- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Si u bë Serbia ‘viktima më e madhe’ e luftës në Ukrainë?

Kategoritë: Europa Lindore e Qendrore, Rusia, Serbia, Ukraina, Lufta e konflikti, Marrëdhëniet ndërkombëtare, Media e gazetaria, Media e qytetarëve, Politika, The Bridge, Russia invades Ukraine
[1]

Kolazh fotosh: Istinomer/Fonet/Wikimedia, përdoret me leje.

Ky artikull i Tijana Gjorgjeviç fillimisht u publikua në Istinomer [2] (Truth-O-Meter), një iniciativë për verifikimin e fakteve të Qendrës për Kërkim, Transparencë dhe Përgjegjësi (CRTA [3]). Një version i redaktuar publikohet më poshtë si pjesë e një marrëveshjeje për ndarjen e përmbajtjes me Global Voices.

Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës filloi më 24 shkurt të vitit të kaluar. Që nga ai moment, një vend ka qenë një “viktimë e fuqive të mëdha”. Ai ka qenë “nën presion”, i “shantazhuar”, i “vrarë” dhe është shënjestruar në “sulme të orkestruara”. Lufta bëhet në atë vend, një vend i veçantë. Dhe ai shtet është Serbia.

Që nga orët e para të luftës në Ukrainë e deri më sot, media në Serbi ka kaluar nëpër faza të ndryshme – nga pretendimi se është fakt se “Ukraina sulmoi Rusinë [4]”, e deri tek një “operacion special” dhe jo një luftë, për të pranuar realitetin, por me brohoritje [5] për regjimin e Vladimir Putinit dhe veprimet e tij në front.

Nuancat e qasjes ndaj këtij konflikti po ndryshonin disi deri në momentin kur u bë e qartë se ai nuk do të përfundonte shpejt dhe se pasojat do të ndjeheshin në pjesën tjetër të botës. Në atë moment për mediat kombëtare Serbia u bë viktima më e madhe e kësaj lufte.

Përgjigja për pyetjen se kush ishin (përsëri) burimet e të gjitha problemeve është mjaft e thjeshtë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, sipas raportimeve të mediave serbe, luajtën në sezonin e ri të “Chasing Serbia”.

“Po kalojmë kohën më të vështirë”

Në javën e parë të luftës, media theksoi “presionin e tmerrshëm ndaj Serbisë [6]” për të vendosur sanksione ndaj Rusisë. “Urrejtësit famëkeq” dhe “analistët politikë të të ashtuquajturit shtet i thellë i Bashkimit Europian, por edhe i Amerikës” u renditën me emra. Në një seri artikujsh u botuan detajet e “rrëmbimit brutal të Perëndimit mbi Serbinë” dhe në disa prej tyre theksohej veçanërisht se presidenti i vendit, Aleksandar Vuçiç, “po përballonte me sukses sfidat që e rrethojnë nga të gjitha anët [7].”

Për të shmangur rrezikun e mbetjes prapa botës, në Serbi filloi shumë shpejt një luftë speciale, gjithashtu. Të paktën kështu i quajtën mediat kërcënimet e rreme me bombë [8] të dërguara në shkollat fillore dhe të mesme, redaksitë dhe institucionet shtetërore. Qëllimi i asaj lufte speciale ishte të “paralizonte Serbinë [9]” dhe “ta detyronte atë të vendoste sanksione ndaj Rusisë”.

E veçantë apo jo, për mediat në Serbi ishte më se e qartë se “lufta e fuqive të mëdha [10] bëhet në kurrizin tonë”.

Prandaj, ndërsa luftimet po vazhdonin në Ukrainë, ne po kalonim “ferrin [11]” sepse, sipas mediave, “vendimi i Putinit për të hyrë në një “luftë të vërtetë” e bëri edhe më të vështirë pozicionin e Serbisë”. Në ato ditë, filloi “përgatitja e artilerisë [12] për një sulm total” ndaj Serbisë pasi presionet ishin “më të mëdhatë që nga bombardimet e NATO-s në 1999″.

Që “presionet ndaj Serbisë [13] filluan të marrin përmasa të mëdha” pas gati tetë muajsh luftë në Ukrainë, ishte gjithashtu përfundimi i emisioneve televizive. Perëndimi më pas kaloi në “metoda ushtarake” për të “shtrënguar lakun [14] rreth vendit tonë” ashtu siç i përkufizuan mediat “incidentet me mjete ajrore pa pilot” të vërejtura mbi Merdare dhe në zonën e Rashkës.

