Ndalimi i perçeve në Sri Lanka dhe politika e tërheqjes së vëmendjes

Foto nga Henrik Dacquin nga Flickr(CC BY 2.0).

Ky artikull nga Shaahima Raashid fillimisht u publikua në Groundviews, një faqe interneti e nderuar me çmim për gazetarinë qytetare në Sri Lanka. Një version i redaktuar botohet më poshtë si pjesë e një marrëveshjeje me Global Voices.

Që nga e hëna e kaluar, Sri Lanka i është bashkuar 13 vendeve të tjera anembanë botës që kanë miratuar legjislacionin që ndalon “niqab-in” ose mbulimin e fytyrës.

Në mes zemëratës së disa parlamentarëve dhe pas një diskutimi me organin kryesor teologjik të vendit, All Ceylon Jammiatul Ulema (ACJU), zyra e Presidentit njoftoi se “çdo veshje që pengon identifikimin e fytyrës së një personi do të ndalohet”. Sri Lanka është në gjendje të jashtëzakonshme që pas sulmeve të së dielës së Pashkëve ku u vranë mbi 250 vetë. Ndalimi do të jetë në fuqi derisa të hiqet gjendja e jashtëzakonshme.

Që nga identifikimi i terroristëve pas masakrës, të gjithë meshkuj, si anëtarë të grupit militant ISIS, gratë myslimane – për disa arsye të pashpjegueshme – po vuajnë pasojat. Rastet e grave myslimane me shami në kokë, të cilave iu refuzuan hyrja në supermarkete dhe institucione, u pasuan nga një fushatë, me infografikë që ‘edukonin’ publikun për dallimet midis burkës, hixhabit dhe çadorit.

Një fitore e vërtetë për zërat anti-islamë dhe për shumë njerëz brenda bashkësisë myslimane që kërkojnë të shkëputen nga një formë e prapambetur e islamit, duke pretenduar se nuk përfaqëson identitetin e myslimanëve të Sri Lankës. Kjo është një pikëpamje që hedh poshtë nocionin se çdo identitet fetar apo etnik është fluid, në fluks, dhe që i nënshtrohet evolucionit të vazhdueshëm.

Fituesja kryesore nga ky ngërç, megjithatë, është elita aktuale politike, anëtarët e të cilës ndoshta po gëzohen, pasi me sa duket patën sukses në heqjen e frikës për terrorizmin e rrënjosur në vend. Kjo është një lëvizje plot hipokrizi, sepse ‘të tjerët’ janë një segment tashmë i margjinalizuar i një komuniteti pakicë, në një kohë krize kur qeveria bën thirrje për paqen dhe bashkëjetesën.

Ajo që është më fyese ndaj inteligjencës së shoqërisë sonë, është se mes të gjithë kësaj, disa kanë ngritur pikëpyetje ndaj rëndësisë aktuale të urdhrit të ndalimit, duke patur parasysh çështjet e sigurisë.

Asnjë raport i dëshmitarëve okularë apo pamjeve të CCTV nuk treguan se ndonjë prej sulmuesve vetëvrasës kishte veshur atë ditë niqab / burka / çador. Ata ishin në fakt kishin veshje normale e me fytyra të ekspozuara plotësisht. Gjithashtu duhet theksuar se ata nuk mbathnin veshje tradicionale burrash myslimanë.

Atëherë, si gratë myslimane, që mbulojnë fytyrën, kthehen në shenjën më identifikuese të radikalizmit?

Është e qartë se qeveria u detyrua ta miratonte ligjin, ashtu siç ACJU mbështeti këtë veprim. Ndërsa të gjitha komunitetet lëvdojnë punën e jashtëzakonshme të forcave të sigurisë në identifikimin e sulmuesve brenda disa orëve, qeveria e vendit ishte e dëshpëruar për një fitore pas asaj që shumë ekspertë thonë se ishte një dështim masiv i shërbimeve të inteligjencës, gabim në identifikimin e një të dyshuari si terrorist dhe paaftësi në trajtimin e ngjarjeve në përgjithësi. Duhej tërheqja e vëmendjes nga këto çështje, ndaj gratë myslimane që mbajnë niqab, duhet të “bëheshin shembull”.

