Censuruar në WeChat: zhdukja e Ye Jianming, ish president i CEFC China Energy

Foto e marrë nga Youtube: View China.

Ky është një shkrim nga ekipi i WeChatscope, një nismë kërkimore e udhëhequr nga Dr. King-wa Fu në Universitetin e Hong Kongut.

Me më shumë se 1.0825 miliardë përdorues individualë, së bashku me më shumë se 20 milionë llogari publike të regjistruara, WeChat ka numrin më të madh të përdoruesve të brendshëm dhe mbulimin më të gjerë të çdo shërbimi të mediave sociale në Kinë. Si i tillë, ai është bërë një komponent kryesor i regjimit rigoroz të censurës në Kinë.

Në vitin 2017, ekipi ynë në Universitetin e Hong Kongut ngriti një sistem teknik për studimin e censurës në faqet publike të WeChat. Gjatë vitit 2018, u gjetën më shumë se 4.000 llogari publike që mbulonin lajmet ditore dhe ruanin postimet e censuruara në një bazë të dhënash publike, WeChatscope. Ky artikull është i treti në bashkëpunim me Global Voices.

Askush në Kinë nuk është imun ndaj “zhdukjes”. Përveç shumë njerëzve të zakonshëm, miliarderë, njerëz të famshëm dhe zyrtarë të lartë kanë qenë subjekt i një trajtimi të tillë.

Në vitin 2018 kishte një numër “zhdukjesh” të profilit të lartë, përfshirë aktoren Fan Bingbing, udhëheqësin e Kishës së Krishterëve Wang Yi, operatorin e kazinove Yang Zhihui, shefin e Interpolit Meng Hongwei dhe miliarderin Ye Jianming. Këto figura publike u zhdukën me forcë për arsye të ndryshme. Disa tashmë janë kthyer në jetën normale dhe disa vijojnë të jenë të zhdukur.

Kur njerëzit zhduken, lajmet në internet rreth tyre gjithashtu zhduken, nëpërmjet censurës.

Fan Bingbing ishte personi më i njohur në këtë grup dhe siç ishte parashikuar, ishte një nga dhjetë temat më të censuruara në WeChat në vitin 2018. Por në anën tjetër ishte Ye Jianming, miliarderi me profil të ulët, i cili solli censurë në shkallë të gjerë. Ashtu si Fan, rasti i tij u bë një nga temat më të censuruara të vitit në WeChat.

Deri vonë, Ye Jianming ishte kryetari i CEFC China Energy dhe Komiteti i Fondit të Energjisë së Kinës. Si një sipërmarrës, ai u bë i famshëm për zgjerimin e shpejtë të perandorisë së biznesit dhe patriotizmit të tij. Dhe pastaj u zhduk. Menjëherë pas kësaj, një hetimim i vitit 2018 nga Caixin, një meida e njohur për çështjet financiare dhe lajmet e biznesit, zbuloi se Ju dyshohej se po kryente krime ekonomike dhe se po hetohej. Raporti u botua dhe u censurua vetëm disa orë më vonë. Lajmet tronditën komunitetin e WeChat.

Në të njëjtën ditë të publikimit të lajmit për Ye, Caixin gjithashtu nxorri në llogarinë publike në WeChat, një raport special të titulluar “Hetimet hedhin hije dyshime mbi investitorin e Rosneft në CEFC”. Raporti prekte të shkuarën e Ye, duke filluar në qytetin e tij të lindjes, në Fujian. U zbulua se Ju mban një letërnjoftim të Hong Kongut dhe se themeloi CEFC kur ai ishte në mesin e të njëzetave, në vitin 2002. Deri në vitin 2014, kompania u rendit e 222-ta në listën e Fortune Global 500, me të ardhura që arrijnë në 43.7 miliardë dollarë. Në pak më shumë se një dekadë, ajo ishte bërë kompania më e madhe private në Kinë.

Media të tjera përcollën raportet e Caxin dhe riprodhuan versionet e tyre të ngjarjeve në WeChat. Shumica e këtyre raporteve u fshinë një ditë më vonë dhe u zëvendësuan me një shënim që lexonte: “Fshihet për shkak të përmbajtjes së paligjshme”.

