- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Çfarë dimë për zgjedhjet e ardhshme në Mozambik?

Kategoritë: Mozambiku, Ligji, Lufta e konflikti, Media e qytetarëve, Politika, Zgjedhjet
[1]

Një poster i presidentit të Mozambikut Filipe Nyusi. Foto nga Dércio Tsandzana, e përdorur me lejen e autorit.

Në tetor 2019, Mozambiku do të zgjedhë presidentin dhe Kongresin për herë të gjashtë që nga viti 1994 – si dhe do të zgjedhë guvernatorët provincialë, për herë të parë në histori.

Megjithëse gara ende nuk ka filluar zyrtarisht, pritet që rivalët e përjetshëm të politikës së Mozambikut do të përballen me njëri-tjetrin: Frelimo, partia në pushtet që nga viti 1994 dhe partia më e madhe e opozitës, Renamo.

Kjo do të jetë hera e parë që Renamo do të garojë pa liderin e saj historik Afonso Dhlakama, i cili ka udhëhequr partinë për më shumë se katër dekada. Dhlakama vdiq më 3 maj 2018 [2], pas një sulmi në zemër. Dhlakama do të mbahet mend si udhëheqësi i Renamo i cili nënshkroi Marrëveshjet e Përgjithshme të Paqes të vitit 1992 me ish presidentin Joaquim Chissano, që vendosi Mozambikun në rrugën drejt demokracisë.

Për të pasuar atë, Renamo ka zgjedhur Ossufo Momade pasi u zgjodh në kongresin e partisë që u mbajt në qershor 2018 në Gorongosa, baza e Renamos, që ndodhet në provincën qendrore Sofala.

Ai ndoshta do të jetë kandidati i Renamos në tetor dhe ka të ngjarë të garojë përballë presidentit aktual, Filip Nyusi të Frelimos dhe Daviz Simango – i cili kryeson një tjetër parti opozitare, Lëvizjen Demokratike të Mozambikut (MDM).

MDM u themelua në vitin 2009 dhe së bashku me Renamo dhe Frelimo janë të vetmet parti që kanë përfaqësues në Kuvendin e Republikës ose në zyrat komunale. Daviz Simango ka garuar, por humbi dy zgjedhje të mëparshme presidenciale.

Votimi i tetorit vjen mes armëpushimit [3] të arritur në vitin 2016 midis një fraksioni të armatosur të Renamo dhe forcave qeveritare, që gjatë viteve të fundit janë përleshur në zonat rurale të Mozambikut.

Në shkurt të vitit 2019, Komisioni Kombëtar i Zgjedhjeve (CNE) [4] paralajmëroi për mungesën e burimeve financiare për të organizuar zgjedhjet mbarëkombëtare.

Key dates

  • 01/04 – 15/05: Regjistrimi i votuesve
  • 31/08 – 12/10: Fushata
  • 15/10: Dita e zgjedhjeve

Por ajo që bie në sy, është hera e parë që në Mozambik do të zgjidhen guvernatorët e provincave. Më parë, ata emëroheshin direkt nga presidenti.

Ky ndryshim është rezultat i negociatave të vështira dhe të gjata midis Renamo dhe qeverisë.

Ndërsa Presidenti ende nuk e ka firmosur ligjin që do të sigurojë këtë ndryshim, besohet gjerësisht se ai do ta bëjë një gjë të tillë.