Për një që nuk njeh simbolizmin fetar mysliman, perçja e fytyrës mund të duket një gjë e jashtëzakonshme, madje edhe e çuditshme. Ndërkohë që instinkti ynë i parë është që t'i quajmë këto gra ‘të ndryshme’, një grua me niqab në rrugë është si të tjerat.

Besimi i gabuar se perçja është një shenjë ekstremizi nuk bazohet në ndonjë kërkim shkencor. Nëse do të kryheshin studime, rezultatet do të tregonin se gratë myslimane në përgjithësi – e për më tepër ato që mbulojnë fytyrat e tyre – kanë pasur lidhje minimale, kur ka ndodhur, me aktet e terrorizmit të kryera në të gjitha vendet që i kanë ndaluar perçet.

Përkundrazi, ekziston një marrëdhënie e qartë midis sulmeve terroriste dhe rritjes së incidenteve islamofobike kundër myslimanëve, ndërsa gratë janë në shënjestër më shumë. Dikush mund të guxojë të arrijë në përfundimin se duke qenë dukshëm mysliman, mbart një rrezik më të madh për veten sesa për njerëzit rreth vetes.

Ndalimi i niqab-it erdhi si një masë sigurie, thonë ata – një tregim muskujsh ndaj çdo dukje radikalizimi që me sa duket do të pengojë çdo akt terrorist në të ardhmen në vend. Por përjetësimi i kësaj hegjemonie ideologjike nuk i bën gratë myslimane asnjë nder.

Në fakt, ndalimi është tërësisht kundërproduktiv, pasi shtrëngon një segment tashmë të margjinalizuar të një komuniteti pakicë – një pjesë e 10 për qindëshit që është popullsia muslimane e vendit.

Nëse, siç besohet, gratë myslimane të mbuluara persekutohen, ndalimi do të shërbejë vetëm për t'i kufizuar këto gra më tej në shtëpitë e tyre, nën kontrollin e njerëzve të akuzuar për kontrollin ndaj jetës së tyre dhe duke i shkëputur më tej nga aftësia për t'u asimiluar me pjesën tjetër të shoqërisë. Edhe më shqetësues është fakti se ka studime që lidhin jetesën në mjedise agresive në bazë të besimit me radikalizm.

Absurditeti i mospërputhjes mes sulmeve dhe ndalimit të niqabit, në vetvete duhet të jetë një thirrje për feministët laikë që mbrojnë të drejtën themelore të një shoqërie liberale. Ku janë, në këtë moment, përkrahësit dhe ambasadorët e zhytur plotësisht në ‘kompleksin shpëtimtar të gruas myslimane?’ Një pjesë e grave myslimane është ndaluar të mbajë atë që ato ndjejnë se më së miri përfaqëson identitetin e tyre mysliman në Sri Lanka. Ato nuk u konsultuan përpara se ky ligj të miratohej dhe as nuk iu dha mundësia për të treguar gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar në rastet kur kërkohej identifikimi.

Diskutimet rreth grave të mbuluara myslimane i përshtaten komoditetit të kohës. Në kohë paqeje, gratë e tilla janë të shtypura dhe të nënshtruara ndaj tekave dhe imagjinatave patriarkale, ndërsa menjëherë pas një sulmi terrorist ato janë armiqësore dhe kërcënuese, të afta për të krijuar të gjitha llojet e së keqes. Ato janë ose viktima të dhunës, ose autorët e saj.

Ky preokupim i kohshëm ndaj veshjes së grave muslimane është në të vërtetë një përzierje e konservatorizmit me ekstremizmin. Duke pretenduar se një copë pëlhure është përgjigjja për të luftuar një kërcënim të rëndë botëror, po trivializon çështjet më të mëdha para syve tanë. Nëse do të kishte një lidhje të drejtpërdrejtë midis sulmeve dhe individëve të mbuluar, ligjii që ndalonte mbulimin e fytyrës në publik do të ishte tërësisht i justifikuar. Por nuk ka asnjë.

Gratë myslimane nuk duhet të fajësohen për dështimin e qeverisë. Duke mos qenë në gjendje t'i përgjigjen pyetjeve të vështira të llogaridhënies, dështimit të tyre për të vepruar me informacionet e shërbimeve sekrete dhe mungesën e qeverisjes së mirë në përgjithësi, ata që janë në pushtet duhet të distancohen dhe të konsiderojnë mbulimin e fytyrave të tyre.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.