- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Rastet e abuzimit dhe ngacmimit seksual shkaktojnë protesta studentore në Turqi

Kategoritë: Turqia, Arsimi, Gratë e çështjet gjinore, Media e qytetarëve, Protesta, Shëndeti, Të drejtat e njeriut, Të rinjtë

Protestat në Universitetin e Ankarasë më 8 prill. Foto nga Kolektivi Universitar i Grave. Përdorur me leje.

Më herët këtë muaj, një 23-vjeçare pretendoi se ajo ishte rrahur dhe përdhunuar [1] nga një profesor 54-vjeçar i Universitetit të Ankarasë, teksa ajo ishte duke punuar si veterinere në një klinikë private [2], ku profesori ishte bashkëpronar.

Në dëshminë e saj, vajza e re, emrin e së cilës mediat lokale nuk e dhanë por e identifikuan me inicialet C. B., pohoi [3] se profesori Hasan Bilgili i ofroi të hanin darkë dhe më pas të pinin.

Më pas ajo shpjegoi se çfarë ndodhi kur refuzoi ofertën:

Ai më puthi me forcë. Ai më përplasi kokën tre-katër herë në dysheme. Humba ndjenjat. Kur i hapa sytë, ora shënonte 1:30 e mëngjesit.

“Mos u anko”

Personi i parë që vajza pa kur u zgjua ishte partneri i biznesit i Bilgilit, një kirurg veterinar i quajtur Serkan Durmaz.

Ai i tha asaj:

Diçka ka ndodhur mes teje dhe atij. Mos u anko. Këto gjëra do të sjellin telashe.

Gjinekologu Huseyin Senyurt, te i cili u dërgua nga Bilgili dhe Durmaz, kishte një mesazh të ngjashëm:

Edhe nëse ankohesh, asgjë nuk do të ndodhë. Vetëm merr këtë ilaç.

Hasan Bilgili u arrestua [4] pasi C.B e paditi.

Duke qëndruar në bankën e të akuzuarve në një seancë dëgjimore, ai i quajti deklaratat një komplot kundër tij dhe përmendi statusin si një njeri i martuar.

Universiteti i Ankarasë lëshoi një deklaratë nëpërmjet Twitter:

Lajmi për sulmin seksual në një klinikë private jashtë universitetit u paraqit dhe nisën hetimet ndaj sulmuesit të dyshuar. Personi i lartpërmendur është pezulluar.

Nuk është hera e parë

Hasan Bilgili ishte akuzuar edhe më parë për keqtrajtimin e grave.

Sipas gazetës Hürriyet, si Hasan Bilgili dhe vëllai i tij Ali Bilgili, një profesor i farmaceutikës në të njëjtin universitet, u akuzuan se kishin ngacmuar studentet në vitin 2007 dhe u përballën me drejtësinë.

Gjykatësi urdhëroi që Ali Bilgili të pezullohej nga puna universitare si rezultat i akuzave, ndërsa Hasan Bilgilit iu reduktua paga. Të dy gjithsesi u kthyen në pozicionet e tyre.

Artikulli i gazetës Hurriyet mbi akuzat ndaj vëllezërve Bilgili në vitin 2007.

Në vitin 2016, Hasan Bilgili ishte subjekt i akuzave të mëtejshme për sulm seksual [6], këtë nga një studente vizitore që studionte në departamentin e tij veterinar.

Protesta e studentëve: Nuk do të heshtim

Një ditë pasi rasti i përdhunimit u bë viral në Twitter, studentët e Universitetit të Ankarasë filluan [7] një protestë ndaj mosveprimit të autoriteteve mbi ankesat e mëparshme të ngacmimeve seksuale.

Gjatë protestës, studentët thërrisnin “ne nuk duam një mësues përdhunues”.

Protestat patën jehonë në mediat sociale.

Studentët thanë: “Qëndrimi në heshtje do të thotë të jesh pjesë e krimit”.

Pasi profesori në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare të Universitetit të Ankarasë, Dr. Hasan Bilgili, përdhunoi B.Ç, që punonte në klinikën e tij veterinare, studentët organizuan një protestë dhe lëshuan një deklaratë për shtyp.

Barazia gjinore u anashkalua

Tema e dhunës seksuale është temë delikate në Turqi që kur Këshilli i Arsimit të Lartë (YÖK) në mënyrë kotroversiale u tërhoq [12] në shkurt nga ‘Certifikata e Barazisë Gjinore’, një dokument që e detyron atë për zbatimin e parimeve të barazisë gjinore.

Presidenti i rregullatorit të arsimit të lartë tha se arsyeja e tërheqjes ishin disa aspekte të dokumentit që i cilësoi si “të papërshtatshme për vlerat tona”.

Kolektivi Universitar i Grave [13], një grup i themeluar në vitin 2007 nga studentet e universiteteve, tha për Global Voices se kampuset universitare turke po bëhen gjithnjë e më shumë vende frike për shumë gra.

“Studentet në fakultete paralajmërojnë njëra-tjetrën që të mos hynë vetëm në dhomat e mësuesve”, tha një zëdhënëse për GV.

#ProfesoriPërdhunues Dy vëllezërit janë profesorë në të njëjtin universitet. Ka më shumë se një rast kundër tyre. Ata kanë qenë mes studentëve prej vitesh pa u dënuar dhe vazhdojnë të kryejnë krime. Boll më. Ndëshkoni këta kriminelë.

Njësia Mbështetëse e Universitetit të Ankarasë kundër Ngacmimit Seksual [17], e themeluar në vitin 2011 pas rritjes së rasteve të abuzimit seksual në universitete, është zotuar të vazhdojë hetimin e ankesave dhe për t'i çuar rastet para drejtësisë.

Por koordinatorja e njësisë Gülriz Uygur, një profesore e drejtësisë në universitet, thotë se viktimat e abuzimit shpesh detyrohen të heshtin.

“Studentet nuk mund të ankohen për abuzimin seksual me të cilin janë përballur, kërcënohen me nota dhe kanë frikë”, tha [18] Uygur për gazetën Hurriyet.

Akuzat për sulme seksuale në institucionet e arsimit të lartë turk këtë vit nuk janë shënuar vetëm në kryeqytet.

Një universitet në qytetin më të madh të vendit Stamboll, Universiteti privat Koç, u përfshi në një skandal në mars pasi një student i akuzuar për abuzimin seksual të një studenteje nuk u përball me asnjë dënim tjetër, përveç pezullimit tre mujor.

Universiteti Koç po fsheh dhunën dhe abuzimin. #notsafeatcampus

Në të njëjtin muaj studentët në Universitetin Dokuz Eylul në qytetin e tretë më të madh të vendit, Izmir, protestuan kundër kreut të departamentit të sociologjisë, profesorit İbrahim Kaya, për të cilin ata pretendonin [22] se kishte abuzuar në mënyrë sistematike studentet që nga viti 2014.

Studentet shkruan slogane, përfshirë “Ne nuk duam një abuzues” mbi muret e institucionit. Tani ato po përgatiten të ngrenë padi penale kundër Kaya.