- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Partneriteti Turqi-Kinë: Iniciativa e Pekinit “Brezi dhe Rruga”, a po jep rezultatet që priteshin?

Kategoritë: Lindja e Mesme e Afrika Veriore, Kina, Turqia, Ekonomi e Biznes, Marrëdhëniet ndërkombëtare, Media e qytetarëve, Të drejtat e njeriut, Zhvillimi, China’s Belt and Road Initiative: Deal or steal?

Foto nga kanali në YouTube i CGTN [1] që tregon lidhjet hekurudhore me trena të shpejtësisë së lartë të ndërtuara me investime kineze në Turqi

Turqia ka marrëdhënie të forta ekonomike me Kinën dhe është një nga partnerët e hershëm të Iniciativës Brez idhe Rruga (BRI). Në nëntor 2015, Kina dhe Turqia nënshkruan një “Memorandum Mirëkuptimi [2] për Përafrimin e Iniciativës së Brezi dhe Rruga [e udhëhequr nga Kina] dhe Nismës së Korridorit të Mesëm [3] [të udhëhequr nga Turqia]”. Liderët e të dy vendeve [4] i shohin këto nisma si plotësuese të njëra-tjetrës dhe flasin për integrim të mëtejshëm të tyre. Megjithatë, me gjithë mbështetjen e tyre retorike, investimet e Kinës që pret Turqia nuk janë realizuar deri më tani.

Si një treg në zhvillim i vendosur si një portë midis prodhuesve dhe tregjeve evropiane dhe aziatike, Turqia synon të bëhet një qendër transporti dhe logjistike [5] që lidh këto dy kontinente. Për më tepër, ajo dëshiron të luajë një rol qendror [6] në zinxhirin global. Me qëllime të tilla, qeveria turke planifikon të përmirësojë infrastrukturën e saj të transportit, telekomunikacionit dhe energjisë. Për sa i përket transportit, nën qeverinë e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim [7] (AKP), Turqia u përqendrua kryesisht në transportin rrugor dhe autostradat, duke përfunduar gjithashtu dy investime hekurudhore me trena të shpejtësisë së lartë [8] midis Ankarasë dhe Stambollit dhe Ankarasë dhe Konias. Të tjera si hekurudhat me trena të shpejtësi të lartë İzmir-Ankara dhe Ankara-Sivas janë në ndërtim e sipër [8]. Megjithatë, këto projekte investimi gjeografikisht mbulojnë vetëm një pjesë të vogël të vendit dhe janë larg plotësimit të nevojave të ekonomisë së një popullsie prej 85 milionë banorësh. Prandaj duhen investime të reja. Në këtë pikë, si një vend me rrjetin kryesor hekurudhor të trenave të shpejtësisë së lartë në botë, qeveria turke priste që Kina dhe BRI të luanin një rol kyç.

Në vitin 2018, Hekurudhat Shtetërore Turke dhe Ministria Kineze e Transportit arritën një marrëveshje [9] për ndërtimin e një hekurudhe me trena të shpejtësisë së lartë që lidh Edrenenë me Karsin, përkatësisht kufijtë perëndimorë dhe lindorë të Turqisë. Megjithatë, për momentin, vetëm një pjesë e vogël e këtij projekti është përfunduar. Ky projekt është i rëndësishëm për të dy vendet. Është e rëndësishme për Turqinë sepse synon të pozicionohet si një portë që lidh Evropën me Azinë [10]. Projekti është gjithashtu i rëndësishëm për Kinën sepse ofron një alternativë [11] ndaj korridorit verior që kalon përmes Rusisë, siç tregon kjo temë në Twitter me harta:

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka rigjallëruar Korridorin e Mesëm. Koha e nevojshme për të transportuar mallra nga Kina në Evropë përmes tre korridoreve është: Veriore: 10,000 km (15-20 ditë) Mesme: 7000 km (10-15 ditë) Jugore: 20,000 km (45-60 ditë) Ai kalon nëpër 8 shtete

Në kushte normale, për shkak se kalon nëpër më pak vende dhe për këtë arsye kërkon më pak burokraci dhe marrëveshje kufitare, Kina preferon korridorin verior [14]. Për shkak të luftës së vazhdueshme në Ukrainë, korridori verior nuk mund të përdoret aktualisht dhe nevojitet një rrugë tokësore alternative. Megjithatë, Kina është ende në mëdyshje [15] për qëndrueshmërinë e Korridorit të Mesëm, i cili përballet me probleme si mungesa e koordinimit të përbashkët tarifor dhe probleme gjeopolitike si paqëndrueshmëria në Kaukazin e Jugut.

