- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Videoja promovuese e Leica, e cila i referohet masakrës së sheshit Tiananmen, bëhet virale në mediat sociale kineze. Më pas u zhduk!

Kategoritë: Azia Lindore, Kina, Aktivizmi dixhital, Censura, Ekonomi e Biznes, Fotografia, Historia, Liria e fjalës, Media e qytetarëve, Teknologjia
[1]

Njeriu i tankut më 4 Qershor reflektohet në lenten e kameras. Foto nga YouTube, Leica: – Hunt

Një video e re që promovon kompaninë gjermane Leica ka shkaktuar kaos në internetin kinez, duke rezultuar në ndalimin e videos dhe.

Prodhuar [2] nga agjencia e reklamave Leica F / Nazca Saatchi & Saatchi, video pesë minutëshe u publikua në Brazil më 16 prill për të festuar 100 vjetorin e markës.

Videoja, e titulluar “The Hunt”, përmban një kolazh fotografësh që dokumentojnë dhunën dhe vështirësitë në pjesë të ndryshme të botës. Ajo mbyllet me pamjen brenda një hoteli në Pekin në vitin 1989, ku një fotograf është ngacmuar nga oficerët ushtarakë kinezë, por pastaj u la i qetë. Të shtëna armësh dëgjohen në sfond, ndërsa fotografi shkon te dritarja dhe ngre kamerën e tij. Të reflektuar në lente, shohim imazhin famëkeq të tankeve ushtarake që lëvizin nëpër Sheshin Tiananmen drejt një protestuesi që qëndron para tyre.

Njohësit e historisë e kuptojnë referencën për fotografinë famëkeqe “Tank Man [3]“, të shkrepur fillimisht nga Jeff Widener në Sheshin Tiananmen më 4 qershor 1989. Atë ditë, ushtria kineze po kryente një goditje brutale mbi demonstratat e udhëhequra nga studentët [4] për reforma demokratike. Në atë kohë, Kryqi i Kuq Kinez tha se 2,700 civilë u vranë, por vlerësimet më të fundit [5] nga agjencitë qeveritare të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe e çojnë numrin në mbi 10,000.

Studiuesit në Universitetin e Hong Kongut kanë treguar se masakra e sheshit Tiananmen, shpesh e përmendur thjesht si “4 qershori”, është tema më e censuruar në internetin kinez [6].

Duke reaguar ndaj videos, disa përdorues të mediave sociale thanë se ishte “fyerje ndaj Kinës”, ndërsa të tjerët filluan të vënë në dyshim partneritetin e biznesit mes Leica dhe Huawei, prodhuesit më të madh të telefonëve celularë të Kinës dhe zhvilluesit të rrjetit 5G. Huawei ka promovuar lentet Leica në disa nga telefonët e saj.

Megjithëse videoja nuk ishte për audiencën kineze, ajo qarkulloi me shpejtësi në mediat sociale kineze dhe u bë virale gjatë natës.

Censuruesit kinezë reaguan shpejt dhe nxorrën udhëzimet e mëposhtme, të cilat u zbuluan më 18 prill (nëpërmjet China Digital Times [7]):

Sa më shpejt që të jetë e mundur, të gjitha faqet e internetit të videove të gjejnë dhe fshijnë videot dhe fotografitë nga reklama e Leica. (18 prill 2019)

Për disa ditë, përdoruesve u ndalohej të shkruanin fjalët “Leica” dhe “徕卡” në gjuhën kineze në Weibo.

Përdoruesi i Twitter @woilgoo postoi një fotografi të njoftimit të censurës që përdoruesit morën kur u përpoqën të postonin këto fjalë në Weibo. Njoftimi përmend “shkelje të ligjeve dhe rregulloreve ose Konventës së Komunitetit Weibo”.

Fjalët kyçe janë bllokuar nga Weibo

Sidoqoftë, bisedat rreth videos vazhdojnë në Weibo. Përdoruesit që janë aktivë në platformat kontinentale kineze dhe Twitter kanë dokumentuar disa nga bisedat e bllokuara në Kinë, por ende të aksesueshme nëpërmjet VPN.

Përdoruesja e Twitter @cheriechancy solli një grup komentesh te llogaria zyrtare e Leica-s në Weibo:

Megjithëse videoja nuk mund të gjendet në llogarinë e Leica në Weibo, përdoruesit e medias sociale kineze arritën të komentojnë te një postim i mëhershëm, duke iu referuar reklamës së diskutueshme dhe duke shprehur vlerësimin dhe habinë që llogaria funksionon ende.

Pas angazhimit të makinerisë së censurës, incidenti u zbeh dhe të gjitha gjurmët e videos u hoqën nga platformat kryesore të mediave sociale kineze.

Tani, mund të publikohen komente për Leica, për sa kohë që fjalët nuk kanë lidhje me përmbajtje të tjera të ndjeshme.

Jashtë Kinës, video vazhdon të qarkullojë. Në Facebook, shumë përdorues kinezë jashtë Kinës ndanë videon për të përkujtuar 30 vjetorin e masakrës së 4 qershorit. Në YouTube, shumica e reagimeve [1] kanë qenë shumë pozitive:

Good job Leica. Salute to all the brave journalists in the world!
You earned my respect Leica, dare to tell the truth…but may god bless your business at mainland China…
a great video, why people of china dislike it who knows… Maybe they cant face the truth of about there [sic] government …

Shumë mirë Leica. Përshëndetje për të gjithë gazetarët trima në botë! Ju keni fituar respektin tim Leica, guxoni të thoni të vërtetën … Zoti e bekoftë biznesin tuaj në Kinën kontinentale …një video e mrekullueshme, përse njerëzit në Kinë nuk e pëlqejnë atë … Ndoshta ata nuk mund të përballen me të vërtetën rreth qeverisë.