“Nuk jemi robotë!” Mijëra protestojnë në Berlin kundër rregullave të propozuara nga BE për filtrat e internetit

Demonstrata e 2 Marsit 2019 në Berlin kundër Nenit 13 të Direktivës së re të BE-së për të Drejtat e Njeriut. Foto nga Tim Lüddemann, (CC BY-NC-SA 2.0.)

Rreth 5000 njerëz u mblodhën në Berlin më 2 mars për të protestuar ndaj një rregulli të propozuar të BE-së për të drejtën e autorit që mund të ndryshojë rrënjësisht dinamikën e postimeve  dhe ndarjes së përmbajtjes në internet.

Në mesin e dispozitave të tjera, neni 13 i projektrregullores së BE-së për të drejtën e autorit do të kërkonte nga platformat e internetit si YouTube për të instaluar “filtra të ngarkimit” – një mekanizëm teknik që do t'i bllokonte përdoruesit të ngarkonin përmbajtje me të drejta  autori, duke imponuar në mënyrë efektive një sistem të “censurës paraprake” në internet dhe platformat e rrjeteve sociale.

Protesta ishte pjesë e një sërë tubimesh që do të kulmojnë me protestat në mbarë Bashkimin Europian më 23 mars, raportoi netzpolitik.org.

Demonstruesit në kryeqytetin gjerman sfiduan motin e ftohtë dhe marshuan nga ndërtesa Axel Springer, pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe në Portën e Brandenburgut. Ndërsa organizatorët fillimisht kishin pritur pesëqind demonstrues, ata vlerësuan se dhjetë herë më shumë njerëz shkuan për të kërkuar mbrojtje të lirive të internetit.

Demonstratat në Berlin kundër reformës së të drejtave të autorit në internet. #Uploadfilter

Protesta e Berlinit u organizua nga Aleanca “Berlin gegen 13″ (Berlini kundër Nenit 13, ku përfshihen organizatat e shoqërisë civile që promovojnë të drejtat digjitale dhe liritë mediatike, grupet joformale dhe partitë politike që kundërshtojnë këtë aspekt të Direktivës.

Sipas Rrjetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Digjitale (EDRi), Neni 13 erdhi si rezultat i diskutimeve me dyer të mbyllura mes ekipit negociues të Parlamentit Europian, shteteve anëtare të BE dhe Komisionit Europian në shkurt. Përgatitur nga Franca dhe Gjermania, drafti i tanishëm do të votohet në në periudhën mars-prill në Parlamentin Europian dhe mund të bëhet ligj shumë shpejt.

EDRi ngriti shqetësimin se propozimi mund të çojë në kufizime të paligjshme në lirinë e fjalës dhe të pamundësojë qasjen në dije. Diego Naranjo, Këshilltar i Lartë Strategjish në EDRi komentoi:

Diskutimet e fshehta kanë përfunduar me versionin më të keq të “makinës së censurës” që kemi parë deri më tani. Qytetarët duhet të reagojnë, edhe një herë, për të parandaluar që këto filtra të ngarkimit që kërcënojnë lirinë tonë të shprehjes të bëhen realitet.

Protesta e Berlinit ishte tubimi i tretë më i madh kundër Nenit 13. Demonstratat në Këln më 16 dhe 23 shkurt, gjithashtu mblodhën mijëra qytetarë.

fjalimin në protestën e Berlinit, Markus Beckedahl, themeluesi dhe kryeredaktori i faqes së aktivizmit të mediave netzpolitik.org deklaroi: “Ne nuk jemi kundër të drejtës së autorit. Por ne jemi kundër filtrave të detyrueshëm të ngarkimit! “

Demonstruesit mbanin pankarta shumëngjyrëshe ku lexohej “Ne nuk jemi robotë”, “Filtër Diesel në vend të filtrit të ngarkimit”, “Shpëtoni internetin” dhe këndonin  “Wir sind keine bots” (Ne nuk jemi robotë) të Willboy kundër Nenit 13:

Nuk jemi robotë

Kënga u publikua të premten, një ditë para demonstratës, dhe u bë një hit viral me më shumë se gjysmë milion shikime brenda pak ditësh.

Julia Reda, deputete e Parlamentit Europian për Partinë Pirate Europiane tha se Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë, e cila ka shumicën në PE, është përpjekur të zhvillojë votimin përpara protestave të planifikuara për në 23 mars nga #SaveYourInternet.

Lajm i fundit: @ManfredWeber dhe @EPPGroup duan që votimi i #Nenit 13 dhe Direktiva për të Drejtat e Autorit të bëhet javën e ardhshme për të parandaluar protestat #SaveYourInternet / # StopACTA2! Ne kemi nevojë për një protestë publike për ta ndaluar këtë!

Pavarësisht nëse miratohet ose jo Direktiva për të Drejtat e Autorit, mbrojtësit e të drejtave digjitale do të kenë më shumë beteja për të luftuar, kur bëhet fjalë për propozimet e politikave që kërkojnë zgjidhje të automatizuar teknike për sfidat e përmbajtjes në internet. Një komitet i Komisionit Europian i ngarkuar me trajtimin e “përmbajtjes terroriste” online ka propozuar një zgjidhje të ngjashme që do të detyronte platformat online të nisnin përdorimin e mjeteve të automatizuara për “zbulimin, identifikimin dhe shpejtimin e heqjes e aksesit ndaj përmbajtjes terroriste”.

Në një konferencë publike në janar, Evelyn Austin nga organizata e të drejtave digjitale Bits of Freedom me bazë në Holandë shprehu shqetësimin rreth politikave që çojnë drejt censurës paraprake:

Ne e shohim si të pashmangshme një situatë në të cilën ekziston një filtër për përmbajtjen me të drejtë autori, një filtër për përmbajtjen e dyshuar terroriste, një filtër për përmbajtjen eksplicite seksuale, një për gjuhën e urrejtjes dhe kështu me radhë, duke krijuar një ekosistem informacioni digjital në të cilin gjithçka që themi , madje çdo gjë që përpiqemi të themi, monitorohet.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.