- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Protesta në Hong Kong kundër amendamentit që lejon ekstradimet në Kinën kontinentale

Kategoritë: Azia Lindore, Hong Kong (Kinë), Kina, Ligji, Media e qytetarëve, Politika, Protesta
[1]

Protestë kundër amendimit të ligjit mbi ekstradimin. Foto: Holmes Chan/HKFP.

Ky artikull u shkrua fillimisht nga Holmes Chan dhe u publikua [1] në Hong Kong Free Press (HKFP) më 31 mars 2019. Versioni i redaktuar ribotohet në Global Voices sipas marrëveshjes së bashkëpunimit.

Mijëra vetë protestuan më 31 mars 2019 kundër një amendamenti të pritshëm të ligjit të ekstradimit në Hong Kong, që i lejon Kinës të ekstradojë “të arratisurit” nga Hong Kongu. Protestuesit shqetësohen duke thënë se ligji do të sjellë abuzime me ekstradimin e disidentëve politikë në Kinën kontinentale.

Organizatorët e grupeve pro-demokracisë dhe Frontit Civil të të Drejtave të Njeriut thanë se 12,000 njerëz morën pjesë në marshimin nga Southorn Playground në Wanchai në selinë e qeverisë në Admiralty. Policia tha se të pranishëm ishin 5.200 persona. Demonstrata shënoi një nga më të mëdhatë për vitin 2019.

Organizatorët e protestës i kërkuan qeverisë të tërheqë amendamentin dhe u zotuan se do të zhvillojnë protesta të tjera javën e ardhshme, nëse qeveria përpiqet ta miratojë ligjin.

Hong Kongu në të kaluarën ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe ekstradimi me juridiksione specifike, por muajin e kaluar, qeveria propozoi një sistem që do të shqyrtonte çdo rast më vete, e që do t'i lejonte autoriteteve të qytetit të shqyrtonin edhe kërkesat e ekstradimit nga juridiksione, me të cilat nuk ka marrëveshje paraprake – kryesisht nga Kina dhe Tajvani.

“Me ekstradimet në Kinën kontinentale, Hong Kongu bëhet një burg i errët”, thanë protestuesit që sfiduan shiun. “Ndaleni ligjin e keq”.

Do të preken edhe shtetasit e huaj që punojnë ose udhëtojnë në qytet

Ligjvënësja Claudia Mo, nga kampi pro-demokracisë, tha se amendamenti do të kishte implikime të tmerrshme jo vetëm për banorët e Hong Kongut, por edhe për shtetasit e huaj që punojnë dhe udhëtojnë në qytet.

[1]

Protestuesit janë të shqetësuar se marrëveshja e ekstradimit, nëse miratohet, mund të sjellë abuzime me arrestimin e disidentëve politikë në Hong Kong. Foto: Tom Grundy/HKFP.

Mos mendoni se ky është një ndryshim i vogël i ligjit … do të preken të gjithë. Ai do të hedhë një rrjetë mbi të gjithë Hong Kongun.

Librari Lam Wing-kee, i cili thuhet se u rrëmbye [2] kur u arrestua nga autoritetet e Kinës kontinentale në vitin 2015, ishte në ballë të protestës të së dielës.

Lam është themeluesi i Causeway Bay Books, i njohur për titujt bombastikë e sensacionalë mbi temat e ndaluara në Kinën kontinentale. Ai u zhduk në Shenzhen në tetor të 2015-ës. Më pas ai u shfaq në një kanal televiziv kinez “duke rrëfyer” [3] se kishte bërë një krim: drejtimin e një biznesi – së bashku me katër librarët e tjerë të zhdukur- të cilët “në mënyrë të paligjshme” dërgonin libra në Kinën kontinentale. Lam iu drejtua protestuesve.

Mendoja se mund të qëndroja në Hong Kong për tetë apo 10 vjet, por tani e di që nuk mundem. Nëse ky ndryshim miratohet, nuk jam vetëm unë që duhet të largohem. Unë mendoj se shumë njerëz [në Hong Kong] nuk kanë as idenë më të vogël se ai do të ndikojë edhe mbi ta.

Librari do të ikë nga Hong Kongu para amendimit të ligjit

Lam më parë ka deklaruar për mediat vendore se protesta e së dielës do të ishte hera e fundit që ai do të dilte në rrugë, pasi ai do të largohej para se amendamenti të shndërrohet në ligj.

Sekretari për Sigurinë John Lee tha se kishte mekanizma mbrojtës të të drejtave të njeriut në mënyrë që askush të mos ekstradohej për qëllime politike.

Javën e kaluar, Lee njoftoi një kompromis të pjesshëm në amendament, duke përjashtuar nëntë lloje të krimeve tregtare [4], pas presionit nga komuniteti i biznesit. Projektligji do të dërgohet në Këshillin Legjislativ të mërkurën, më 2 prill dhe qeveria pret që të miratohet para korrikut.

Mo tha se fronti pro-demokracisë po shqyrtonte mundësinë për thirrjen e protestave për të rrethuar Kuvendin në shenjë proteste.

Më keq se aplikimi i ligjit të sigurisë kombëtare

Jimmy Sham, nga Fronti për të Drejtat e Njeriut, tha se amendamenti ishte më i keq sesa neni 23 i Ligjit Bazë – i cili thotë se Hong Kongu duhet të aplikojë ligjin për sigurinë kombëtare.

Neni 23 të paktën kërkon që ligji të miratohet në Hong Kong dhe njerëzit do të dalin në gjyq dhe do të dënohen këtu. Por sipas [ligjit të ekstradimit] duhet vetëm firma e guvernatorit që një person të ekstradohet në Kinën kontinentale, ose edhe në Korenë e Veriut. Heqja e krimeve tregtare nga amendamenti ishte vetëm një masë për të evidentuar sektorin e biznesit.

Në marshim pati shumë figura të profilit të lartë nga kampi pro-demokraci, përfshirë kardinalin Joseph Zen, avokatët Martin Lee dhe Margaret Ng si dhe pronarin e Apple Daily, Jimmy Lai.

Mes protestuesve të rinj ishin grupi politik Demosisto si dhe përfaqësues nga sindikatat e studentëve të katër universiteteve vendore. Një grup i vogël njerëzish gjithashtu mbanin flamuj pro-pavarësisë.

Cheung, një prind 40-vjeçar që kishte ardhur me të bijën, i tha HKFP se nuk kishte besim fare te sistemi gjyqësor i Kinës kontinentale.

Nuk ka asnjë arsye të besojmë se do të gjykohemi në mënyrë të drejtë. Pse po i ulim standardet kaq thjesht?

Një tjetër protestuese, që donte të mbetej anonime, i tha HKFP se qeveria ishte në mënyrë të padrejtë në favor të komunitetit të biznesit.

Pse qeveria reagon vetëm kur [bizneset] frikësohen? Nuk është e drejtë që të kenë mundësinë që të kërkojnë heqjen e disa krimeve nga amendamenti.

Muajin e kaluar, guvernatorja Carrie Lam tha se propozimi i ri për ekstradimet [5] synonte mbulimin e një boshllëku në ligjin aktual dhe se publiku nuk duhet të shqetësohet [6].