- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Zyrtarët: Ndalimi i aplikacioneve të mesazheve po ngadalëson operacionet e shpëtimit gjatë përmbytjeve në Iran

Kategoritë: Lindja e Mesme e Afrika Veriore, Irani, Aksioni humanitar, Liria e fjalës, Media e qytetarëve, Mjedisi, Të drejtat e njeriut, Teknologjia, GV Advocacy

Bllokimi i rrjeteve sociale ndikon negativisht te ndihmat për zonat e përmbytura. Grafikë nga Qendra për të Drejtat e Njeriut në Iran.

Censura shtetërore ndaj aplikacioneve të rrjeteve sociale ka ulur efikasitetin e operacioneve të ndihmës në rajonet e Iranit të prekura nga përmbytjet, tha një zyrtar i një agjencie shtetërore për informacionet për publikun.

“Nëse filtrimi nuk sillte pengesa, operacionet e shpëtimit do të ishin më efektive”, shkroi në Twitter [1] Alireza Moezi, sekretari i Këshillit të Informacionit të Qeverisë, më 24 mars. “Le të mësojmë nga përvojat”.

Moezi gjithashtu deklaroi se disa njerëz po përdorin aplikacionet me anë të Rrjeteve Virtuale Private (VPN) dhe se këto lidhje kanë ndihmuar në përshpejtimin e ndihmave. VPN-të u lejojnë përdoruesve të anashkalojnë censurën.

“Mediat konvencionale kanë mbeten prapa sepse nuk janë në gjendje të shpërndajnë informacionin lehtësisht, si rrjetet sociale”, tha ai.

“Aplikacionet e mesazheve dhe rrjetet sociale kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm si bartës të informatacioneve të shpëtimit, veçanërisht Telegram dhe Twitter,” shtoi ai. Si Twitter ashtu edhe Telegram janë bllokuar në Iran.

Më 2 prill, Morteza Khaledi, zëdhënësi i Organizatës së Shërbimeve të Emergjencave Mjekësore të Iranit, njoftoi se 57 njerëz humbën jetën [2] si pasojë e përmbytjeve të papritura që filluan më 19 mars në 23 nga 31 provincat e vendit. Numri aktual i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.

Zonat e prekura më shumë janë në Iranin jugor dhe qendror, përfshirë provincat Fars, Isfahan dhe Yazd. Guvernatori i përgjithshëm i provincës Khuzestan shpalli gjendjen e jashtëzakonshme më 31 mars pasi u përmbytën ndërtesa dhe ura.

“Nuk është e drejtë të bllokohen njerëzit që përpiqen të shpëtojnë jetën”

Rrjetet e njohura sociale si Facebook dhe Twitter ofrojnë opsione pa pagesë që i lejojnë përdoruesit të informojnë publikun për fatkeqësitë natyrore, të kërkojnë ndihmë ose të të deklarojnë se janë “të sigurtë”. Por të dyja rrjetet janë të bllokuara në Iran.

Në pamundësi për të censuruar postime të veçanta ose llogari specifike në aplikacione, qeveria iraniane ka bllokuar qasjen në shumë shërbime të mediave sociale në vend. Aplikacioni popullor Telegram ishte i fundit që u censurua. Sipas kompanisë, ajo kishte 40 milionë përdorues në muaj në Iran para se të bllokohej [3] në maj 2018.

Ndërsa lajmet dhe pamjet e përmbytjeve filluan të bëhen virale në këto aplikacione që u filtrohet përmbajtja, disa njerëz në Iran filluan të pyesin përse ende nuk kanë akses në to.

Iraniania Nazanin Matinnia shkroi më 1 prill në Twitter një mesazh për ministrin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimeve:

Ju e dini që njerëzit duhet të ndajnë informacione kështu që pse nuk e hiqni filtrin në Telegram?! Ju e dini që shumica e njerëzve përdorin Telegramin dhe media kombëtare Transmetuesi i Republikës Islamike të Iranit kurrë nuk ka qenë bashkëpunues kur kemii nevojë për ndihmë dhe është e paaftë për të bërë ndonjë gjë. A po thoni që njerëzit duhet të vuajnë edhe në këto rrethana? #floods @azarijahromi

Ndërkohë, disa zyrtarë kërkuan rikthimin e shërbimeve. Deputeti Mahmoud Sadeghi shkroi:

Shpresoj që Prokurori i nderuar [Gjenerali Mohammad Jafar Montazeri] të paktën përkohësisht të heqë filtrin në Telegram, në mënyrë që njerëzit ta përdorin atë si një mjet komunikimi

Gazetarët gjithashtu patën vështirësi në marrjen dhe përcjelljen e informacionit; në disa raste u kërkuan kolegëve të postojnë informacione për to, sepse VPN-të, të cilat përdoren për të anashkaluar filtrat shtetërorë, papritur dolën jashtë funksionit gjatë përmbytjeve.

