I sheh këto gjuhë këtu? Ne përkthejmë artikujt e Global Voices për ta bërë gazetarinë qytetare botërore të mundshme për këdo.

Politikani pop-star nga Uganda, Bobi Wine bën këngë për brutalitetin policor gjatë arrestit shtëpiak

Foto nga videoja në YouTube e këngës “Afande” të Bobi Wine.

Fundjava e Pashkës nuk ishte festë për anëtarin e parlamentit të Ugandës, muzikantin dhe aktivistin Robert Kagulani, i njohur si Bobi Wine.

Koncerti i tij vjetor për të Hënën e Pashkës në Busaabala, një plazh i bukur 12 kilometra nga kryeqyteti Kampala, paraprakisht u miratua nga policia, por u anulua dy ditë para se të ndodhte.

Policia vendosi një kordon aty ku do të zhvillohej koncerti dhe ndaluar hyrjen në lokale për të gjithë, përfshirë edhe pronarin Bobi Wine.

Në orët e para të së hënës së Pashkës, më 22 prill 2019, Bobi Wine u arrestua pasi u afrua për një konferencë shtypi të planifikuar ku do të fliste për arsyet se pse policia anuloi koncertin e tij.

Policia theu xhamin e dritares së makinës dhe përdori sprej me piper për ta nxjerrë jashtë automjetit kur Bobi Wine këmbëngulte se ai nuk kishte shkelur asnjë ligj.

Video më poshtë tregon policët që arrestojnë Bobi Wine. Ata gjithashtu shpërndanë turmat duke përdorur pompat e ujit dhe gazin lotsjellës:

Letra e lëshuar nga policia ku shpjegon se përse kanë anuluar koncertin, përmend se në të kaluarën Bobi Wine nuk ka ndjekur udhëzimet e policisë së Ugandës dhe se ata nuk mund të garantojnë sigurinë për pjesëmarrësit dhe banorët që jetojnë aty pranë.

Pjesë nga letra e policisë për anulimin e një aktiviteti e shpërndarë nga faqja e Facebook e Bobi Wine.

Bobi Wine ishte në arrest shtëpiak dhe gjatë kësaj kohe, ai kompozoi një këngë të re shumëgjuhëshe për brutalitetin e policisë.

Në studion e improvizuar në shtëpi, ai shkroi këngën që flet për nevojën e një trajtimi më të mirë nga policia, pasi sipas tij ai u trajtua brutalisht dhe padrejtësisht nga forcat e rendit. Kënga gjithashtu përmban një nga frazat e famshme të Bobi Wine, “Unë nuk po luftoj me ty, po luftoj për ty”.

Dy ditët e fundit, nën arrest shtëpiak, kam kompozuar një këngë që ia kushtoj tani burrave dhe grave me uniformë. U jemi mirënjohës për sakrificat që bëjnë për të mbajtur vendin tonë të sigurt dhe i lutemi t'i ndalojnë shkeljet e të drejtave të qytetarëve.

Më poshtë është videoja muzikore e këngës së rrymës Afro Beat “Afande”, një fjalë suahili për oficer. Video përfshin pamje nga disa skena brutale ku është përfshirë policia, së bashku me pamjet e regjistruara në shtëpinë e tij, ku ai u izolua. Videoja është parë 299,000 herë në katër ditë dhe është trendi numër 1 në YouTube në Ugandë:

Kënga hapet me këtë tekst në gjuhën angleze:

Pse të më rrahësh, nuk ka dallim mes meje dhe teje! / Pse më godet ende, unë nuk kam asnjë problem me ty? / Para se të bëheshe ushtar ose oficer i policisë, ti ishe një qytetar i zakonshëm / Para se të më lëndosh, dëgjo zërin tim.

Gjatë tre viteve të fundit, 124 koncerte ku ishte Bobi Wine janë anuluar dhe policia ka përmendur dështimin në përmbushjen e kushteve dhe në raste të tjera se nuk është marrë leje si arsye për anulim.

Vitin e kaluar, koncerti i Bobi Wine u anulua disa herë përpara se të ndryshonte vendin nga stadiumi Kombëtar i Namboolit me kapacitet prej 60,000 te “One Love Beach Busaabala”, që mban rreth 30,000 njerëz. Në koncertin e vitit 2018, Bobi Wine foli për politikën – një subjekt që policia gjithmonë i kërkon atij ta shmangë në koncertet e tij.

