- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Si u fut politika kineze në çmimet Oskar 2023?

Kategoritë: Azia Lindore, Hong Kong (Kinë), Kina, Malajzia, Art e Kulturë, Filmat, Media e qytetarëve, Politika, Të drejtat e njeriut

Michelle Yeoh në skenën e Oskarit 2023. Foto nga video në YouTube e ABC7 [1]

Përkundër asaj që disa mund të argumentojnë [2], shfaqjet e çmimeve në SHBA, Oskar, janë gjithmonë politike [3]. Këtë vit, ceremonia e 95-të e Oskar-it është ndërlidhur me politikën kineze për dy arsye: Së pari, Michelle Yeoh ishte gruaja e parë aziatike që u vlerësua si aktorja më e mirë për rolin e saj në filmin “Everything Everywhere All At Once” (Gjithçka kudo dhe përnjëherë). Mediat sociale kineze përdorën fitoren e aktoreve kinezo-malajziane si dëshmi të rritjes së Kinës në kinemanë globale. Megjithatë, për ironi, filmi me shtatë çmime nuk u shfaq në kinematë e Kinës kontinentale [4] pasi përshkruante materiale që konsideroheshin subversive. Së dyti, aktori pro Pekinit nga Hong Kongu, Donnie Yen, i cili mbështeti shtypjen e Pekinit ndaj protestave të Hong Kongut në vitin 2019, u ftua si prezantues i çmimeve. Vendimi solli një peticion në internet.

Postimi në Twitter i karikaturistit politik Badiucao përmblodhi ironinë e dy polemikave:

Michelle Yeoh, gruaja e parë aziatike që fitoi #Oscar Aktorja më e Mirë. Filmi i saj The Lady është i ndaluar në Kinë për mbështetjen e të drejtave të njeriut. Gjithashtu #Oscars fton Donnie Yen, një anëtar i Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez për të folur. Cili është mesazhi këtu?

Yeoh është një grua kineze Hokkienese [9] e lindur në Malajzi, e cila u transferua në Britani me familjen e saj kur ishte 15 vjeç. Ajo filloi karrierën e saj të aktrimit në Hong Kong dhe u bë një yll i famshëm aksioni në Azi. Një tjetër film i saj, “The Lady” (2011), një film biografik për Aung San Suu Kyi [10], udhëheqësen e lëvizjes demokratike të Birmanisë (Mianmarit), u ndalua gjithashtu në Kinë pasi udhëheqësit ishin të shqetësuar se një film pro-demokracisë [11] mund të minonte Partinë Komuniste Kineze (PKK). Michelle Yeoh luan Aung San Suu Kyi në film dhe ajo nuk u përmbajt të tregojë mbështetjen e saj [12] për protestuesit e Mianmarit pas grushtit të shtetit të vitit 2021 [13].

Michelle Yeoh dhe narrativa racore e etnike kineze

Kasti i filmit “Çdo gjë kudo, përnjëherë”, i cili fitoi filmin më të mirë këtë vit. Foto nga kanali i YouTube i ABC7 [1]

Everything Everywhere All At Once [14]” fitoi shtatë çmime Oskar, duke përfshirë filmin më të mirë, aktoren më të mirë dhe regjisorin më të mirë. Filmi është një komedi absurdiste që paraqet një emigrante kinezo-amerikane, të luajtur nga Yeoh, që udhëton nëpër një multivers, duke marrë forma dhe identitete të ndryshme dhe përfundimisht, duke zgjedhur të vazhdojë jetën e saj si një nënë e stresuar e një vajze lezbike rebele. Filmi nuk u shfaq në Kinë pasi përshkrimi i një multiversi seksualisht të larmishëm është i pakëndshëm [15] për censurën kineze [15], pasi bie ndesh me projektin kontinental kinez për ringjalljen e një “qytetërimi shpirtëror socialist të epokës së re [16]“.

