si Tinder të bllokohet në Rusi pa patur një reagim të madh. Jo se ministria e censurës së Rusisë nuk do: herën e fundit që u përpoq të ndalonte një shërbim popullor, u përball me një dështim të madh dhe të turpshëm [6] që e ktheu Roskomnadzor në qesharake [7]. Shërbimi në fjalë, Telegram, është ende funksional.

Sigurisht, përdoruesit e rrjeteve sociale në Rusi, nuk mund të humbin një mundësi për tu tallur.

Roskomnadzor shtoi Tinder në regjistrin e shpërndarësve të informacionit dhe kërkoi që ai të bashkëpunonte me shërbimet speciale ruse. [fotoja thotë: Shoku Major ju pëlqen!]

Roskomnadzor i kërkoi Tinder të informojë FSB se kë pëlqen. Nuk është shaka! Më shumë detaje në brendësi: [Fotoja: Çfarë bukurie! Po e kaloj djathtas!

Megjithë refuzimin publik të Tinder për të ndarë të dhënat e përdoruesve, privatësia në aplikacionet e takimeve/njohjeve në Rusi tashmë është në rrezik. Sipas investigimeve të medias, një kompani në Moskë, e quajtur SocialDataHub, ka përdorur robotët për të mbledhur të dhënat e përdoruesve të aplikacionit.

Andrey Zakharov, një gazetar investigativ që punon për BBC-në në rusisht, thekson:

Për lajmin se Tinder tani do i kërkohet të ndajë të dhënat e saj me FSB. SocialDataHub (një kontraktues i dyshimtë për shërbimet e sigurisë) ka mësuar të mbledhë të dhënat e Tinder. Një robot viziton profilin tuaj, mëson vendndodhjen, e krahason atë me të dhënat e rrjeteve të tjera sociale dhe përpilon një portret të plotë dixhital.

SocialDataHub ofron shërbime për dy agjencitë qeveritare dhe për këdo që mund të jetë i interesuar në miliona profile të përdoruesve nga një duzinë faqesh të ndryshme të rrjeteve sociale. Ajo është vetëm një nga firmat e tilla në Rusi, aktivitetet e të cilave u investiguan në një artikull [14] nga Coda Story në 2018:

Një firmë e tillë është “Social Data Hub” në Moskë. Me krenari e rendit qeverinë ruse si kliente dhe mburret që ka një kopje të aktivitetit në çdo rrjet social rus gjatë shtatë viteve të fundit.

Por gjurmimi i tyre në internet gjithashtu përfshin të gjithë trafikun e krijuar nga përdoruesit rusë të aplikacioneve në SHBA dhe gjigantëve të tjerë ndërkombëtarë si Facebook, Instagram, Twitter dhe YouTube. Kompania gjithashtu mbikëqyr faqe si ajo e aplikacionit Tinder dhe shërbimin e akomodimit, Airbnb. Në praktikë kjo do të thotë, që për shembull, disa vizita në profilet e Tinder mund të jenë bërë nga robotët.

Nëse shërbimet ruse të sigurisë do të kenë qasje në mesazhet private të përdoruesve të Tinder në të ardhmen, kjo do të varet kryesisht nga gatishmëria e kompanisë për të dorëzuar këto të dhëna. Sidoqoftë, vlen të kihet parasysh se një nga shumë kompanitë private, ka nisur të merret me klikimet e përdoruesve, vizitat dhe vendndodhjen, që më pas ia shet ofertuesit më të lartë, e që ka gjasa të jenë shërbimet ruse të sigurisë.