A do t'i mbyllë Kirgistani minierat e uraniumit?

Tubim kundër minierave të uraniumit në Bishkek të Kirgistanit. Një pankartë rusisht shkruan: “Ne kërkojmë një ligj për të ndaluar minierat dhe përpunimin e uraniumit në vendin tonë.” Foto nga Aisha Jabbarova.

Si qytetarë të një shteti ish sovjetik që ende jeton me pasojat e programit agresiv bërthamor të Moskës, shumë kirgizë kërkojnë mbylljen e minierave të uraniumit.

Nuk është për t'u habitur atëherë, që hapja e pritshme e një miniere të re në provincën që rrethon liqenin e njohur Issyk-Kul në vendin e Azisë Qendrore, solli zemëratën e publikut.

Më 26 prill, në përvjetorin e katastrofës së Çernobilit, rreth 200 njerëz dolën në një protestë në kryeqytetin e vendit Bishkek për të kërkuar mbylljen e minierave të uraniumit.

Një tubim kundër minierave të uraniumit në Bishkek të Kirgistanit. Foto nga Aisha Jabbarova.

Demonstrata erdhi pas muajsh zemërate publike mbi shfrytëzimin e planifikuar të fushës së uraniumit Kara Balta në provincën Issyk-Kul, një qendër kryesore turizmi. Një tjetër protestë është planifikuar për më 30 prill.

Rreth 30,000 vetë nënshkruan një peticion për të ndaluar hapjen e minave në Issyk-Kul, ku disa protesta u zhvilluan më herët këtë muaj.

Qeveria ka thënë se i ka hequr licencën kompanisë “EurAsia në Kirgistan” që planifikonte hapjen e minierës.

Sidoqoftë, ka ende konfuzion nëse ky është një vendim përfundimtar.

Më 25 prill, në një takim me banorët e Issyk Kul, zëvendëskryeministri Kubatbek Boronov tha se licenca ishte “e revokuar”.

Boronov gjithashtu i kërkoi banorëve të mos protestojnë pas nisjes së sezonit turistik më 29 prill.

Por 24.kg, një media e pavarur, njoftoi më 29 prill se mori një kopje të një vendimi të qeverisë ku njoftohej kompania se licensa ishte pezulluar dhe jo hequr.

Ky dokument u firmos më 27 prill, dy ditë pasi Boronov foli me banorët.

Zemërimi publik mbi planet për hapjen e minierave e ka zënë ngushtë qeverinë saqë tashmë është e vështirë të imagjinohet se projekti EurAsia të vijojë.

Në përgjigje të protestave, deputetët e pavarur në parlament propozuan dy ligje për kufizimin e minierave të uraniumit në vend.

Ligji më i ashpër bën thirrje për ndalimin mbarëkombëtar deri në vitin 2070, ndërsa tjetri bën thirrje për një ndalim 20-vjeçar brenda rajonit Issyk-Kul.

Të dyja këto masa janë larg kërkesave të protestuesve në Bishkek, të cilët kërkojnë një ndalim kombëtar të pakthyeshëm dhe një hetim mbi përgjegjësinë për lëshimin e licencës për kompaninë.

Një trashëgimi e ngatërruar

Si një republikë sovjetike, Kirgistani prodhonte dhe përpunonte uraniumin për kërkesat bërthamore të Moskës.

Por zonat e minierave nuk janë rikonstruktuar siç duhet pas mbylljes në mes të viteve '90. Kjo do të thotë se ato përbëjnë një kërcënim radioaktiv për lumenjtë ndërkufitarë në Azinë Qendrore me aktivitet të lartë sizmik, si  dhe për shëndetin e popullsisë.

Një tubim kundër minierave të uraniumit në Bishkek të Kirgistanit. Foto nga Aisha Jabbarova.

Në vitin 2017, presidenti i atëhershëm i Kirgistanit, Atambayev, iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork për rreziqet e mbetjeve të uraniumit në Kirgistan për Azinë Qendrore në tërësi dhe bëri thirrje për ndihmë financiare në pastrimin e ish zonave minerare.

Tani në opozitë, partia e Atambayev mbështet thirrjet për një mbylljen e minierave të uraniumit.

Por kompania EurAsia në Kirgistan, e mbajti licencën e saj të eksplorimit që e mori në 2010 gjatë gjithë presidencës gjashtëvjeçare të Atambayev.

Kompania vetë ka thënë se është e angazhuar për miniera të sigurta dhe ka refuzuar të komentojë mbi çështjen e licencës.

Të ardhurat për shtetin kundrejt ekologjisë për njerëzit?

Minierat e uraniumit nuk janë të vetmet që kanë shkaktuar zemërim. Minierat e arit janë po aq të diskutueshme dhe shumë më tepër të nevojshme për ekonominë e dobët të Kirgistanit.

Miniera e arit Kumtor – gjithashtu në rajonin Issyk-Kul – kontribuon deri në 10 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto.

Por miniera që drejtohet nga kompania me qendër në Toronto, Centerra Gold ka qenë një burim fërkimesh shoqërore dhe politike që nga viti 1998, kur një nga kamionët e saj derdhi cianid në një lumë gjatë vitit të parë të plotë të operimit të Kumtor.

Një tubim kundër minierave të uraniumit në Bishkek të Kirgistanit. Foto nga Aisha Jabbarova.

Politikanët, veçanërisht ata në opozitë, kanë qenë të shpejtë për të përfituar për qëllimet e tyre nga zemërata mbi minierat. Kompanitë minerare gjithashtu kanë akuzuar udhëheqësit e komunitetit lokal se u kanë bërë shantazh monetar në të kaluarën.

Gjatë protestës së 26 prillit, demonstruesit ishin të prirur të parandalonin përfshirjen e politikës në mesazhet për mjedisin.

Një protestues madje ndaloi një nga figurat kryesore opozitare, Ravshan Jeenbekov që t'i drejtohet turmës.

Jeenbekov më vonë e quajti atë një “provokator”, duke pranuar se në takim kishte njerëz që “nuk donin të lejonin një politikan të famshëm të fliste”.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.