Ndërsa filmat më të shquar të Yeoh nuk mund të shfaqeshin në kinematë kontinentale kineze, patriotët kinezë në internet kanë qenë të etur për të vënë në dukje origjinën etnike kineze të Yeoh për të festuar ngritjen e Kinës dhe Azisë. Hu Xijin, komentatori kryesor nga Global Times i financuar nga shteti, udhëhoqi [17] “këndvështrimin kinez” të Oskarëve për aktoren më të mirë në Weibo:

祝贺杨紫琼女士,好为她高兴。中国在崛起,亚洲在崛起,华裔以及亚裔人士一定会在世界受到更多关注和凝视,还有尊重以及复杂的对待。一定会有更多华裔人士乘势飞扬,通过努力和博弈走向各领域的巅峰。是时候了,加油,世界各地有中国血脉和中华文明基因的人们,无论你今天在哪里,祖上是哪个国家的华人。

Urime Michelle Yeoh. Sa i lumtur për të. Kina po rritet dhe Azia po rritet. Njerëzit me origjinë kineze dhe aziatike do të marrin patjetër më shumë vëmendje, vështrim dhe respekt në të gjithë botën. Më shumë njerëz me origjinë kineze do të fluturojnë dhe me përpjekjet dhe betejat e tyre, ata do të qëndrojnë në krye të të gjithë sektorëve. Ka ardhur koha. Vazhdo! Njerëz nga e gjithë bota që mbajnë gjakun dhe gjenet e kinezëve, pavarësisht se ku jeni dhe pavarësisht nga kombësia e të parëve tuaj.

Hu mori disa “duartrokitje” në mediat sociale kineze dhe shumë e kurorëzuan Michelle Yeoh si një “fener të popullit kinez” (華人之光). Megjithatë, jashtë Kinës, të tjerët e kundërshtuan pretendimin. Nën postimin e Hu Xijin [18], shumë përdorues të Twitter pyetën pse filmat e Yeoh nuk janë të disponueshëm në Kinë dhe disa talleshin me mesazhin e Hu. Dikush [19] shpjegoi mesazhin politik pas pretendimit të Hu:

Ajo që Hu me të vërtetë donte të thoshte është: Michelle Yeoh, mos harroni të falënderoni Partinë Komuniste Kineze. Edhe pse filmi juaj nuk mund të shfaqet në Kinë, ju i detyroheni partisë sonë të madhe komuniste. Pavarësisht se ku keni lindur, kinezët janë përgjithmonë borxhlinj ndaj partisë komuniste kineze.

Prania e diskutueshme e Donnie Yen në ndarjen e çmimeve Oskar

Një tjetër polemikë qëndron në vendimin e Akademisë për të ftuar Donnie Yen si prezantues të çmimeve Oskar. Yen konsiderohet ylli kryesor i aksionit të Kinës dhe ka luajtur në shumë filma patriotikë Kungfu, të cilët shfaqin një hero që godet ngacmuesit stereotipikë japonezë dhe perëndimorë, të ilustruar nga seria “Ip Man [20]“.

Imazhi i tij në filma përshtatet mirë me ideologjinë zyrtare të qeverisë kineze. Në vitin 2017, Yen po qëndronte pranë presidentit kinez Xi Jinping në 20-vjetorin e dorëzimit të Hong Kongut te Kina [21], siç tregohet në postimin në Twitter të Anna Kwok:

Nga e majta në të djathtë: Kryetari i Partisë Komuniste Kineze (PKK), Xi Jinping; Anëtari i Konferencës Konsultative Politike të PKK-së, Donnie Yen; Ish-shefja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam

Gjatë protestave kundër ekstradimit të vitit 2019, si shumë në sektorin kinez të argëtimit, Donnie Yen u bëri jehonë narrativave zyrtare të Pekinit duke i etiketuar protestat si trazira. Rachel Cheung, një gazetare nga Vice News, theksoi pozicionin e tij politik:

Qëndrimi i tij pro Pekinit acaroi shumë persona në qytetin e tij, veçanërisht gjatë protestave të vitit 2019. Ai e dyfishoi këtë në intervistën me GQ. “Nuk ishte një protestë, në rregull, ishte një trazirë… Shumë njerëz mund të mos jenë të lumtur për atë që po them, por unë po flas nga përvoja ime.”