Përdoruesi i Twitter nga Uganda, Stotrixbaxx mendon se policia nuk kishte më arsyetimeve në përpjekjet për të anuluar koncertin e Bobi Wine:

Policia do që ne të besojmë që Bobi Wine, i cili ndoqi udhëzimet herën e kaluar gjatë koncertit të Kyarenga në Busabala, tani ka refuzuar të ndjekë të njëjtat udhëzime. Policia aktron shumë !!

Gazetari i NTV Uganda dhe aktivisti Joel Ssenyonyi pyet pse policia u dislokua me shumë forca për të ndalur koncertin e Bobi Wine, dhe nuk mund të përdorte të njëjtin numër për të garantuar sigurinë e koncertit.

Po shikoj numrin e lartë të forcave të policisë dhe ushtrisë në One Love Beach Busabala dhe pyes pse nuk i vendosën ata për të siguruar koncertin, duke patur parasysh se policia tha se e anuloi koncertin sepse Bobi Wine nuk kishte garantuar sigurinë adekuate për pjesëmarrësit!

Ligj i ri për kontrollin e shprehjes së artistëve

Një projektligj i ri në Ugandë synon të vendosë rregulla në aktivitetin e industrisë së muzikës, duke detyruar çdo artist të regjistrohet pranë autoriteteve dhe të kërkojë leje për aktivitete jashtë vendit.

Si politikan i opozitës, Bobi Wine ka përdorur rolin e tij si muzikant për të promovuar mesazhet e paqes, unitetit dhe transformimit, duke u përqendruar veçanërisht te taksat e padrejta të mediave sociale të prezantuara vitin e kaluar.

Ky projektligj nënkupton se qeveria mund të kontrollojë shfaqjet e Bobi Wine jashtë Ugandës, duke dëmtuar karrierën e tij muzikore dhe duke e zbehur ndikimin e tij shoqëror.

Watchdog Uganda përmblodhi atë që propozon projektligji, me disa nga pikat më poshtë:

  1. Çdo artist do të ketë nevojë për një licencë për të vepruar në Ugandë.
  2. Është i paligjshme argëtimi publik kur nuk keni licencë nga Ministria e Punës.
  3. Asnjë artist nuk do të performojë jashtë vendit nëse nuk ka leje nga ministria.
  4. Çdo artist që kryen aktivitet jashtë vendit pa leje, do të skualifikohet si artist për një vit.
  5. Do të ketë një bord të censurës për të filtruar përmbajtjen e argëtimit dhe për të siguruar disiplinë midis artistëve.

Në vitin 2013, projektligji për Menaxhimin e Rendit Publik u kthye në ligj dhe kjo i dha inspektorit të përgjithshëm të policisë (IGP) fuqinë për të vendosur mbi tubimet publike, demonstratat dhe aktivitetet.

Në shumicën e rasteve, policia përmend të njëjtin ligj për të ndaluar tubimet politike.

Opozita pretendon se IGP nuk i përgjigjet kërkesave të saj për të demonstruar paqësisht dhe kjo është arsyeja pse shumë demonstrata janë ndërprerë duke përdorur gaz lotsjellës, plumba dhe dhunë fizike nga ana e forcave të armatosura.

Disa liderë të opozitës, përfshirë Bobi Wine kanë përfunduar në burg për organizimin e demonstratave pa miratimin e IGP.

Cila është e ardhmja e Bobi Wine?

Më 29 prill, një javë pas nisjes së arrestit shtëpiak, Bobi Wine u përpoq të shkonte në departamentin e hetimeve penale për të paraqitur një deklaratë për koncertin e Pashkës, por policia e arrestoi sërish.

Policia e çoi Bobi Wine para gjykatës me akuzat e vjetra për organizimin e demonstratave të paligjshme kundër taksës së mediave sociale në 2018.

Që prej asaj kohe ai është dërguar në burgun e Luzira sepse policia nuk pranoi shumën për lirinë me kusht, pas disa protestave në Kampala kundër arrestimit të tij.

Më 2 maj 2019, ai u lirua me kusht pas një lidhje të drejtpërdrejt me video midis Bobi Wine që ishte në burg dhe trupit gjykues në Kampala.

Komento

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.