Në Twitter, një përdorues shkroi se një gazetar i kishte dërguar fotografi nga një prej zonave të prekura nga përmbytjet:

Vahid Basereh, një prej gazetarëve lokalë (në qytetin e Ilamit), më dërgoi këto foto përmes WhatsApp-it dhe shkroi: “VPN-ja ime nuk punon. Ju lutemi ta shpërndani këtë informacion: Për shkak të shirave të pandërprera ka rrëshqitje të dheut dhe rënie të shkëmbinjve nga malet në hyrje të qytetit.

Duke komentuar mbi këtë postim në Twitter, reporteri i BBC Persian, Kayvan Hossein shkroi [14]:

Ky postim ka dy aspekte të rëndësishme të cilat janë të tmerrshme: E para, për situatat e rrezikshme të shkaktuara nga rrëshqitja e dheut dhe shkëmbinjve malorë dhe tjetra në lidhje me VPN-in e tij që nuk punon. Në situatat ku shkëmbimi i informacionit është jetësor, censura mund të shndërrohet në një fenomen vdekjeprurës.

Ndërsa iranianët patën vështirësi në marrjen e informacioneve mbi përmbytjet, zyrtarët iranianë, përfshirë liderin suprem, Ali Khamenei dhe Presidentin Hassan Rouhani postuan pa problem në Twitter dhe Telegram, të cilat janë të bllokuara për publikun iranian.

Shumë përdorues iranianë të internetit shkruan mesazhe për Ministrin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimeve, Mohammad Javad Azari Jahromi [17].

Parvin Mohammadi, i cili e përshkruan veten si një psikolog për fëmijët, shkroi në Twitter:

Fshatrat në provincën Lorestan po përballen me përmbytje dhe banorët nuk kanë as mjetet e për të kërkuar ndihmë. Nuk ka lajme nga këto fshatra. Nuk ka lidhje interneti. Aplikacionet e mesazheve punojnë me VPN, por lidhjet janë kaq të dobëta saqë është pothuajse e pamundur të shpërndash informacione. Teksa ndodhin përmbytjet, çfarë po bën ministri i ri @azarijahromi?

Jalal Rouhani, që identifikohet si ekspert i teknologjisë së informacionit, shkroi në Twitter:

Shpresoja që Twitter të mos ishte filtruar. Mallkuar qofshin ata që: kanë vendosur filtra, ata që vendosën sanksione dhe ekstremistët.

Gazetarja Parastoo Beiranvand shkroi:

Në kushtet e krizës aktuale, kur rrugët janë bllokuar dhe ne nuk mund të marrim informacione, është e nevojshme që të lejohen komunikimet pa filtra. A nuk duhet të mendoni për këtë ministër @azarijahromi dhe të paktën të hiqni filtrat përkohësisht?

Sipërmarrësi Jalal Ofteadeh shkroi:

Uroj të paktën të hapin aksesin në Twitter dhe Telegram për të shpërndarë informacione rreth krizës dhe kur niveli i ujit të bjerë, t'i vendosin sërish filtrat. Sigurisht, ndoshta ata mendojnë se shkëmbimi i informacionit nuk është i mirë në asnjë rrethanë.

Reporteri Hossein Dehbashi shkroi:

Llogaritë e Twitter që i përkasin udhëheqësit suprem, kreut të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, shefit të gjyqësorit dhe kreut të Organizatës Kombëtare të Auditimit po postojnë urdhra urgjentë dhe vendimtarë në lidhje me trajtimin e situatës së përmbytjeve në provincën Golestan. Kjo ndodh në një kohë kur Twitter është i bllokuar dhe ju nuk mund ta përdorni atë pa VPN. Kjo do të jetë e vështirë për t'u shpjeguar në histori.

Aktivisti Sina Qelich shkroi:

Në këto rrethana, Organizata e Menaxhimit të Krizave mund të bëjë një kërkesë për të hequr filtrin në Telegram. Pavarësisht filtrit, Telegrami ishte burimi kryesor i informacionit. Nuk është e drejtë të bllokosh njerëzit që përpiqen të shpëtojnë.

Javën e kaluar autoritetet iraniane paralajmëruan qytetarët se mund të ndiqeshin penalisht [35] për postimin online të fotografive ose videove nga përmbytjet dhe se do të përballeshin me akuzën “shqetësim të opinionit publik”.