Hekurudhat me trena të shpejtësisë së lartë nuk janë projektet e vetme të transportit që Kina dhe Turqia bashkëpunojnë. Dy vendet bashkëpunojnë gjithashtu në sistemet hekurudhore të lehta si linja e metrosë Batıkent-Sincan në Ankara [16] dhe disa linja [17] metroje në Stamboll [18].

Entuziazmi i Turqisë për t'u angazhuar në BRI mund të shihet nga statusi i saj aktiv në Bankën Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë (AIIB), një bankë investimi ndërkombëtare e udhëhequr nga Kina e krijuar për të mbështetur financiarisht projektet e BRI. Si një anëtar rajonal themelues i AIIB, që nga marsi 2023, për 18 projektet e saj, Turqia ka marrë hua 3,753 milionë dollarë [19] nga banka. Me këtë shumë, Turqia renditet si huamarrësi numër 2, pas Indisë.

Telekomunikacioni dhe energjia: dy porta të tjera kryesore për Kinën në Turqi

Përveç transportit, Turqia ka nevojë edhe për investime në telekomunikacion dhe energji. Turqia është në procesin e ndërtimit të infrastrukturës 5G. Pavarësisht paralajmërimeve të SHBA-së [20] për marrëdhëniet e Huawei me Ushtrinë Çlirimtare Popullore, si qeveria turke ashtu edhe kompanitë private preferojnë të jenë partnerë me Huawei. Për shembull, Turkcell dhe Huawei nënshkruan një marrëveshje për të intensifikuar [21] operacionet e zhvillimit të 5G dhe për të nxitur punimet e prodhimit 4.5G në 2017 dhe një tjetër në 2019 [22] për të bashkëpunuar për të ndërtuar rrjetin më të madh All-Cloud Core të orientuar nga 5G në Turqi. Huawei arriti marrëveshje të ngjashme me Vodafone Turkey [23] dhe Türk Telekom [24] në pronësi publike. Në vitin 2019, Huawei dhe Parku Turk i Shkencës dhe Teknologjisë Bilişim Vadisi nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për të zgjeruar projektet e bashkëpunimit në qytetet inteligjente [25].

Zëvendësministri i Shkencës, Industrisë dhe Teknologjisë Mehmet Fatih Kacır njoftoi bashkëpunimin:

Njëra pas tjetrës, kompanitë globale po e pozicionojnë Turqinë si një bazë kërkimi dhe zhvillimi. Huawei, që ka një buxhet vjetor për Kërkim dhe Zhvillim prej 15 miliardë dollarësh, do të krijojë laboratorin e kërkimit të qyteteve inteligjente në Bilişim Vadisi. Ne jemi duke ndërmarrë hapa të fortë drejt shndërrimit në një qendër globale të kërkimit, zhvillimit dhe inovacionit.

Firma të tjera teknologjike kineze [28] janë gjithashtu të interesuara për të investuar në Turqi. Në vitin 2021, me një investim prej 30 milionë dollarësh, Xiaomi filloi të prodhojë telefonë në Turqi. Prodhuesit kinezë të smartfonëve si TECHNO Mobile, TCL, Vivo, Realme dhe Oppo gjithashtu bënë investime për të ngritur objekte prodhimi në vend. Megjithatë, këto janë investime relativisht të vogla, afërsisht rreth 30-35 milionë dollarë. Nga ana tjetër, ka zëra për vendimin e Oppo për t'u tërhequr nga Turqia [29].

Ndërsa kërkesa e vendit për energji rritet, Turqia gjithashtu investon në infrastrukturën e saj energjetike [30]. Qeveria turke, në partneritet me kompanitë turke dhe të huaja, po përpiqet të diversifikojë dhe forcojë [31] infrastrukturën e energjisë së gjelbër [32] dhe kafe të vendit. Ndërsa Turqia punoi me Kinën për të ndërtuar termocentralin e saj më të madh ndonjëherë me qymyr dhe investimin më të madh të Kinës ndonjëherë në Turqi, Termocentralin Hunutlu [33], ajo ka zgjedhur të kufizojë investimet e Kinës [34] në sektorin e energjisë së rinovueshme. Ky është veçanërisht rasti për ndërmarrjet shtetërore kineze. Në ndërtimin e termocentraleve me kapacitet mbi 1 GW, elita politike turke priret të favorizojë konsorciumet e mbështetura nga evropianët [34], në vend të konsorciumeve të mbështetura nga Kina. Nga ana tjetër, kompanitë private turke dhe kineze vazhdojnë të jenë partnerë në projekte veçanërisht të energjisë diellore [34]. Pavarësisht problemeve aktuale në këtë fushë, energjia është një fushë që ofron më shumë mundësi për të dy vendet për të bashkëpunuar.