Në grupin e të dhënave të WeChatscope, postimet e censuruara që përmbanin “Ye Jianming” përfshinin gjithashtu fjalë si “profili i ulët” (低調), “misterioze”, “marrëdhënie politike dhe biznesi”, “CEFC” (華 信) , “manjati i naftës” (石油 巨賈) dhe “shikim i së shkuarës” (起 底).

Censura e përmbajtjes në lidhje me Ye Jianming nisi në masë, duke e bërë këtë temë një nga dhjetë më të censuruarat e vitit në WeChat.

Pse autoritetet kineze ishin aq të etura për të fshehur identitetin misterioz të Ye Jianming dhe origjinën e biznesit të tij?

Marrja nga shteti e CEFC

Pas zhdukjes së Ye, grupi shtetëror kinez i investimeve, CITIC nisi të marrë kontrollin e aseteve jashtë shtetit të CEFC. Megjithëse CEFC ishte regjistruar si entitet privat, ai ishte një partner i ngushtë në sipërmarrjet e përbashkëta me ndërmarrjet shtetërore, si Kompania e Ndërtimit të Anijeve dhe Hekurudha e Kinës. Por ndryshimi i rrjedhës së ngjarjeve tregoi se marrëdhëniet mes CEFC dhe qeverisë kineze ishte më e thellë se sa dukej.

Jashtë Kinës, korporata ishte nën vëzhgim të rreptë për blerjet e saj në vende të ndryshme. Që nga viti 2015, CEFC ka bërë marrëveshje të shumta me korporata private dhe shtetërore jashtë Kinës, duke investuar në projekte infrastrukturore dhe blerjen e aksioneve të kompanive në Çad, Republikën Çeke, Kazakistan, Gjeorgji dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në vitin 2015, Ye Jianming u emërua “këshilltar special” i presidentit çek Milosh Zeman dhe pas kësaj, CEFC bleu aksione në një linjë ajrore çeke. Kompania bleu gjithashtu një fabrikë birre, një kompani mediatike, një klub futbolli dhe një nga komplekset më të mëdha të zyrave në Pragë. Në vitin 2016, CEFC China Energy mori aksione në masën 35 për qind në tre blloqe të naftës në Çad nga ndërmarrja shtetërore e naftës së Tajvanit, Chinese Petroleum Corp.

Në shkurt të vitit 2017, Kompania Kombëtare e Naftës në Abu Dabi (ADNOC) i dha CEFC-it një interes prej 4% (ekuivalent me më shumë se 3.2 milion tonë naftë në vit) me një koncesionin për 40 vjet. Në shtator të të njëjtit vit, CEFC kishte planifikuar të merrte aksione në masën 9 miliardë dollarësh në Rosneft, gjiganti i energjisë shtetërore të Rusisë. Por marrëveshja nuk u miratua kurrë, për shkak të angazhimit të dyshuar të Ye në krime ekonomike.

Këto marrëveshje dhe marrja e shpejtë nga qeveria e CEFC pas zhdukjes së Ye, sugjerojnë se qeveria kineze po përdorte në mënyrë aktive CEFC për t'u angazhuar në diplomacinë ekonomike. Analistët dyshojnë se këto marrëveshje kishin për qëllim nxitjen e ndërmarrjeve shtetërore dhe korporatave për të investuar në nismën ambicioze dhe të shumë reklamuar, Një Brez, Një Rrugë (One Belt, One Road).

Lidhja politike e CEFC me qeverinë kineze u bë më evidente pasi autoritetet amerikane arrestuan Patrick Ho Chi Ping, një ish-zyrtar i qeverisë së Hong Kongut, për një skemë ryshfeti, që përfshinte aktivitetin e CEFC në Çad dhe Ugandë, në nëntor 2017. Ho u dënua në dhjetor 2018. Incidenti gjithashtu ishte në qendër të mediave ndërkombëtare.

Brenda Kinës, kur dolën në dritë këto marrëveshje, Ye Jianming u zhduk, pasuritë e CEFC-së iu transferuan në grupit shtetëror CITIC dhe autoritetet e censurës u përpoqën ta mbanin sekret. Edhe sot, vendndodhja e Ye Jianming nuk dihet.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.