Në malet e Azerbajxhanit verior, futbolli është bërë objektiv i vajzave

Skuadra e Shakit. Foto nga Chai-Khana.org.

Më poshtë është një shkrim nga Chai-Khana.org që ribotohet nga Global Voices në bazë të një marrëveshjeje partneriteti. Teksti dhe videoja nga Ayten Najaf dhe Nurlan Babazade.

Me 56 gola në 2017-ën, 15-vjeçarja Nahida është një kampione në ligën vendore të futbollit të vajzave. Ajo dhe shoqet e saj nga ekipi Gynlik (“Rinia”) vijnë nga Shaki, një qytet i lashtë dhe i varfër në malet e Azerbajxhanit verior.

Shaki është një vend konservator ku futbolli shihet si një sport për meshkuj. Megjithatë, Nahida dhe futbollistet e tjera po sfidojnë stereotipin.

Historia e këtyre vajzave nga Shaki nuk e vetmja; entuziazmi i tyre pasqyron një interes në rritje për futbollin e femrave në të gjithë Azerbajxhanin. Sot, sipas Federatës së Futbollit të Azerbajxhanit, në vend janë 52 klube të futbollit të vajzave nën 16 vjeç, 36 prej të cilëve janë krijuar në qytete provinciale si Shaki.

Trajneri Mammad Dashadov ka luajtur një rol të rëndësishëm në suksesin e ekipit të Shakit dhe ka ndihmuar këto vajza të kuptojnë se fusha e blertë është e hapur edhe për to.

“Duke patur femra lojtare dhe Shakin që është një vend i veçantë, futbolli i femrave shihej si diçka e çuditshme. Kur themeluam ekipin e futbollit, kishte konfuzion; “Çfarë është futbolli i femrave?” Dukej e çuditshme për vendasit”, thotë Dashadov, i cili trajnon tre skuadra të futbollit të femrave.

Ndërsa ideja e futbollit të femrave dukej e çuditshme për prindërit në Shaki, Mammadi ishte i pari që dha një shembull. Ai formoi ekipin e parë të futbollit të femrave në qytet me dy vajzat e tij, dy vajzat e vëllait dhe dy vajzat e kunatit.

“I mblodha dhe formuan një ekip për t'u treguar njerëzve. Më vonë, disa prindër më kërkuan të fus vajzat e tyre në ekip. Pra, ishte e vështirë në fillim, por më vonë u bë më e lehtë”, tregon Mammedin.

Pak kohë më vonë Mammadi shkoi në jetimoren e Shakit dhe ftoi vajzat aty t'i bashkoheshin ekipit. Kështu e zbuloi Nahidan dhe 13 vajzat e tjera të apasionuara pas futbollit në ekipin UGIM të Shakit.

“Ishte ëndrra ime e fëmijërisë që të bëhesha futbolliste. Kur mësuesi Mammad erdhi për të marrë vajzat në stërvitje, shkova me to. Unë isha një fëmijë dhe thjesht vrapja pas topit midis vajzave më të mëdha”, kujton Nahida duke buzëqeshur.

Nahida u vu re më vonë nga Shoqata e Futbollit të Azerbajxhanit dhe filloi të luante në ekipin kombëtar të vajzave nën-17 vjeç.

Teksa është e fokusuar te edukimi i saj dhe rregullisht stërvitet për të përmirësuar aftësitë futbollistike, ajo ëndërron të takojë disa nga futbollistët më të njohur në botë, veçanërisht Kristiano Ronaldon.

Mësoni më shumë për ëndrrat e futbollit të Nahidës duke parë këtë video.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.