Lëvizja Hirak e Marokut është zbehur, por goditjet mbi median e pavarur vijojnë

Një protestë në Al Hoceima në rajonin Rif në verën e vitit 2017. Foto nga Mohamed Mouha nëpërmjet Wikimedia (CC BY-SA 4.0)

Ky artikull është i dyti i serisë me dy pjesë mbi shtypjen e mediave dhe “lajmet e rremë” në Marok. Ai u shkrua në bashkëpunim me Access Now. Pjesën e parë mund ta lexoni këtu.

Lëvizja protestuese Hirak në Marok për herë të parë mori hov pas vdekjes së Mohsin Fekri, një shitës peshqish, produktet e të cilit u konfiskuan nga autoritetet në qytetin Al Hoceima më 29 tetor 2016. Kur Fekri u përpoq të rimarrë peshqit, ai u shtyp për vdekje nga një kamion plehrash.

Që nga ajo kohë deri në vitin 2017, marokenët në rajonin e Rifit zhvilluan demonstrata javore ku protestonin për kushtet e këqija socio-ekonomike dhe zyrtarët e korruptuar të qeverisë, faktin se janë lënë pas dore nga qeveria qendrore. Ata vazhdonin derisa autoritetet nisën një goditje të dhunshme në qershor 2017, duke arrestuar 400 aktivistë dhe protestues.

Lëvizja solli gjithashtu një goditje të ashpër ndaj gazetarëve të pavarur dhe njerëzve që donin të dokumentonin protestat dhe ngjarjet pasuese. Të paktën shtatë gazetarë të pavarur u arrestuan gjatë mbulimit të protestave. Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, tre janë aktualisht në burg për mbulimin e aktiviteteve të Hirak.

Hamid El Mahdaoui, i cili drejtoi faqen informative “Badil.info” para arrestimit të tij, po kryen tre vjet burgim, pasi u dënua nga gjykata e apelit të Kasablanka në qershor të vitit 2018 për “mosraportimin e një krimi që kërcënonte sigurinë kombëtare”. Kjo për shkak të një bisede telefonike (regjistrimi zyrtar i së cilës është marrë nëpërmjet përgjimit) midis tij dhe një aktivisti anti-monarkist maroken me seli në Holandë, ku aktivisti fliste përi një plan për të sjellë armë në vend.

El Mahdaoui duke folur rreth shtypjes së protestuesve në El Hoceima. Burimi: Marrë nga një video e hedhur në YouTube në kanalin e gazetarit më 28 qershor 2017.

El Mahdaoui kishte kryer një dënim njëvjeçar për “nxitje” të protestës. Ai u arrestua më 20 korrik 2017 në qytetin Al-Hoceima, ku udhëtoi për të mbuluar protestat e Hirakut.

Mohamed El Asrihi, redaktor dhe drejtor i Rif24.com, një faqe lokale e mediave qytetare që ofroi mbulim të gjerë të protestave në Al Hoceima dhe qytete të tjera, po kryen dënimin me pesë vjet burg. E njëjta gjykatë e shpalli atë fajtor në qershor të vitit 2018 për: “kërcënimin e sigurisë së brendshme të Marokut, duke marrë donacione dhe fonde për aktivitete dhe propagandë që dëmtojnë unitetin dhe sovranitetin e Mbretërisë së Marokut dhe besnikërinë e qytetarëve të saj”, “pjesëmarrjen në demonstratat e paautorizuara”, “nxitje kundër unitetit të mbretërisë”, “fyerje të zyrtarëve qeveritarë” dhe se “pretendonte të ishte gazetar, pa marrë akreditimin e nevojshëm”.

Gazetarëve që nuk akreditohen – që nuk pajisen me “kartën e gazetarëve profesionistë” të lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Shtypit, që mbikëqyr mediat – nuk u jepet e njëjta mbrojtje si ata që quhen “gazetarë profesionistë”. Për t'u akredituar, gazetarët duhet të kenë një diplomë universitare. Gazetaria duhet të jetë profesioni i tyre primar e burimi i tyre kryesor i të ardhurave dhe ata nuk duhet të jenë dënuar për një krim në të kaluarën. Karta duhet të rinovohet çdo vit. Këto kërkesa përjashtojnë gazetarët-qytetarë të cilët nuk mund të ushtrojnë gazetarinë si burim të të ardhurave, së bashku me gazetarët që nuk janë diplomuar ose ata që ndjekin universitetin.

Por edhe për ata gazetarë që konsiderohen “profesionistë”, mbrojtja ligjore është e kufizuar. Teksa në vitin 2016, parlamenti maroken miratoi një kod të ri shtypi që eliminonte burgun si dënim, gazetarët dhe mediat ende mund të gjobiten për “shpifje” ndaj ministrave (neni 81), diplomatëve të huaj (neni 82) dhe institucioneve shtetërore e zyrtarëve publikë (neni 84). Përveç kësaj, gazetarët vazhdojnë të ndiqen penalisht dhe të burgosen sipas kodit penal, që përfshin dispozita me burgim ose me gjoba për të dënuarit për “shkaktimin e dëmit” ndaj islamit, monarkisë ose nxitjen e aktiviteteve që shkojnë kundër integritetit territorial të vendit.

Të gjitha këto e bëjnë të vështirë për mediat e pavarura të luftojnë fushatat e shfrenuara të dizinformimit, veçanërisht ato që shënjestrojnë njerëzit që janë nën kërcënim për aktivizmin dhe punën e tyre, për mbulimin e Hirakut dhe ngjarjeve të tjera të rëndësishme për publikun.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.