Një nevojë tjetër e Turqisë, megjithëse nuk lidhet drejtpërdrejt me BRI-në, është financimi. Këtu, veçanërisht që nga përpjekja për grusht shteti të vitit 2016 [35], Ankaraja dhe Pekini i kanë thelluar marrëdhëniet e tyre përmes marrëveshjeve të shkëmbimit dhe mekanizmave të kredisë të ofruara nga Kina për Turqinë. Që kur u nënshkrua marrëveshja e parë [36] e shkëmbimit midis dy vendeve në vitin 2012, Turqia ka siguruar 6 miliardë dollarë [37] nga Kina.

Pritshmëritë e paplotësuara të Turqisë

Pavarësisht dëshirës së Ankarasë për më shumë investime kineze, përsa i përket projekteve të lidhura me BRI, Turqia mbetet prapa pritshmërive të saj. Me përjashtim të Kumportit, një port detar në Stamboll dhe termocentralit Hunutlu, Kina nuk ka bërë investime [38] të rëndësishme në Turqi. Nga viti 2013 deri në 2022 [39], pjesa e Turqisë në investimet kineze është 1.31 për qind dhe në projektet BRI, kjo pjesë bie në 0.8 për qind. Sipas China Global Investment Tracker [40], deri në 2023, shuma totale e investimeve kineze në Turqi është 5.11 miliardë dollarë. Duke marrë parasysh se investimi i Kinës në mbarë botën arrin në 1.368 trilion dollarë, kjo shifër është e parëndësishme.

Ekzistojnë gjithashtu probleme në lidhje me disa investime të mundshme kineze si dëshira e Huawei për të investuar në sektorin e teknologjisë së mbrojtjes të Turqisë [41]. Fillimisht, Huawei bashkëpunoi me Turkcell për të konkurruar në një tender shtetëror për të ofruar shërbime të rrjetit të të dhënave për Forcat e Armatosura Turke. Megjithatë, kur për shkak të efikasitetit të kostos Turkcell refuzoi ofertën e Huawei për të ulur çmimet, Huawei kërcënoi të ngrijë operacionet e mirëmbajtjes në të gjitha kontratat aktive me Turkcell. Mosmarrëveshja ju komunikua ministrit të Mbrojtjes së Turqisë Hulusi Akar dhe ambasadorit të Kinës në Turqi, Liu Shaobin.

Indeksi i Kinës, i cili mat ndikimin botëror të saj, tregon se Kina ka një ndikim të rëndësishëm në politikën e jashtme të Turqisë [42], veçanërisht në lidhje me politikat e Turqisë ndaj çështjes ujgure. Megjithatë, ky ndikim nuk duhet të ekzagjerohet. Ndërsa Ankaraja përgjithësisht përmbahet nga kritikat e hapura të trajtimit të ujgurëve nga Pekini, në dhjetor 2022, Ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu bëri një deklaratë kritike të papritur mbi politikat e Kinës ndaj pakicës së saj ujgure [43]. Sipas Çavuşoğlu, ngadalësimi i marrëdhënieve dypalëshe është rezultat i mbrojtjes nga Turqia të të drejtave të ujgurëve në komunitetin ndërkombëtar si dhe refuzimit të Ankarasë për të pranuar kërkesat e Kinës për ekstradimin e ujgurëve. Çavuşoğlu kritikoi më tej Kinën për moslejimin e ambasadorit të Turqisë në Kinë Abdülkadir Emin Önen për të vizituar Xinjiang-un dhe për të hetuar lirisht akuzat për trajtimin e ujgurëve nga Kina. Si përgjigje ndaj deklaratës së Çavuşoğlu, ambasadori i Kinës në Turqi, Liu [44] “ftoi përzemërsisht palën turke në Xinjiang”, ndërsa shtoi gjithashtu se “mysafirët duhet të sillen sipas rregullave të shtëpisë”.

Sipas Li Lifan [38], një bashkëpunëtor në Akademinë e Shkencave Sociale të Shanghait, edhe pse çështja ujgure ka potencialin të krijojë probleme midis Pekinit dhe Ankarasë, probleme të tilla nuk do të arrijnë një atë pikë që të prishin marrëdhëniet ekonomike dypalëshe.