- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Prag zgjedhjesh në Ukrainë: Dizinformim, sulme kibernetike e ndërhyrje ruse

Kategoritë: Europa Lindore e Qendrore, Rusia, Ukraina, Aktivizmi dixhital, Lufta e konflikti, Marrëdhëniet ndërkombëtare, Media e qytetarëve, Politika, Teknologjia, Zgjedhjet, GV Advocacy
[1]

Ushtarë lodra duke “pushuar” hapësirën kibernetike. Foto nga Filip Stojanovski, CC-BY.

Ukrainasit do votojnë të dielën më 31 mars [2] në zgjedhjet e para kombëtare të rregullta që nga revolucioni Euromaidan i 2014-ës.

Me gadishullin e Krimesë ende të pushtuar nga forcat ruse, një konflikt ushtarak në vazhdim në Ukrainën lindore dhe me rritjen e veprimtarisë së grupeve të ekstremit të djathtë [3], vendi është në qendër të operacioneve të influencimit të informacionit si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë.

Ukraina ka qenë e përfshirë në betejën e dizinformatave që nga viti 2014, me aktorë të shumtë politikë që përpiqen të pengojnë zhvillimin demokratik. Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të jenë një provë vendimtare për demokracinë dhe stabilitetin e Ukrainës.

A mund t'i ndalojë Facebook këto fushata?

Pjesa më e madhe ka ndodhur në Facebook, që është rrjeti social më popullor [4] në vend. Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të shoqërisë civile dhe grupeve të medias, Facebook ka bërë relativisht pak për të adresuar problemin e dizinformimit në të kaluarën. Por kompania ndryshoi qëndrim në janar, kur publikisht njoftoi se kishte ndërmarrë hapa për të parandaluar fenomenin.

Duke përmendur kërcënimin e ndikimit të huaj, kompania ndryshoi politikën e saj ndaj Ukrainës [5] për periudhën zgjedhore, duke ndaluar të gjitha reklamat politike të blera jashtë vendit (duke përfshirë ato që kanë të bëjnë me politikanët, partitë politike, parullat dhe simbolet, që mobilizojnë apo shkurajojnë votuesit) dhe u zotua se do të monitorojë nga afër sjelljet e përdoruesve.

Më 17 janar, Facebook [6] raportoi se kishte mbyllur faqe të shumta dhe llogari në Facebook dhe Instagram, që kishin lidhje me dy operacione qëllimkëqinj që filluan në Rusi dhe dukej se kishin përdoruesit e Ukrainës si objektivë kryesorë.

Një grup prej 289 faqesh i mbyllur nga kompania ishte aktiv në Azinë Qendrore, Kaukazin, Baltikun dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Facebook gjithashtu hoqi 107 faqe dhe 41 llogari në Instagram që operonin në mënyrë specifike në Ukrainë. Facebook i përshkroi aktivitetet e tyre si “krijim i rrjeteve të llogarive për të mashtruar të tjerët për atë se kush ishin dhe çfarë po bënin”. Llogaritë dhe faqet ishin të lidhura me punonjësit e agjencisë shtetërore ruse të lajmeve Sputnik [7], por individët pas tyre ishin përfaqësuar si ukrainas.

Sipas Facebook, rrjeti i fokusuar në Ukrainë shpërndau lajme lokale mbi tema të ndryshme dhe shpenzoi rreth 25,000 dollarë amerikanë në reklama [6]. Aktivitetet e grupit u ngjanin sjelljeve të Agjencisë Kërkimore të Internetit të Rusisë (IRA), e cila u zbulua se kishte drejtuar operacionet e influencës në internet gjatë zgjedhjeve të vitit 2016 [8] në SHBA.

Dizinformimi rus në Ukrainë nuk është fenomen i ri

Ekzistojnë dëshmi të mjaftueshme që aktorët dhe bashkëpunëtorët rusë kanë vënë në shënjestër Ukrainën me fushata dizinformimit që nga viti 2014.

Në vitin 2016, faqja ukrainase e internetit Texty.org.ua zbuloi një rrjet të koordinuar [9] prej më shumë se 2,000 profilesh në Facebook të lidhur me një kompani ruse profilesh të rreme, e cila për gati tetë muaj ndërmori një fushatë online me synim rrëzimin e qeverisë së Ukrainës.

Një studim i fundit nga VoxUkraine [10] shqyrtoi më shumë se nëntë milionë postime në Twitter të lidhura me IRA, nga të cilat 750,000 lidheshin me Ukrainën. Kjo fushatë dizinformuese duket se është nxitur nga revolucioni Euromaidan 2014 [11] dhe ka fituar vazhdimisht terren nëpërmjet pushtimit dhe aneksimit të Krimesë. Fushata u intensifikua ditën pasi avioni malajzian [12] me numër fluturimi MH17 [12] u rrëzua në Ukrainën lindore.

