- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Benini ndërpreu internetin në ditën e zgjedhjeve

Kategoritë: Afrika Sub-Sahariane, Benini, Aktivizmi dixhital, Censura, Liria e fjalës, Media e qytetarëve, Protesta, Zgjedhjet, GV Advocacy

Foto nga Andrew Huff. [Creative Commons (CC BY-NC 2.0)/ Flickr, 20 janar 2007]

Kur u zgjuan më 28 prill, të gatshëm për të votuar për zgjedhjet parlamentare të Beninit, votuesit nuk mund të komunikonin me njëri-tjetrin në WhatsApp ose në Facebook, ose për të kërkuar informacion se ku duhet të votonin.

Këto dhe disa platforma të tjera të mëdha të internetit, duke përfshirë Twitter, Instagram, Telegram dhe Viber, u bllokuan në orët e para të ditës. Deri në orën 11:00, 99.5 për qind e lidhjeve në internet [1] në këtë vend të Afrikës Perëndimore u çaktivizuan dhe kjo zgjati deri në mbrëmje.

Grupet e të drejtave të njeriut dhe monitoruesit e zgjedhjeve u tronditën, por nuk u shokuan nga ndërprerja, e cila duket se është orkestruar nga qeveria aktuale.

Ligjet e reja zgjedhore të propozuara nga administrata aktuale e presidentit Patrice Talon kanë ri-orientuar politikën [2] në Benin, që deri këtë vit kishte shumë parti politike që konkurronin me njëra-tjetrën. Por, sipas politikave të reja që ngrenë pragun për pjesëmarrjen e partive në zgjedhje, vetëm dy arritën të mblidhnin kandidatët për zgjedhjet parlamentare. Të dy partitë janë të lidhura ngushtë me presidentin.

Para zgjedhjeve, një seri protestash publike– që u organizuan përkundër ndalimit të demonstratave në rrugë– u shpërndanë nga policia, që përdori gaz lotsjellës dhe shkopinj gome. Amnesty International raportoi [3] se udhëheqësit e partive të ndryshme të opozitës u arrestuan gjatë demonstratave.

Aktivistët e internetit në Fondacionin Mediatik për Afrikën Perëndimore [4], Internetin pa Kufi [5], CIPESA [6], Access Now [7], Global Voices (Afrika Sub-Sahariane) dhe grupe të tjera dënuan ndërprerjen e internetit në një deklaratë të përbashkët [7]:

Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, interpretuesi zyrtar i Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, thekson në Komentin e Përgjithshëm nr. 34 [8] se kufizimet në internet duhet të jenë rreptësisht të nevojshme dhe proporcionale për të arritur një qëllim legjitim. [7] Mbylljet, në të kundërt, ndikojnë në mënyrë disproporcionale te të gjithë përdoruesit dhe kufizojnë në mënyrë të panevojshme aksesin në informacionet dhe komunikimet e shërbimeve emergjente gjatë momenteve vendimtare. Bllokimet nuk janë as të nevojshme e as efektive për arritjen e një qëllimi legjitim, pasi shpesh sjellin konfuzion dhe nxisin më shumë njerëz për t'u bashkuar me demonstratat publike.

Ne me respekt ju kërkojmë:

  • Siguroni rikthimin e mediave sociale
  • Bëni publik qëndrimin mbi angazhimin tuaj për të mosndërprerjen e internetit dhe për të njoftuar publikun për ndonjë ndërprerje
  • Nxisni ofruesit e shërbimeve të telekomunikacionit dhe internetit që të respektojnë të drejtat e njeriut përmes dhënies së informacioneve publike për politikat dhe praktikat që ndikojnë përdoruesit.

Duke folur me Internet pa Kufi, shkrimtarja dhe aktivistja nga Benini, Mylène Flicka nga Irawo theksoi:

Mbyllja e internetit në ditën e zgjedhjeve vetëm shton dyshimin për një proces zgjedhor tashmë të manipuluar. Benini po performon shumë keq në aspektin e demokracisë.

Të gjitha lidhjet në internet rinisën mëngjesin e 29 prillit, kur votimi kishte përfunduar.