Papa Françesku viziton Maqedoninë e Veriut në maj, pas zgjedhjeve presidenciale

Pope Francis photo on the website papa.mk

Foto nga faqja papa.mk, e hapur nga qeveria e Maqedonisë së Veriut me rastin e vizitës së Papës më 7 maj 2019.

Papa Françesku do të vizitojë Maqedoninë e Veriut në maj 2019, vetëm dy ditë pas raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Kjo do të jetë hera e parë që një papë viziton Maqedoninë e Veriut. Vizita është pjesë e një turi rajonal tre-ditor, i cili gjithashtu do të përfshijë një ndalesë në Bullgari.

Qeveria e Maqedonisë Veriore hapi një faqe interneti, papa.mk për vizitën. Në përputhje me karakterin multikulturor të vendit, përmbajtja e faqes është në dispozicion në tri gjuhë: maqedonisht, shqip dhe anglisht.

Disa qytetarë kanë diskutuar pronësinë faqes së internetit nga qeveria, duke pretenduar se ajo është në kundërshtim me karakterin sekular të vendit.

Qytetarët e Maqedonisë mund të aplikojnë për bileta falas për Meshën e Shenjtë të Papës, nëpërmjet kishave lokale, ndërsa të huajt duhet të sigurojnë vendet e tyre përmes internetit. Mesha do të mbahet në sheshin kryesor të kryeqytetit, Shkup më 7 maj.

Katolikët përbëjnë më pak se një për qind të popullatës së Maqedonisë së Veriut, ku rreth 65 përqind e tyre janë të krishterë orthodoksë dhe rreth 33 për qind janë myslimanë. Pavarësisht numrit të paktë, komuniteti katolik vendor është i shumëllojshëm, pasi përfshin maqedonasit etnikë, shqiptarët, kroatët, sllovenët dhe polakët.

Nga ana tjetër, vendi ka rëndësi fetare për katolicizmin, sepse kryeqyteti Shkup është vendlindja e Nënë Terezës (1910-1997), e nderuar zyrtarisht si Shën Tereza e Kalkutës. Një nga misionaret më të njohura të shekullit të 20-të dhe e nderuar me Çmimin Nobel të Paqes, ajo u lind në një familje etnike shqiptare, shtëpia e së cilës ndodhej pikërisht aty ku tani është sheshi kryesor i qytetit.

Aspekti politik i vizitës e tejkalon domethënien fetare. Si kreu i shtetit, Papa do të takohet me kryeministrin dhe presidentin në largim, mandati i të cilit do të përfundojë pesë ditë më pas.

Publiku në Maqedoni duket se e sheh vizitën si një shenjë njohjeje nga Perëndimi dhe një nxitje për përpjekjet e qeverisë për ta çuar vendin më pranë anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Një ndjenjë e tillë reflektohet nga mesazhi në Twitter i gjeneralit në pension, Stojançe Angelov, i cili komentoi vizitën përgatitore të shefit të Zyrës së Sigurisë Publike të Maqedonisë së Veriut në Vatikan.

Falë politikës së mençur, të guximshme dhe të vendosur të kësaj qeverie, shteti ynë i vogël ecën përpara me hapa të mëdhenj! Drejtori Sasho Tasevski përgatit nivelin më të lartë të sigurisë për qëndrimin e Papa Françeskut në Shkup. Stevo [Pendarovski] për president!

Një muaj përpara udhëtimit të Papës, Vatikan News, sistemi informativ i Selisë së Shenjtë, shtoi gjuhën maqedonase në shërbimin e tij. Ajo është gjuha e 34-të e portalit. Peshkopi i Shkupit, Kiro Stojanov tha se ky është “fryti i parë i vizitës apostolike të Papa Françeskut”.

Para vizitës apostolike të Papës në Maqedoninë e Veriut më 7 maj, Vatikan News shton një faqe të dedikuar në gjuhën maqedonase.

Në shtator, Papa do të vizitojë Mozambikun, Madagaskarin dhe Mauritiusin.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.