#Euromaidan protesters fill central Kyiv on Dec. 1, 2013. Photo by Alexandra Gnatoush. Used with permission.

Protestuesit #Euromaidan mbushin qendrën e Kievit në 1 Dhjetor 2013. Foto nga Alexandra Gnatoush. E përdorur me leje.

Këto dhe raste të tjera kanë nxitur kërkuesit në Institutin e Internetit të Oksfordit [13] për të deklaruar se Ukraina mund të jetë shtëpia e “rastit më të avancuar global të propagandës kompjuterike”.

Qytetarët-gazetarë dhe studiuesit e pavarur gjithashtu kanë luajtur një rol kyç në luftën ndaj dizinformimit rus [14] dhe njoftimit të qeverisë ukrainase dhe komunitetit ndërkombëtar rreth kërcënimeve që ai paraqet. Pavarësisht këtyre përpjekjeve dhe thirrjeve nga zyrtarët publikë – duke përfshirë presidentin Poroshenko, i cili sugjeroi publikisht se Facebook duhet të hapë një zyrë në Ukrainë [15] – Facebook nuk u përgjigj [16] deri në vitin 2019.

Duket se ndërhyrja ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 dhe presionet pasuese të publikut (së bashku me presionin e ligjvënësve amerikanë) kanë detyruar Facebook të reagojë më aktivisht ndaj kërcënimeve të dizinformimit, veçanërisht kur vijnë nga Rusia dhe ka në shënjestër zgjedhjet demokratike.

Por, ndërsa përpjekjet e fundit të kompanisë mund të jenë një hap në drejtimin e duhur, mund të jetë shumë vonë.

Dizinformim i shtuar, sulme kibernetike dhe llojet e tjera të ndërhyrjeve

Facebook ose ndonjë platformë tjetër teknologjike mund të ndryshojnë politikat ose t'i përkushtojnë më shumë kohë monitorimit të aktivitetit të përdoruesit në disa vende. Për më tepër, disa nga këto ndryshime të politikave mund ta përkeqësojnë situatën duke e lënë në hije aktivitetin qëllimkeq.

Përdoruesit e Facebook dalluan shpejt disa faqe popullore [17] me përmbajtje politike që dukej se vinin nga Ukraina por që drejtoheshin nga Rusia pasi u kërkua identifikimi dhe vendndodhja e administratorëve të faqeve publike dhe llogarive të e verifikuara. Në vitin 2018, shërbimet sekrete ukrainase paralajmëruan për një tentativë të Rusisë për të ndikuar në zgjedhjet e ardhshme duke paguar [18] administratorët e grupeve popullore të Facebook në Ukrainën lindore dhe punësimin e shtetasve ukrainas për të ngritur dhe regjistruar faqet e lajmeve në vend. Atyre iu ofruan stimuj monetarë për të shpërndarë përmbajtjen e prodhuar nga rusët përmes llogarive të tyre të rrjeteve sociale dhe platformave në internet. Në raste si këto, ndërhyrjet e huaja do të ishin shumë më të vështira për t'u zbuluar, për të mos folur për ekspozimin dhe luftimin e tyre.

Vëzhguesit në Task Forcën e Zgjedhjeve të Ukrainës thonë se qëllimi i Rusisë nuk është të ndihmojë një kandidat të veçantë, por “të delegjitimizojë plotësisht procesin zgjedhor” [19].

Sikur veprimet e aktorëve të huaj të mos ishin të mjaftueshme, aktivistët ukrainas, si “bot busters” [20] politik, vazhdojnë të zbulojnë prova të përpjekjeve të politikanëve të brendshëm për të manipuluar opinionin publik nëpërmjet përdorimit të llogarive joautentike. Përveç kësaj, rregullat e fushatave politike në internet janë të vjetra dhe lënë hapësira për manipulime të mëtejshme.

Aktualisht, dizinformimi në Ukrainë është më aktiv [21] dhe incidente të tjera të lidhura me teknologjinë janë në rritje. Vetëm dhjetë ditë para zgjedhjeve, kreu i policisë kibernetike të Ukrainës njoftoi se janë shtuar sulmet rritura në infrastrukturën zgjedhore të Ukrainës [22] nga grupet e hacker-ëve të lidhur me Rusinë. Disa ditë më vonë, një e-mail i rremë [23] në lidhje me rregullat e zgjedhjeve u dërgua në emër të Ministrit të Brendshëm të Ukrainës.

Krahas shërbimeve shtetërore të sigurisë që punojnë për të luftuar ndërhyrjen e jashtme gjatë zgjedhjeve, është jetike që aktivistët, kërkuesit dhe grupet e shoqërisë civile të kontrollojnë faktet, komunikimet publike dhe iniciativat për vëzhgimin e zgjedhjeve në terren gjatë ditës së votimit.