- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Maqedonia e Veriut do të mbajë Paradën e parë të Krenarisë

Kategoritë: Europa Lindore e Qendrore, Bosnjë Herzegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Shqipëria, Media e qytetarëve, Të drejtat e LGBT, Të drejtat e njeriut
People with Macedonian flag and the Rainbow flags in front of government of Republic of North Macedonia [1]

Aktivistët protestojnë për të drejtat LGBTQ+ gjatë Marshimit të Tolerancës më 15 nëntor 2014 në Shkup, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut. Foto nga Coalition Margins, e përdorur me leje.

Komuniteti LGBTQ+ në Maqedoninë e Veriut [2] njoftoi se vendi do të mbajë Paradën e parë të Krenarisë më 29 qershor 2019, në kryeqytetin Shkup.

Maqedonia e Veriut do të mbajë paradën e parë gej muajin e ardhshëm: Aktiviteti do të jetë “një formë proteste për afirmimin, mbështetjen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut” të komunitetit të lezbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transgjinorëve (LGBT)

Maqedonia e Veriut i bashkohet vendeve të Ballkanit [8] që njoftuan kohët e fundit mbajtjen e një parade të tillë ose që sapo e kanë organizuar. Më herët këtë muaj, Bosnja dhe Hercegovina njoftoi se do të mbajë marshimin e saj të parë të krenarisë në shtator 2019, ndërsa Kosova e organizoi paradën e dytë në tetor 2018.

Marshimi në Maqedoninë e Veriut u njoftua nga Rrjeti Kombëtar për Luftën kundër Homofobisë dhe Transfobisë në një konferencë shtypi më 20 maj. Irena Cvetkoviç, një aktiviste e grupimit, tha:

Një periudhë shumë e vështirë është tejkaluar për komunitetin LGBT dhe ne konsiderojmë se tani është momenti për një Paradë Krenarie, sepse më të keqen e kaluam. Maqedonia e Veriut është vendi i fundit në rajon që organizon një Paradë Krenarie.

Cvetkoviç i referohej [9] periudhës 2006-2017, kur në pushtet ishte partia konservatore VMRO-DPMNE, kohë kur dhuna homofobike tolerohej dukshëm nga autoritetet [10].

Gjatë 11 vjetëve, Shkupi ishte dëshmitar i sulmeve të dhunshme [11] ndaj organizatave dhe personave LGBTQ+. Politikanët e krahut të djathtë dhe mediat pro-qeveritare ishin haptazi armiqësore [12] ndaj kësaj pjese të shoqërisë.

Në verën e vitit 2013, ai që do të ishte marshimi i parë i krenarisë në vend, u anulua pasi autoritetet thanë se nuk mund të garantonin sigurinë e pjesëmarrësve. Pak më herët, godinës së një qendre mbështetëse të LGBTQ+ iu vu zjarri [13]. Në vitin 2014, po e njëjta godinë u sulmua nga një turmë njerëzish që hidhte gurë dhe shishe qelqi [14]. Pati një hetim policor, por askush nuk u arrestua.

Një qeveri e re, një epokë e re për të drejtat e LGBTQ+

Qeveria e re pro-perëndimore e Maqedonisë së Veriut deri më tani ka treguar një qasje tjetër ndaj të drejtave LGBTQ+ në krahasim me kabinetin paraardhës.

Ish-kryeministri Nikola Gruevski vihej në siklet të paparë për të shmangur takimet me personalitetet e huaja, që e kanë deklaruar hapur homoseksualitetin e tyre: kur ministri i jashtëm gjerman Guido Westerwelle vizitoi zyrtarisht Shkupin në 2012, Gruevski foli vetëm në telefon [15].

Por kryeministri aktual Zoran Zaev, ndryshe nga paraardhësi, ka marrë pjesë në aktivitete publike [16] nga e njëjta qendër LGBT, që u sulmua pesë vjet më parë.

Në mars të vitit 2019, shumica parlamentare votoi për përfshirjen e orientimit seksual [17] si bazë për diskriminim në Ligjin Kundër Diskriminimit, në përputhje me rekomandimet e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Komisionit të Venecias [18].

Një aktivist tjetër i Rrjetit Kombëtar të Luftës kundër Homofobisë dhe Transfobisë, Antonio Mihajlov, deklaroi [19] gjatë konferencës për shtyp për paradën:

Parada do të jetë një formë proteste për afirmimin, mbështetjen dhe mbrojtjen e të drejtave të personave LGBTQ.

Ai shtoi se aktiviteti do të jetë i hapur për të gjithë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, besimin fetar, gjininë apo orientimin seksual.

Komuniteti LGBTQ+ në Ballkanin Perëndimor

Kur komuniteti LGBTQ+ në Bosnje dhe Herzegovinë njoftoi se do të mbajë paradën e parë të krenarisë më 8 shtator, pati reagime të miksuara [20] në rrjetet sociale dhe pothuajse asnjë nga zyrtarët qeveritarë.

