- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Indi: Gazeta e fundit në botë e shkruar me dorë

Kategoritë: Azia Jugore, India, Historia, Media e gazetaria, Media e qytetarëve

Format e para të gazetave [1] kanë qenë të shkruara me dorë dhe tani ‘The Musalman [2]‘ me gjasë është gazeta e fundit në botë e shkruar me dorë. Kjo gazetë në gjuhën urde është themeluar në vitin 1927 nga Chenab Syed Asmadullah Sahi dhe që atëherë shtypet për çdo ditë në qytetin indian Chennai.

Sot gazetën e udhëheq nipi i  Syed Asmadullah-ut, Syed Arifullah, ndërsa në katër faqet e gazetës për çdo ditë punojnë gjashtë kaligrafë të shkathtë. Me tirazh prej rreth 23,000 ekzemplarësh, kjo gazetë sjell lajme në gjuhën urde nga një spektër i gjerë lëmish, duke përfshirë politikën, kulturën dhe sportin.

Me zhvillimet e fundit teknologjike, ku gazetat prej letre po ua lëshojnë vendin atyre elektronike, është shumë e vështirë të gjendet një gjë që të prek personalisht. Çmimi i kësaj gazete është 75 Paise [3] (përafërisht 2 cent amerikanë).

Signboard of the office. Screenshot from the video The Musalman

Signboard of the office. Screenshot from the video The Musalman

MadanMohan Tarun [4] raporton:

Tani gazetën e redakton z. Syed Arifullah. Ai e mori përsipër këtë detyrë pas vdekjes së babait të tij. Babai i tij e udhëhoqi gazetën për 40 vite me radhë. Ajo është themeluar nga gjyshi i tij në vitin 1927. Kjo gazetë e ka ruajtur pamjen e saj origjinale dhe nuk e kanë përdorur fontin kompjuterik të gjuhës urdu. [..]

Përgatitja e secilës faqe të saj zgjat rreth tre orë. Pasi të pranohen lajmet në gjuhën angleze nga raportuesit part-time, ato përkthehen në gjuhën urde dhe pastaj Katibët – shkruesit arabë, që i janë përkushtuar artit të motshëm të kaligrafisë urde, me penë e shkruajnë ngjarjen në letër. Pas kësaj, përgatitet kopja negative e gjithë gazetës së shkruar me dorë dhe ajo shtypet në tabela për shtypje.

Afsar Shaheen [5] sqaron në një postim në Luthfispace [6] se pse akoma shfrytëzohet litografia:

Shkronjat e shtypit të gjuhës urde janë shumë të vështira; përveç kësaj, shkronjat e shtypit duken të shëmtuara në krahasim me shkronjat e dorës. Prandaj, gjuhe urde ka shfrytëzuar litografinë, përderisa gjuhët e tjera i pranuan shkronjat e shtypit.

Me paraqitjen e kompjuterëve, shkrimi i gjuhës urde fitoi një shtytje të madhe. Ato e mundësuan shkrimin kaligrafik pa problemet që e shoqërojnë litografinë. Megjithatë , një libër ose një gazetë e shkruar nga një katib i mirë dhe që ka kaluar nëpër një proces adekuat të litografisë, duket shkëlqyeshëm dhe bukur, dhe as që mund të krahasohet urdishten e shkruar me kompjuter.

Shihni këtë video të përgatitur dhe të prodhuar nga Ishani K. Dutta [7] që është vendosur në YouTube [8] nga Sektori për diplomaci publike i Ministrisë për punë të jashtme të Indisë: