- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

“Unë rri në heshtje dhe duroj”: T'i mbijetosh dhunës në familje në Armeni

Kategoritë: Azia Qendrore e Kaukazi, Armenia, Gratë e çështjet gjinore, Media e qytetarëve

Foto e Shutterstock nga Kamira [1].

“Ne u martuam në fund të vitit 2017. Dasma nuk ishte luksoze, por dashuria jonë ishte e fortë,” thotë Sona (pseudonim).

Vetëm një javë pas dasmës, bashkëshorti e sulmoi Sonan për herë të parë, duke kërkuar që t'i tregonte për “të kaluarën e saj të errët”.

“Unë nuk e di se nga e krijoi idenë në mendjen e tij se kisha pasur histori dashurie në të kaluarën, se kisha qenë në një marrëdhënie intime, por ai nuk kishte prova të mjaftueshme për këtë. Ai ishte njeriu i parë në jetën time, por dyshimi u grumbullua në shpirtin e tij”.

“Ai më rrahu shumë keq. Ai tha se do të më vriste nëse nuk do t'i tregoja se me kë kisha patur marrëdhënie intime, por unë nuk kisha asgjë për të thënë”.

Sona përfundimisht e la bashkëshortin e saj.

“Unë shkova te prindërit e mi, por bashkëshorti menjëherë erdhi pas meje. Ai kërkoi falje, më kërkoi të kthehesha, duke premtuar se nuk do të pinte më as një gllënjkë alkooli … Por unë nuk shkova.”

“Disa javë më vonë, mësova se isha shtatzënë. Kjo e ndryshoi jetën time, i thashë atij për shtatzëninë dhe përsëri më kërkoi që të kthehesha tek ai dhe unë vendosa të mos e lija fëmijën tim jetim”.

Pak pasi u kthye tek ai, Sona dhe bashkëshorti i saj u zhvendosën në Rusi. Ai donte që ata të lëviznin në mënyrë që të harronte “të kaluarën e saj të errët” në Armeni.

“Natyrisht unë nuk e kuptoja se çfarë të shkuare donte ai të harronte, por unë shkova me të gjithsesi. Uroj që të mos kisha shkuar … Në Armeni, prindërit e mi më mbronin, por në Rusi unë isha krejtësisht e vetme. Nuk kishte një ditë të vetme që ai nuk pinte. Ai më përplaste në mur si një top”.

“Një herë kur po më rrihte, mu thye dora. Ata e vunë në allçi. Unë isha tetë muajshe shtatzënë. Ai më nisi në Armeni për të lindur. Pasi linda, pata një ndërhyrje në dorë pasi allçia ishte vendosur gabim dhe si pasojë kisha probleme”.

Sona qëndroi në Armeni pas lindjes, ndërsa bashkëshorti i saj vazhdoi të jetonte në Rusi. Megjithëse fëmija është tashmë dy vjeç, ajo nuk ka gjetur forcën të divorcohet.

“Çdo ditë e jetës sime është një mohim i parimeve të mia, i njoh shumë mirë të drejtat e mia, por unë nuk i mbroj ato, qëndroj në heshtje dhe duroj situatën. Nuk dua që fëmija im të rritet pa babanë. Ai është një burrë bastard, por është një baba i mirë”, thotë Sona.

“Dhuna vazhdon”

Në dhjetor të vitit 2017, Armenia miratoi një ligj të ri kundër dhunës në familje, që hyri në fuqi në korrik 2018.

Dokumenti përmblodhi një bazë ligjore dhe institucionale për parandalimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave. Gjithashtu siguron mbështetjen e nevojshme psikologjike, ligjore dhe sociale për ata që janë subjekt i dhunës, si dhe, për disa raste, mbështetje financiare të përkohshme.

Pas miratimit të ligjit, shumë ishin të bindur se do të siguronte mbrojtje për gratë e dhunuara.

Por Marina Yeghiazaryan, një psikologe në Qendrën e të Drejtave të Grave të Armenisë [2], thotë se ajo nuk ka parë një rënie të numrit të grave të dhunuara në familje.