Ai kritikoi gjithashtu mediat perëndimore, në veçanti BBC, se ishin të njëanshme kundër Kinës në raportimet e tyre. Në fillim të këtij viti, ai u emërua [30] në Konferencën Konsultative Politike të Popullit Kinez si përfaqësues.

Disa e quajtën komitetin e Oskar hipokrit në ftesën e Donnie Yen, pasi ata kishin refuzuar [31] më parë kërkesën e ish-aktorit komik dhe presidentit aktual të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy për t'u paraqitur në ceremoni përmes Telecast për dy vjet radhazi.

Si reagim, një grup kundërshtarësh politikë jashtë Hong Kongut nisën një peticion në internet [32] kundër vendimit të Oskar-it për të ftuar Yenin si prezantues të çmimeve.

Dizajni i posterit për bojkot të Donnie Yen @DonnieYenCT. Në intervistën e fundit, aktori i John Wick 4 Yen e quajti lëvizjen pro-demokratike të Hong Kongut 2019 “një trazirë” dhe sulmoi mediat perëndimore ndaj Kinës. Bashkohuni me peticionin: Anuloni ftesën e Donnie Yen për Oskar.

Rreth 100,000 njerëz nënshkruan peticionin. Por Oskar vazhdoi sipas planit më 13 mars dhe nxiti disa nënshkrues të protestojnë jashtë Teatrit Dolby në Los Anxhelos përpara ceremonisë:

Disa hongkongezë në Los Anxheles protestojnë kundër ftesës së @TheAcademy të anëtarit të PKK-së dhe mbështetësit të Partisë Komuniste Donnie Yen për të prezantuar në #Oscars: “Thuaj jo kukullës së #PKK Donnie Yen!

Tani ceremonia e ndarjes së çmimeve ka përfunduar, por tensioni mbizotëron. Nga njëra anë, ndikuesit e Pekinit vazhdojnë të çimentojnë fuqinë e butë të vendit duke festuar arritjen e “gjeneve kineze”, nga ana tjetër, aktivistët në mërgim nga Hong Kongu dhe Kina po vëzhgojnë me kujdes politikën e Hollivudit.

Pas paraqitjes së Donnie Yen në Oskar, aktivistët e indinjuar filluan të kritikojnë presidenten e re të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit, Janet Yang [41], e cila u fut në industrinë e kinemasë duke marrë të drejta ekskluzive përfaqësimi në Amerikën e Veriut për të gjithë filmat e prodhuar në territorin e Kinës përmes një distributori të vogël filmash me qendër në San Francisko në fillim të viteve '80 dhe më pas ndihmoi studiot e mëdha amerikane t'i shisnin filmat e tyre në Kinë. Jeffrey Ngo, një anëtar i diasporës së Hong Kongut, gërmoi në politikën kineze të Janet Yang në një temë në Twitter:

Përveç lavdërimit të përsëritur të kryetarit Xi Jinping, ajo përdor ngjyrën e saj të lëkurës si pakicë në SHBA për të hedhur poshtë politikat gjenocidale në Kinë, ku etnia e saj – Han – e fuqizon atë. Ajo e shfrytëzon këtë hendek përtej kufijve për të luajtur të dyja palët kundër atyre në mes.

Është një sekret i ditur që politika kineze ka formësuar industrinë e filmit të Hollivudit [44], duke pasur parasysh tregun e saj të madh prej 1.4 miliardë njerëzish. Por mobilizimi publik kundër hipokrizisë së “ëndrrës amerikane” shihet rrallë. Ndërsa shkalla e protestave jashtë vendit të Oskar është e vogël, drama të reja politike mund të shfaqen. Qëndroni të sintonizuar.