Shtyhet me 10 ditë lirimi i aktivistit egjiptian Alaa Abd El Fattah

Alaa And El Fattah, foto nga Nariman El-Mofty.

Autoritetet egjiptiane shtynë me 10 ditë lirimin e blogerit të njohur dhe aktivistit Alaa Abd El Fattah, njoftoi në Twitter, motra e tij dhe njëkohësisht aktivistja për të drejtat e njeriut Mona Seif.

Abd El Fattah duhej të lirohej nga burgu më 17 mars 2019, ditën kur përfundonte dënimin pesëvjeçar.

Në fund të shkurtit, fushata Lironi Alaa-n shkroi në Facebook, duke njoftuar se dita e lirimit nga burgu ishte 27 marsi dhe fajësoi “burokracinë e zakonshme” në institucionet egjiptiane. Fushata siguroi përkrahësit se nuk duhet të shqetësoheshin nga kjo vonesë:

E vërteta është që autoritetet e burgjeve, gjatë muajve të fundit, na kanë dhënë data të ndryshme sepse edhe ata e kanë të vështirë të llogarisin saktësisht se sa kohë ka qenë në burg. Ai është burgosur shumë herë gjatë viteve të fundit. Ata më në fund vendosën 27 marsin si ditën e fundit të dënimit të tij, kështu që ne po vazhdojmë numërimin mbrapsht me ju.

Alaa u arrestua dhe u mor nga shtëpia e familjes së tij në nëntor të vitit 2013. Pas më shumë se një viti, në shkurt 2015, ai doli në gjyq dhe u dënua me pesë vjet burg për “organizimin” e një proteste, dënim i bazuar në një ligj protestash të vitit 2013 që ndalon demonstratat e paautorizuara. Ndërsa ai mori pjesë në një protestë kundër gjyqeve ushtarake ndaj civilëve më 26 nëntor 2013, Alaa nuk kishte asnjë rol në organizimin e saj. Dënimi i tij u konfirmua nga Gjykata e Kasacionit në Egjipt në nëntor 2017.

Ai është burgosur ose hetuar nga çdo kre i shtetit egjiptian gjatë gjithë jetës së tij. Në vitin 2006, ai u arrestua për pjesëmarrje në një protestë paqësore. Në vitin 2011, ai kaloi dy muaj në burg, duke mos qenë në lindjen e fëmijës së tij të parë, Khaled. Në vitin 2013, ai u arrestua dhe u ndalua për 115 ditë, pa dalë në gjyq.

Alaa ka punuar prej kohësh në projekte të teknologjisë dhe aktivizmit politik me bashkëshorten e tij, Manal Hassan. Ai vjen nga një familje të shquar avokatësh të të drejtave të njeriut, përfshirë Ahmed Seif El Islam, babai i Alaa, i cili u burgos disa herë gjatë regjimit të Hosni Mubarakut. Motrat, Mona dhe Sanaa Seif, janë gjithashtu mbrojtëse të të drejtave të njeriut që kanë bërë fushatë të gjatë kundër gjyqeve ushtarake të civilëve në vend. Në 2016, Sanaa kreu dënimin 6 mujor në burg për fyerjen e një zyrtari publik.

Dita e lirimit nuk shënon përfundimin e komplet dënimit të Alaas, por më tepër është një kalim në fazën përfundimtare të dënimit të tij. Pas lirimit, Alaa do të detyrohet të kalojë çdo natë në stacionin e policisë lokale për pesë vjet të tjera.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.