“Ne vazhdojmë të marrim mijëra telefonata. Dhuna vazhdon,” thotë Yeghiazaryan.

“Edhe sot, shumë gra nuk janë të informuara, nuk mund t'i mbrojnë të drejtat e tyre. Shumë njerëz gjithashtu shmangin qendrat për të drejtat e njeriut, duke preferuar që të heshtin dhe të mos flasin për problemet e tyre”, thotë ajo.

“Unë u arratisa për të shpëtuar jetën e fëmijës tim”

Gayane thotë se problemet në familjen e saj filluan pas lindjes së fëmijës.

“Ai ishte i shqetësuar për gjithçka: teksa unë ecja, tingulli i hapave të mia, ndërsa laja pjatat, tingujt nga rubineti i ujit, ndërsa bëja flokët, tingujt e tharëses së flokëve. Ai thoshte gjithmonë: “Mbylle atë, kam nevojë të pushoj”, thotë Gayane.

Ajo thotë se ndërsa në familjet normale, lindja e një fëmije ngroh çiftet, i afron ata, në rastin e saj ka ndodhur e kundërta dhe se burri i saj u kthye nga një njeri i qetë në një bishë.

“Ishte një mister për mua se çfarë i ndodhi atij. Kur më goditi për herë të parë, u trondita, jo nga dhimbja, por nga qëndrimi i tij. Nuk më kishte goditur kurrë.

“Një herë, kur fëmija po qante natën, ai kërcënoi të na vriste të dyve, nëse nuk e pushoja shpejt fëmijën.” Më vonë, rastet nuk përfunduan me kërcënimet. Ai godiste fëmijën tim.

“Unë mbuloja fëmijën me trupin tim, në mënyrë që shkelmi të mos e arrinte atë. Ai na rrahu për një muaj. Një ditë, kur ai ishte në punë, mora rrobat dhe u largova”.

Mungesa e burimeve

Qendra për Mbështetjen e Grave [3] ka strehën e vetme në Armeni për viktimat e dhunës në familje. Qendra gjithashtu ofron mbështetje psikologjike dhe ligjore.

“Në strehën tonë, ne mund të mbajmë gjithsej shtatë gra dhe fëmijët e tyre. Vendndodhja e shtëpisë është konfidenciale. Ka të gjitha kushtet për ta bërë një grua të ndihet e sigurt. Ajo ka të gjitha kushtet e nevojshme të jetesës”, thotë drejtorja e qendrës, Hasmik Gevorgyan.

Aktualisht, pesë gra jetojnë aty. Banoret mund të qëndrojnë deri në tre muaj, edhe pse periudha e qëndrimit të tyre mund të shtyhet, rast pas rasti.

Sipas Hovhannisyan, nuk ka burime të mjaftueshme për t'i shërbyer numrit të grave që përballen me dhunën në familje.

Kur Gayane u largua nga bashkëshorti i saj, ajo nuk kishte pothuajse asnjë të afërm në Armeni; të gjithë ishin jashtë vendit. Për fat të mirë, familja e shoqes së ngushtë i ofroi një vend ku të qëndronte.

“Një viktimë e dhunës në familje duhet të denoncojë rastin në stacionin e policisë, por në këtë pikë mund të lindin probleme, nëse papritur viktima ka nevojë të jetë larg abuzuesit. Shteti ka miratuar ligjin por nuk ka krijuar strehëza për viktimat”, ajo tha.

“Mikesha dhe bashkëshorti i saj shpëtuan jetën tonë. Disa herë, bashkëshorti im u përpoq të hynte në shtëpi dhe ne e kërcënuam se do të telefononim policinë. Vetëm vëllai i tij arriti ta qetësonte disi dhe më kërkoi të mos e lija burrin”.

“Nuk mund ta falja dhe nuk isha e sigurt që një ditë, kur unë të mos isha në shtëpi, ai nuk do ta lëndonte fëmijën tonë”.

“Gjysmë viti ka kaluar që nga ato ditë ferri”, thotë Gayane, duke reflektuar në historinë e saj të hidhur. “Tani po mendoj më qetësisht dhe më vjen keq që nuk e lashë më shpejt.”