Në të kaluarën, autoritetet në kryeqytetin Sarajevë kanë mohuar lejen [21] për marshime dhe protesta të ngjashme.

Sarajeva do të presë paradën e parë të krenarisë së homoseksualëve të Bosnjes dhe Herzegovinës më 8 shtator, njoftuan aktivistët LGBTQ në vend.

Novi Sadi, qyteti i dytë më i madh i Serbisë, organizoi paradën e parë të krenarisë më 17 maj 2019. Kjo ditë u caktua nga një numër organizatash LGBTQ+ në botë si Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Biphobisë (IDAHOT [24]).

Por aty pati raste të intolerancës. Drejtorja e Shoqatës LGBTI për të Drejtat e Barabarta për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë (ERA [25]) dhe partnerja e saj u kërcënuan me dhunë dhe u ofenduan me fjalë homofobike nga një grup djemsh, pas marshimit në Novi Sad.

 

View this post on Instagram

 

Dragana Todorovic, Executive Co-Director of #ERA, and her partner have been attacked today, following the first Pride Parade in Novi Sad. Dragana and her partner have been verbally attacked with homophobic hate speech and threatened with violence by a group of men. The incident has been reported to the police, and we will monitor the process. #NoviSadPride #novosadskiprajd [26]

A post shared by LGBTI Equal Rights Association [27] (@lgbtiera) on

Dragana Todoroviç, bashkëdrejtuese ekzekutive e #ERA dhe partnerja e saj janë sulmuar sot, pas paradës së parë të krenarisë në Novi Sad. Dragana dhe partnerja e saj janë sulmuar verbalisht me fjalë homofobike të urrejtjes dhe janë kërcënuar me dhunë nga një grup djemsh. Incidenti është raportuar në polici dhe ne do të monitorojmë procesin.

Paradat e Krenarisë [28] organizohen prej vitesh në Beograd, kryeqytetin e Serbisë. Që nga 2014-a, nuk ka patur incidente serioze, pasi marshimet janë mbikëqyrur nga forca të shumta policore [29]. Para vitit 2014, marshimet e krenarisë së homoseksualëve shoqëroheshin me akte dhune.

Ana Brnabiç, kryeministrja e parë homoseksuale e deklaruar në rajonin e Ballkanit dhe gruaja e parë serbe në këtë post, ishte mes pjesëmarrësve [30] në marshimet e 2017 dhe 2018.

Kryeministrja e parë homoseksuale e Serbisë, Ana Brnabiç, është në marshimin e krenarisë së homoseksualëve në Beograd. Policia ka rrethuar qendrën e qytetit

Në tetor të vitit 2018, Kosova organizoi paradën e dytë të krenarisë me praninë e shtuar të policisë [33], pasi një parti politike që mbështet vlerat islame, i kërkoi qeverisë që të ndalonte aktivitetin, që ajo e cilësonte një “paradë turpi”. Rreth 90 për qind e popullsisë së Kosovës është myslimane dhe ashtu si shumica e vendeve të Ballkanit, me shoqëri konservatore.

Megjithatë, marshimi vazhdoi sipas planit:

Ja se di duket atmosfera në Prishtinë, Kosovë

Mali i Zi njoftoi [37] më 17 maj se parada e shtatë e krenarisë do të zhvillohet më 21 shtator 2019. Megjithë përmirësimet e kushteve për personat LGBTQ+ gjatë viteve të fundit, diskriminimi dhe dhuna janë ende të pranishme, thanë organizatorët e marshimit.

Në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë, parada e krenarisë ndodhi më 18 maj. Manifesti i shpallur nga organizatorët, ndër të tjera, thekson:

Sot marshuam për personat LGBTI+ të cilët janë detyruar tu nënshtrohen normave të shoqërisë, për ato individë që sot jetojnë një jetë të dyfishtë [38]. Sot marshuam për të individët e guximshëm që i “zbrazën dollapet e tyre [39]” dhe jetojnë identitetin e tyre të vërtetë në një shoqëri si e jona. Marshuam për prindërit dhe familjarët, për tu treguar se një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë i mbështet ata në rrugën e gjatë të pranimit të fëmijëve të tyre. Marshuam për mijëra individë që në shërbimin SOS LGBT [40] marrin asistencën e nevojshme dhe të munguar nga institucionet.

Ky përdorues i Twitter-it në Tiranë përmblodhi kështu fundjavën që përkoi me organizimin e marshimit:

Së pari Parada e Tiranës, pastaj Madonna e ftuar në Eurovizion dhe një festë ‘drag queen’ më vonë. Kjo ditë nuk mund të ishte më ‘queer’ (fjalë që përshkruan një identitet seksual ose gjinor që nuk korrespondon me idetë standarde të seksualitetit dhe gjinisë, sidomos normave heteroseksuale).