Sa i përket mediave kombëtare më me ndikim, të gjitha “goditjet ndaj Serbisë” kishin dy qëllime – vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë [15] dhe njohjen [16] e pavarësisë së Kosovës [17]. Para pothuajse të gjitha veprimeve të Brukselit dhe Uashingtonit u vendos një shenjë armiqësie dhe zyrtarët e tyre shpjeguan pritshmëritë si përmes analizës së kursit të politikës së jashtme të Serbisë ashtu edhe gjatë vizitave në Beograd.

Presione false

Edhe sikur në momente të dukej se “presionet”, siç i quajnë mediat serbe, vinin edhe nga Lindja [18], marrëdhënia me regjimin e Vladimir Putin mbeti e njëjtë. Narrativa miqësore ra në heshtje për një kohë të shkurtër kur presidenti i Rusisë hodhi një paralele mes Kosovës dhe republikave të vetëshpallura në rajonet Donetsk dhe Luhansk.

“Putini, të cilin ne e konsiderojmë mik të madh, tregoi fytyrën e tij të vërtetë dhe dëmtoi interesat e Serbisë në lidhje me Kosovën me deklaratën e tij”, kanë shkruar mediat [19], duke thënë se presidenti rus “ka goditur Serbisë pas shpine”.

Deklaratat e ambasadorit rus në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko, nuk janë cilësuar asnjëherë si kërcënime, edhe kur diplomati rus tha se vendosja e sanksioneve “mund të dëmtojë ekonominë dhe sferën sociale të Serbisë”.

“Ekonomia e Serbisë është shumë e lidhur, në kuptimin pozitiv, me Rusinë. Të gjithë e kuptojnë se sanksionet anti-ruse do të sillnin dëme të konsiderueshme për ekonominë dhe shoqërinë”, tha Botsan-Kharchenko në një intervistë [20] për të përditshmen Izvestia, e cila u ribotua [21] nga portalet kombëtare serbe.

Detektori për “kërcënimet ndaj Serbisë” në mediat pranë autoriteteve nuk e konsideroi këtë deklaratë si relevante.

Nga ana tjetër, ndjenjat pro-ruse mbeten të dukshme edhe në heshtje. Në fakt, kur Perëndimi pret diçka, ai “i thyen kurrizin” Serbisë. Kur Rusia pret diçka, lidershipi i Serbisë vepron ashtu siç pritej dhe shumica e mediave e shpërfillin plotësisht situatën.

Kështu ndodhi edhe me pjesëmarrjen [22] e Serbisë në Samitin e Parë Parlamentar të Platformës Ndërkombëtare të Krimesë. Gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliq, Botsan-Kharchenko “shprehte pritjen se delegacioni i Kuvendit Kombëtar të Republikës së Serbisë nuk do të marrë pjesë në Samit”.

Ndryshe nga pritshmëritë e tjera, ato ruse u përmbushën plotësisht pasi delegacioni serb nuk mori pjesë në Samit nga ku u dërguan mesazhe mbështetjeje për Ukrainën, pavarësisht ftesës zyrtare.

Detajet e bisedës mes Orliqit dhe Botsan-Karchenkos u publikuan më vonë në një shënim parlamentar dhe më pas në portalin N1 [23]. Mbrojtësit më të mëdhenj mediatikë të “politikës së jashtme të pavarur të Serbisë” dhe “interesave serbe” kishin gjëra më të mira për të bërë në atë kohë.

Kështu, lufta në Ukrainë vetëm sa ka denoncuar mënyrën e raportimit të veçantë për mediat kryesore serbe. Në fakt, sipas të dhënave të monitorimit të mediave të CRTA [24], narrativa antiperëndimore që dominoi në pesë vitet e mëparshme është intensifikuar më tej që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Raporti i njoftimeve pozitive ndaj atyre negative të mediave për Bashkimin Evropian dhe SHBA-në në vitin 2022 është 1 me 15, ndërsa ky raport është i kundërt kur bëhet fjalë për Rusinë, ku niveli është dy me një.

Duke pasur parasysh të gjitha gjërat, për mediat më të njohura serbe, lufta në Ukrainë ishte vetëm një arsye tjetër për ta vënë Serbinë në rolin e viktimës. Dhe kjo temë u përdor për panik dhe nxitje frike, si dhe për praktikën e krijuar tashmë të antagonizimit të Perëndimit, veçanërisht Bashkimit Europian.