A do të vonojë kriza politike negociatat e Shqipërisë për në BE?

Në një nga pankartat e opozitës shqiptare shkruhet: “Fund qeverisë së hajdutëve dhe oligarkëve”. Foto nga Partia Demokratike e Shqipërisë, për përdorim publik.

Teksa Shqipëria është në një krizë politike prej disa muajsh, qytetarët po pyesin nëse impakti i saj do të pengojë vendimin e BE-së për të filluar bisedimet, që përfundimisht mund të çojnë në pranimin e vendit ballkanik në bllok.

Që nga shkurti i vitit 2019, 58 nga 62 ligjvënës nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Sociale për Integrim, në opozitë, kanë dhënë dorëheqjen pas raportimeve nga Zëri i Amerikës dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative se zyrtarë të qeverisë dyshohet se bashkëpunuan me bandat kriminale në një skemë të blerjes së votave në zgjedhjet e vitit 2017.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri më 9 prill, 20 deputetë të rinj të opozitës kanë marrë mandatet e ligjvënësve, të mbetura vakante, duke kundërshtuar thirrjen e udhëheqjes për bojkot.

Mijëra njerëz nga i gjithë vendi u janë bashkuar ish ligjvënësve në një seri protestash në kryeqytetin Tiranë. Ata kërkojnë që kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen dhe krijimin e një qeverie kalimtare që do të mbikqyrë zgjedhjet e reja parlamentare.

Lulzim Basha, udhëheqësi i Partisë Demokratike, partia kryesore e opozitës, shkroi në Twitter më 16 mars:

Rama deri më tani nuk ka treguar shenja se do të japë dorëheqjen. Në një fjalim të fundit publik, ai tha – pa iu drejtuar drejtpërdrejt protestave – se qeveria e tij do të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2021, kur janë zgjedhjet parlamentare të radhës.

Vala e protestave ka kapluar Shqipërinë, anëtare e NATO-s, vetëm disa muaj përpara se Këshilli Evropian të njoftojë nëse do të hapë bisedimet e pranimit apo jo.

Ashtu si disa nga fqinjët e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është një kandidat zyrtar për t'iu bashkuar BE-së. Brukseli kërkon që vendet potenciale të përmbushin një sërë kushtesh para se të fillojnë procesin e pranimit, të tilla si stabiliteti i institucioneve, pavarësia e pushteteve dhe ekonomia funksionale e tregut.

Në rastin e Shqipërisë, një kusht kyç i vendosur nga BE është zbatimi i reformës në gjyqësor që përfshin, ndër të tjera, vetingun e gjyqtarëve.

Disa zyrtarë të BE kanë qortuar vendimin e ligjvënësve të opozitës për të lënë mandatet. Eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein, i cili është gjithashtu raportues i Parlamentit Europian për Shqipërinë, lëshoi një deklaratë më 28 shkurt:

Bojkoti i Parlamentit nuk është aspak një rrugëdalje nga problemet politike dhe është kundër parimeve demokratike. Parlamenti është forumi ku duhet të diskutohen mosmarrëveshjet politike. Unë bëj thirrje për përgjegjësi politike të të gjithë ligjvënësve për të përmbushur detyrat e tyre dhe për të rifilluar punën parlamentare në interes të vendit dhe perspektivën e integrimit në BE, jo duke patur në mendje zgjedhjet e ardhshme.

Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse zgjidhja e krizës politike do të jetë një nga kushtet për të hapur bisedimet e pranimit me BE-në.

Duke folur më 2 prill me përfaqësuesit e Komisionit të Parlamentit Evropian për Punët e Jashtme, Johannes Hahn, Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, dha shenja pozitive se Komisioni Europian do të rekomandojë fillimin e bisedimeve me Shqipërinë.

Ai tha (min 11:47:20):

Pres që në bazë të asaj që kemi vërejtur, se ne do të bëjmë një rekomandim për Maqedoninë e Veriut dhe gjithashtu për Shqipërinë që ata të hyjnë në fazën përgatitore për negociatat e pranimit. Dhe kjo do të bëhet zyrtarisht.

Hahn shtoi:

Nëse partnerët tanë përmbushin në mënyrë të kënaqshme kriteret [për hapjen e negociatave], atëherë është një çështje e kredibilitetit tonë dhe besueshmërisë sonë. Ne gjithashtu duhet t'i përmbahemi pjesës sonë të marrëveshjes. Kur partnerët tanë përmbushin kriteret për fillimin e negocatave të pranimit, atëherë ne duhet të reagojmë pozitivisht.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia dhe Mali i Zi kanë filluar zyrtarisht bisedimet e pranimit me BE, në vitin 2014 dhe 2012 respektivisht. Për Serbinë, përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën – pavarësinë e së cilës Beogradi nuk e njeh – është një çështje në tryezë.

Ndërkohë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në rrugë për të filluar bisedimet.

Maqedonia bëri hapa të rëndësishëm kohët e fundit pasi ndryshoi emrin e saj në Maqedonia e Veriut, duke zgjidhur një mosmarrëveshje 27-vjeçare me fqinjen e saj, anëtare të NATO-s dhe të BE-së, Greqinë.

Protestat do të vijojnë

Tubimi më i fundit i opozitës, mbajtur para Kuvendit më 3 prill, nuk shqetësoi aspak jetën parlamentare.

Megjithatë, opozita ka thënë se nuk do të tërhiqet derisa Rama të japë dorëheqjen. Është gjithashtu e paqartë nëse Partia Demokratike do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të planifikuara më 30 qershor.

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, ishte në Tiranë më 8-9 prill, ku u takua me kryeministrin Rama, liderët e opozitës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi dhe presidentin e vendit, Ilir Meta. Ai tha gjatë një takimi me gazetarët se nuk ishte atje për të negociuar një zgjidhje të krizës politike, por i kërkoi opozitës shqiptare të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, sipas një transkripti të publikuar në faqen e internetit të Ambasadës amerikane në Shqipëri.

Protestat kanë pasur mbështetës që vijnë nga mbarë vendi në kryeqytet, ndërsa disa qytetarë raportojnë shqetësime në rutinën e tyre me bllokime të shpeshta rrugësh dhe përdorimin në disa raste të gazit lotsjellës nga policia. Disa qytetarë nuk mbështesin as protestat, as kryeministrin dhe thonë se politikanët nuk ndryshojnë nga njëri-tjetri.

Protesta e ardhshme është planifikuar të mbahet më 13 prill para kryeministrisë.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.