17 maji shënon Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, e njohur edhe si IDAHO [1]. Kjo datë mori një rëndësi historike në Tajvan, pasi ligjvënësit votuan pro martesave të personave të së njëjtës gjini. Ky vendim e bëri ishullin, të parin në Azi që njeh barazinë martesore për të gjithë qytetarët atje.
Pritja tre-orëshe nën shiun e dendur
Për komunitetin LGBTQI+, 17 maji ishte një ditë vendimtare. I kënaqur me vendimin e vitit 2017 të Gjykatës Kushtetuese, që njeh të drejtën e martesës mes personave të së njëjtës gjini, por i zhgënjyer nga rezultati i referendumit të nëntorit 2018 që hodhi poshtë ndryshimin në Kodin Civil për martesa të barabarta, komuniteti LGBTQI+ u mblodh herët në mëngjesin e 17 majit përpara organit legjislativ në Taipei. Megjithë shiun e dendur, një turmë prej më shumë se 30 mijë [2] personash ndoqi procesin e votimit nga ligjvënësit, që po transmetohej drejtpërdrejt përmes ekraneve të mëdhenj.
Komuniteti përfaqësohej me gjithë diversitetin e tij. Një nga folësit ishte Jennifer Lu, përfaqësuese e Partisë Socialdemokrate [3] (SDP) dhe koordinatorja e Koalicionit për Barazinë e Martesave në Tajvan. Ajo theksoi se komuniteti kërkon të drejta të barabarta dhe se se nuk do të pranohej asgjë më pak se martesa.
I pranishëm në turmë ishte dhe Chi Chia Wei [4], i njohur për pranimin e homoseksualitetit në televizionin kombëtar në vitet '80 dhe një pioner i lëvizjes LGBTQI+. Duke valëvitur flamurin e tij të madh me ngjyrat e ylberit, ai priste me ankth rezultatet përfundimtare të votimit.
Teksa kundërshtimi kryesor ndaj martesave mes personave të së njëjtës gjini vjen nga grupe të caktuara të krishterësh [5], disa priftërinj dhe një pastore ishin të pranishëm në skenë për të shprehur mbështetjen e tyre për barazinë martesore, duke thënë se “Jezusi nuk bën dallim midis besimtarëve heteroseksualë dhe homoseksualëve”.
Anëtarë të komunitetit LGBTQI+ nga rajonet dhe vendet ku të drejtat e tyre nuk njihen ose janë të kufizuara u bashkuan në këtë aktivitet, pasi rrallë, për të mos thënë kurrë, u jepet mundësia të demonstrojnë në publik.
Emocionet u shtuan rreth orës 13:15 kur ligjvënësit votuan pro nenit 4 të projektligjit, i cili konsiderohet si thelbësor, sepse e përmban shprehjen “regjistrimi i martesës [6]“. Skenat e lotëve, përqafimeve dhe vallëzimit në shi pasuan votimin pro nga ligjvënësit.
Fundi i një beteje ligjore dyvjeçare
Çështja e martesave të personave të së njëjtës gjini u bë fokusi i politikës së Tajvanit në maj të vitit 2017, kur Gjykata Kushtetuese [7] deklaroi se nuk ka pengesa në Kushtetutë që ndalojnë çiftet e së njëjtës gjini të martohen. Gjithashtu legjislativit [8] iu vu në dispozicion afati kohor prej dy vjetësh, për të ndryshuar ligjet ekzistuese që do të mundësonin barazinë martesore, pa marrë parasysh gjininë e personave.
Në Tajvan, martesa përcaktohet nga Kodi Civil [9]. Pasi interpretimi i Gjykatës Kushtetuese, të njohur edhe me numrin 748, u prit me kundërshtime të forta nga grupe politike dhe fetare, autoritetet zhvilluan një referendum në nëntor 2018 për të pyetur nëse qytetarët e Tajvanit do të mbështesin ose jo reformën e Kodit Civil për të lejuar martesat mes personave të së njëjtës gjini. Referendumi, i cili përfshinte edhe çështje të tjera, hodhi poshtë çdo ndryshim në Kodin Civil me gati dy të tretat e votave [10].
Pas kësaj, autoritetet njoftuan më 21 shkurt 2019 se vendimi i tyre, bazuar në interpretimin e 748, gjithsesi kërkonte zbatimin jashtë Kodit Civil, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese del mbi rezultatin e referendumit. Ndaj u hartua një projekt-ligj, që i kërkonte organit ligjvënës të rishikojë vendimin brenda 24 majit. Partia kryesore e opozitës, Kuomintang [11], e cila ka dominuar jetën politike të Tajvanit për një periudhë të gjatë që prej vitit 1949, hartoi versionin e vet të projektligjit, që do të ofronte njohjen e partneritetit civil mes personave të së njëjtës gjini, por që nuk përfshinte martesën.
Çështja shpejt u kthye në një test për presidenten Tsai Ing-wen, e cila përfaqëson Partinë Progresive Demokratike [12] (DPP) që humbi zgjedhjet lokale të nëntorit 2018, kohë kur Tsai dha dorëheqjen nga drejtimi i DPP.
Kjo vjen si një fitore e dyfishtë: për DPP-në, e cila mbështeti hapur [13] projekt-ligjin dhe për komunitetin LGBTQI+ që tani feston. Me ligjin e ri, qindra çifte të së njëjtës gjini, po përgatiten të martohen në 24 maj në mbarë ishullin.
Në Taipei, mbi 150 çifte [14] tashmë janë regjistruar për të festuar atë që disa prej tyre e kanë pritur për dekada me radhë. Një banket tradicional dasme do të organizohet më 25 maj jashtë presidencës për të kremtuar këtë ndryshim historik në shoqërinë tajvaneze.