- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Dënohet me burg DJ brazilian. Mendohet se zhanri muzikor mund të jetë shkaku i vërtetë

Kategoritë: Amerika Latine, Brazili, Art e Kulturë, Kombësia e Raca, Media e qytetarëve, Muzika, Të rinjtë

DJ Rennan da Penha. Foto: YouTube/Rennan Da Penha

24 vjeçari Rennan da Penha është një DJ brazilian i muzikës funk dhe themeluesi i asaj që padyshim është festa më e madhe e këtij zhanri në Rio de Zhaneiro. Baile da Gaiola [1], që do të thotë “topi në kafaz” në portugalisht, mbledh rreth 25,000 njerëz [2] në Complexo da Penha Favela çdo javë.

Javën e kaluar, një gjykatë apeli e dënoi [3] Rennanin me gjashtë vjet e tetë muaj burg për “lidhje me trafikun e drogës”. Një vendim i mëparshëm e kishte konsideruar të pafajshëm [3] Rennanin për shkak të mungesës së provave, por prokurori publik e apeloi atë.

Avokatët e Rennan kanë kërkuar gjithashtu miratimin nga gjykata [4] që Rennanin të lirohet ndërsa apelojnë dënimin e ri para Gjykatës së lartë të Brazilit. Sipas Folha de S. Paulo [5], urdhri për burgosjen ende nuk është lëshuar.

Dënimi i këtij personazhi të famshëm të muzikës funk braziliane ka ndezur një debat rreth racizmit dhe kriminalizimit të festave funk në vend.

@rennan_penha është një nga zbulimet më të mëdha të favela-s (zonë informale banimi) gjatë viteve të fundit, një djalë që erdhi nga askund dhe që u bë një fenomen kombëtar përmes FUNK. Burgosja e tij është politike, raciste dhe fanatike, sulmon FUNK, FAVELA dhe ngritjen e dikujt që erdhi nga askund dhe u bë gjigant.

Mbrojtja 

Aktivisti Raull Santiago, i cili dëshmoi në favor të Rennanit gjatë dënimit për herë të parë, i tha Global Voices se ai ishte “ngatërruar me disa njerëz të tjerë”, të cilët ishin akuzuar për trafik droge në të njëjtin proces. Gjatë seancave, thotë Raull, dëshmitarët treguan se Rennan nuk ishte i lidhur me tregtinë e drogës në favela.

Pas dënimit me burg të Rennan, miqtë dhe mbështetësit e tij hapën një faqe interneti të quajtur “Deixa Eu Dançar” [8] (Më lër të kërcej), ku ata paraqesin argumentet e bëra nga prokurorët dhe gjyqtarët dhe përpiqen t'i hedhin poshtë ato.

Për shembull, vendimi i gjykatës thotë se muzika e Rennanit “lartëson trafikimin e drogës”; faqja e internetit përgjigjet duke thënë se tekstet e tij thjesht shprehin jetën e përditshme në një favela.

Një argument i prokurorisë janë mesazhet e Rennan neë WhatsApp, ku ai flet për rrugët që patrulloheshin nga policia në Complexo da Penha. Prokuroria thotë se ai ruante lëvizjet e policisë dhe informonte bosët e drogës.

Faqja e internetit argumenton se ky është një lloj i zakonshëm informacioni që përcillet mes banorëve të favela-s, të cilët shpesh keqtrajtohen nga policia. Duke folur me Global Voices, Raull thotë se informacioni është i dobishëm për njerëzit që kërkojnë të shmangin zonat ku mund të ndodhë konflikt i armatosur.

Një nga videot më të fundit postuara në Twitter nga Raull [9] tregon një oficer policie që qëllon me armë dhe kërcënon kalimtarët e tjerë, duke u thënë “ti je i radhës”.

Një pikë tjetër e ngritur nga gjyqtarët është se Rennan publikisht lavdëroi njerëzit e akuzuar për trafik droge të cilët janë vrarë. Faqja e internetit përgjigjet: “Nuk është krim të vajtoni vdekjen e dikujt me të cilin jeni rritur pavarësisht gabimeve që mund të kenë bërë në jetët e tyre”.

Në dosjen e tij, ka një foto të Rennan që pozon me një armë. Mbrojtja pretendon se arma është e rreme dhe fotografia është bërë gjatë karnavaleve. Pas kqyrjes së saj, gjyqtari i parë i çështjes hodhi poshtë akuzat për Rennanin, thotë faqja.

Paragjykimi

Bazuar drejtpërsëdrejti te Miami bass, funk carioca doli si një zhanër muzikor në vitet '80 në lagjet e varfra të Rio de Zhaneiros.

Për të mos u ngatërruar me stilin amerikan të viteve '70, funk-u brazilian [12] (funk carioca) fillimisht prodhohej thjesht, me një numër të kufizuar të ritmeve dhe melodive që ishin në pothuajse çdo këngë. Sot, festat funk tërheqin miliona njerëz nga shtresa të ndryshme sociale në Brazil dhe janë një industri disa miliona dollarëshe.

Megjithatë, ashtu si samba-n shumë dekada më parë, elitat e të bardhëve – dhe policia dhe gjykatat – e paragjykojnë zhanrin (po, samba përbuzej nga elitat para se të bëhej simboli kombëtar i Brazilit).

Në Rio de Zhaneiro ka ligje që e njohin funk-un si pjesë të trashëgimisë kulturore, por kjo nuk duket se ka ndaluar valën e kriminalizimi të funk kohët e fundit . Siç thotë Raull Santiago:

Esse processo de condenação é uma situação muito grave, que passa pelo processo de criminalização das favelas, das periferias, da juventude negra, da ascensão das pessoas que vêm desses lugares, que fazem dinheiro, que empregam pessoas. Acho que tem uma questão racial e uma questão da desigualdade e do preconceito histórico implícita nesse processo.

Ky dënim paraqet një situatë shumë serioze, e cila kalon përmes kriminalizimit të favelave, periferive, të rinjve me ngjyrë, njerëzve që vijnë nga këto vende e kanë sukses dhe punësojnë të tjerë. Unë mendoj se çështja racore dhe çështja e pabarazisë dhe paragjykimit historik, janë të gjitha të përfshira në këto akuza.