Papa Françesku viziton Mozambikun në shtator, në kohë fushate

Papa Francisco | Attribution-ShareAlike 2.0 Generic (CC BY-SA 2.0)

Papa Françesku | Gabriel Trujillo – ShareAlike 2.0 Generic (CC BY-SA 2.0)

Papa Françesku do të vizitojë Mozambikun në shtator 2019, vetëm disa javë përpara zgjedhjeve presidenciale, parlamentare dhe lokale.

Papa u ftua nga presidenti i Mozambikut, Filipe Nyusi, në shtator të vitit 2018. Vizita u njoftua më 26 mars në një ceremoni solemne ku morën pjesë edhe përfaqësues të Kishës Katolike në vend.

Presidenti Nyusi tha se vizita e Papës do të ndihmonte bisedimet e paqes me partinë opozitare RENAMO, e cila ndali luftimet ushtarake me trupat qeveritare në vitin 2017, si pjesë e një procesi që ende mbetet i tensionuar. Ai shtoi se vizita gjithashtu do të ishte një rast i mirë për të reflektuar mbi konfliktin me grupet paraushtarake që veprojnë në veri të vendit, veçanërisht në krahinën Cabo Delgado.

Gjon Pali II ishte Papa i fundit që vizitoi Mozambikun, në shtator 1988.

Konfirmimi i vizitës së Papës pritej që nga mesi i shkurtit. Mozambiku do të mbajë zgjedhjet në tetor dhe është ende duke u rikuperuar nga shkatërrimi që solli cikloni Idai, i cili ka lënë mbi 500 të vdekur dhe më shumë se një milion të pastrehë. Papa u solidarizua me viktimat:

Unë shpreh dhimbjen dhe solidaritetin tim me njerëzit e dashur të Mozambikut, Zimbabveve dhe Malavit, të goditur nga cikloni Idai. I lë viktimat e panumërta dhe familjet e tyre në mëshirën e Perëndisë.

Katastrofa e shkaktuar nga cikloni, që tashmë konsiderohet si një nga më të rëndat që ka goditur ndonjëherë hemisferën jugore, goditi qytetin e Beiras në Mozambikun qendror më 14 mars dhe pastaj vendet fqinje: Zimbabve dhe Malavi. Më shumë se 300 vetë humbën jetën në këto dy vende.

Që atëherë, vendi është në gjendje të jashtëzakonshme, gjë që ka bërë që qeveria të rishikojë kalendarin zgjedhor dhe të shtyjë periudhën e regjistrimit.

Në mes të fatkeqësisë, qeveria ende po përpiqet të gjejë mënyrat se si të shpëtojë dhe të akomodojë mijëra njerëz pas #CycloneIdai, presidenti Nyusi jep deklaratën televizive LIVE në vend për të njoftuar se Papa do të vizitojë Mozambikun në shtator. Ta quash “kohë e papërshtatshme” (për të dhënë një deklaratë të tillë), është një nënvlerësim.

Fakti që zgjedhjet do të mbahen menjëherë pas vizitës papale, kanë ngritur pyetjet e qytetarëve, të cilët janë të shqetësuar se kjo mund të ketë ndikim në fushatë:

Është e qartë se vizita e Papa Françeskut në shtator shkon në favor të #Frelimo dhe Filipe #Nyusi. Drejtpërdrejt ose tërthorazi, nga vizita do të përfitohet politikisht. Do të ishte mirë nëse do të shtyhej për në nëntor, domethënë pas konfuzionit të zgjedhjeve të përgjithshme të caktuara për 15 tetor.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.