- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Si mediat pro qeveritare në Marok përdorin “lajmet e rreme” për të shënjestruar aktivistët në Rif

Kategoritë: Aktivizmi dixhital, Liria e fjalës, Media e gazetaria, Media e qytetarëve, Protesta, Të drejtat e njeriut, GV Advocacy

Protestuesit qëndrojnë ulur në Imzouren, 14km nga qyteti Al-Hoceima në rajonin Rif. Foto nga AlhoceimasOfficiel. E përdorur me leje.

Ky artikull është i pari i serisë me dy pjesë mbi shtypjen e mediave dhe “lajmet e rremë” në Marok. Ai u shkrua në bashkëpunim me Access Now.

Në shtator 2018, Nasser Zefzafi, kreu i burgosur i lëvizjes protestuese Hirak [1] të Marokut në rajonin e Rif, u propozua [2] si kandidat për çmimin prestigjoz të Parlamentit Evropian Sakharov për lirinë e mendimit. Çmimi vjetor nisi të jepej [3] në vitin 1988 për të nderuar “individët që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në luftën për të drejtat e njeriut anembanë globit”.

Zefazfi aktualisht po kryen dënimin me 20 vjet burg për rolin e tij si udhëheqës në protestat e Hirakut. Lëvizja fillimisht erdhi pas vdekjes [4] së Mohsin Fekrit, një shitës peshku, produktet e të cilit u konfiskuan nga autoritetet në qytetin Al Hoceima më 29 tetor 2016. Kur Fekri u përpoq të rimerrte peshqit, ai u shtyp nga një kamion plehrash dhe humbi jetën.

Zefzafi përfundoi në listën e tre finalistëve [5] për Çmimin Sakharov, por nuk fitoi. Çmimi iu dha [6] regjisorit dhe shkrimtarit ukrainas Oleg Sentsov.

Pas shpalljes së fituesit më 25 tetor, faqja marokene e lajmeve Cawalisse botoi një artikull të trilluar, ku thoshte se Parlamenti Evropian “e tërhoqi emrin e Zefzafit nga lista e fituesve”, sepse ai është një “kriminel i cili nuk ka lidhje me të drejtat e njeriut”.

Foto e lajmit të trilluar të Cawalisse që pretendonte se Parlamenti Europian e cilësonte Zefzafin si  ”kriminel’.

Artikulli (i cili nuk ka autor) thotë se “grupe lobimi brenda Parlamentit Evropian, përfshirë ato që mbështesin separatistët e Polisario-s dhe të rekrutuarit nga bandat e drogës, i bënë presion komitetit për dhënien e çmimit për t'ia dhënë Zefzafit dhe t'i jepte krimeve të tija etiketën e mbrojtjes së të drejtave”.

Lajmi është krejtësisht i rremë. Ai bazohet në fakte të fabrikuara dhe në teoritë e konspiracionit. Parlamenti Evropian kurrë nuk tha se Zefzafi ishte një kriminel, dhe nuk e tërhoqi emrin e tij “nga lista e fituesve”. Ai thjesht nuk u zgjodh për t'i dhënë çmimin. Në fakt, nuk kishte “listë të fituesve”, por vetëm një fitues, Oleg Sentsov.

Protesta e Rif protests dhe shtypja 

Protestat javore [7] për kushtet e këqija socio-ekonomike dhe kundër zyrtarëve të korruptuar të qeverisë në rajonin Rif, të lënë pas dore nga qeveria qendrore, vazhduan derisa autoritetet nisën një goditje të dhunshme në qershor 2017, duke arrestuar [8] 400 aktivistë dhe protestues.

Qeveria injoroi kërkesat e protestuesve, që përfshinin dhënien fund të korrupsionit dhe përmirësimin e infrastrukturës. Protestuesit në vend u etiketuan ” separatistë” dhe u akuzuan se ishin agjentë të huaj që po përpiqeshin të destabilizonin Marokun. Përpjekjet e dokumentuara për censurimin e tyre përfshijnë bllokimin e lidhjeve të internetit gjatë protestave [9].

Më 26 qershor 2018, Gjykata e Shkallës së Parë në Kazablanka dënoi [10] 53 protestues, përfshirë liderët e lëvizjes, me një sërë akuzash, mes të cilave zjarrvënia, rebelimi, dëmtimi i pronës publike, organizimi i protestave pa leje dhe cënimi i sigurisë së brendshme të shtetit. Ata u dënuan me burgim nga një deri në 20 vjet.

Në gusht të vitit 2018, mbreti Mohammed VI fali 184 aktivistë të Hirak, përfshirë 11 nga të arrestuarit në goditjen e qershorit 2017. Pjesa tjetër mbetet prapa hekurave.

Ky nuk është i vetmi artikull që u botua nga media pro-qeveritare për të njollosur Zefzafin. Ai nuk është i vetmi aktivist i Hirakut që shënjestrohet në këto fushata. Ndërsa lëvizja u rrit, mediat qeveritare dhe mbështetësit nisën fushatat në internet për të diskretituar lëvizjen, duke akuzuar udhëheqësit e saj si “tradhtarë”, “të korruptuar” ose “terroristë”, si një mënyrë për t'i penguar ata të protestonin. Fushata dizinformuese vazhdoi pasi aktivistët përfunduan në burg dhe u përballen me gjyqe.

Nawal Benaissa, një tjetër udhëheqëse e lëvizjes Hirak, u dënua [11] me 10 muaj burgim për publikimet në Facebook midis qershorit dhe gushtit 2017, ku i bënte thirrje banorëve të Al Hoceima të bashkoheshin në protesta. Sapo u bashkua me lëvizjen, lajmet e rreme filluan të shfaqen [12] në mediat vendore dhe në rrjetet sociale, me pretendimin se ajo është “një agjente që punon për ambasadat” dhe se merrte fonde nga vendet e huaja për të përhapur dhunë dhe destabilizuar rajonin.

Një gazetar maroken, që preferoi të mbetej anonim për arsye sigurie, tha për Access Now se fushatat e shpifjes nga autoritetet marokene, për të ushtruar presion dhe diskretituar kundërshtarët dhe aktivistët e pavarur, filluan në vitin 2011 gjatë kryengritjeve arabe.

“Faktet dhe ngjarjet mund të shpiken, ose në disa raste, faktet mund të jenë reale, por thellësisht të transformuara dhe të paraqitura me qëllimin për të diskretituar personin,” tha ai.

Ai sqaroi më tej se temat e përsëritura në këto lajme të rreme që synojnë të “shpifin ndaj organizatave dhe individëve që nuk janë besnikë ndaj sistemit ekzistues politik”, përfshijnë seksin e moralin dhe dhe marrjen e parave në këmbim të shërbimit ndaj interesave të huaja. Disa lajme të rreme nga media pro-qeveritare thonin se Zefzafi dhe babai i tij po merrnin fonde për të destabilizuar rajonin Rif dhe Marokun.

Ngacmimi i shënjestruar i aktivistëve të Hirakut është një dëshmi se teksa interneti mund të ofrojë një platformë për të margjinalizuarit, ai gjithashtu mund të lehtësojë viktimizimin e tyre. Kostoja e përhapjes së shpejtë të dezinformimit shfaqet me dhimbje te heshtja e aktivistëve të Hirak-ut dhe zbehja e lëvizjes së tyre që thjesht kërkonin të drejtat e tyre themelore.