- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Raporti i Netizen: Dy aktivistë dixhitalë egjiptianë presin lirimin nga burgu pas dy vjetësh në qeli

Kategoritë: Lindja e Mesme e Afrika Veriore, Egjipti, Aktivizmi dixhital, Censura, Ligji, Liria e fjalës, Media e qytetarëve, Protesta, Të drejtat e njeriut, Teknologjia, GV Advocacy

Alaa Abd El Fattah. Foto nga Alaa (CC BY-SA 2.5)

Raporti Advox Netizen ofron një panoramë ndërkombëtare të sfidave, fitoreve dhe tendencave në zhvillim të teknologjisë dhe të drejtave të njeriut në mbarë botën. Ky raport mbulon ngjarjet nga 22-28 shkurt.

Dy aktivistë dixhitalë të njohur në Egjipt pritet të lirohen nga burgu në javët e ardhshme. Mahmud Abu Zeid [1], një fotograf dhe Alaa Abd El Fattah [2], një bloger dhe aktivist politik, kanë kaluar shumicën e pesë viteve të fundit prapa hekurave.

Familjet dhe mbështetësit e tyre duan që ata të lirohen në kohën e duhur [3]. Por ka shqetësime në rritje se autoritetet mund të vonojnë lirimin e tyre. Në fillim të shkurtit, familjarëve të 18 të burgosurve politikë, përfshirë Abd El Fattah, iu ndaluan vizitat në burg [4].

Ndërsa dënimi në burg do të përfundojë më 17 mars 2019, Abd El Fattah do të jetë nën vëzhgim të fortë policor dhe ai do të kalojë çdo natë [5] në stacionin e policisë lokale për pesë vitet e ardhshme.

Alaa Abd El Fattah ishte një zë kryesor në protestat e vitit 2011 që ndihmuan në rrëzimin e ish presidentit Hosni Mubarak dhe është burgosur ose hetuar [6] nga çdo kre i shtetit gjatë jetës së tij. Ai u dënua me pesë vjet burg [7] për shkeljen e ligjit të protestës së Egjiptit, i cili ndalon demonstratat publike pa autorizimin paraprak të policisë. Prokurorët publikë gjithashtu ngritën akuza [8] kundër Abd El Fattah nën dyshimin e “fyerjes” së gjyqësorit në një postim në Twitter, ku ai kritikoi sistemin e drejtësisë në Egjipt se nuk ishte i pavarur.

Në vitin 2016, Grupi Punues i OKB-së mbi Paraburgimin Arbitrar arriti në përfundimin [9] se ndalimi i Abd El Fattah ishte “arbitrar” dhe se atij i ishte mohuar një proces i rregullt hetimi dhe gjykimi i drejtë. Që nga dhjetori 2018, familja e tij ka ndërmarrë një fushatë aktive online, “100 ditë për Alaa” [10], duke kërkuar lirimin e tij në kohën e duhur.

Mahmoud Abou Zaid, i njohur dhe si Shawkan. Foto e shpërndarë në Twitter nga @Ciluna27.

Mahmud Abu Zeid, i njohur në internet si Shawkan, u ndalua në mënyrë të paligjshme dhe u gjykua për fotografimin e shpërndarjes së përgjakshme të vitit 2013 të protestës së Rabaa El Adaweya [11], ndërsa ishte i punësuar nga Demotix. Mbështetësit e ish-presidentit egjiptian Mohamed Morsi u mblodhën për të protestuar ndaj një grushti ushtarak që i dha fund shumë shpejt presidencës së Morsit. Human Rights Watch raportoi në atë kohë se forcat egjiptiane të sigurisë vranë të paktën 817 [11] njerëz në këtë incident dhe plagosën shumë të tjerë.

Prej atëherë, Shawkan kaloi [12] pothuajse katër vjet në paraburgim, në kundërshtim me ligjin egjiptian, i cili përcakton kufijtë midis gjashtë muajve dhe dy vjetëve në paraburgim, në varësi të krimit. Më 8 shtator 2018, ai u dënua [13] me akuza të rreme për vrasje dhe lidhje me Vëllazërinë Myslimane, që u përkufizua si një grup terrorist nga qeveria egjiptiane. Ai u dënua me pesë vjet burg, pavarësisht faktit se ai e kishte kryer kohën në qeli.

Megjithëse duhej të lirohej në mes të shkurtit 2019, ai ende mbetet prapa hekurave, deri kur u shkrua ky artikull. Më 27 shkurt, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit [14] i bëri thirrje autoriteteve egjiptiane që ta lirojnë menjëherë.

Protestat në Algjeri shkaktojnë ndërprerje të internetit

Që nga mesi i shkurtit, algjerianët kanë shpërfillur ligjet për protestat duke demonstruar në rrugë [15]. Ata kërkojnë që presidenti algjerian Abdelaziz Bouteflika [16] të tërhiqet nga zgjedhjet e ardhshme kombëtare. Më 21 dhe 22 shkurt, grupi i pavarur për hulumtime teknike NetBlocks raportoi se shumë shërbime që ofrojnë internet [17] patën ndërprerje, sipas të gjitha gjasave, si pasojë e demonstrimeve.

Bouteflika është president që nga viti 1999 dhe kërkon një mandat të pestë në detyrë, pavarësisht shëndetit të tij jo të mirë. 81-vjeçari pësoi një goditje në 2013; është në një karrige me rrota dhe ka dalë shumë pak në publik. Protestuesit përmendin si shkak për demonstratat ekonominë e dobët dhe gjithnjë e më të paqëndrueshme të vendit – 29% e njerëzve nën 30 vjeç janë të papunë [18].

Twitter dhe SoundCloud jashtë shërbimit në Venezuelë

Më 27 shkurt, grupi hulumtues teknik i Venezuelës, VE Sin Filtro [19], raportoi se Twitter dhe SoundCloud janë bllokuar për të gjithë abonentët nga ofruesi më i madh i internetit në vend, në pronësi shtetërore, CANTV .

Që nga mesi i janarit, kur politikani i opozitës Juan Guaido u vetëshpall president në detyrë të Republikës, në një sfidë të hapur për Nicolas Maduro, protestat publike dhe konfrontimet midis udhëheqësve ushtarakë që mbështesin Maduron dhe udhëheqësve të opozitës, të mbështetur nga SHBA, kanë shkaktuar ndërprerje të shumta të internetit [20] dhe bllokime të faqeve, përfshirë Wikipedia, Instagram dhe shërbime të shumta që i përkasin Google, si YouTube.

Blogeri nga Samoa arrestohet për ‘deklarata të rreme’

Blogeri që jeton në Australi, Malele Paulo u arrestua [21] në Samoa më 8 shkurt, ndërsa po vizitonte vendin për funeralin e nënës së tij. Malele është një kritik i njohur i qeverisë. Ai shkruan me pseudonimin King Faipopo [22].

Kryeministri i Samoas,  Tuilaepa Sailele Malielegaoi [23] paraqiti një ankesë për shpifje ndaj Malele, lidhur me një postim në të cilin blogeri pretendonte se kryeministri ishte përfshirë në korrupsion dhe vjedhje. Ai është akuzuar nën ligjin penal të shpifjes të Samoas, për “deklarata të rreme me qëllim që të dëmtojë reputacionin e një anëtari të bashkësive të Samoane”. Ai do të dalë në gjyq më 5 mars.

Rusët mund të kuptojnë ‘të drejtën për të bërë gabime’, por jo për të folur lirshëm

Përdoruesit rusë të internetit mund të përballen me censurë dhe gjoba [24] nëse shpërndajnë “informacionit të rremë” ose kur kritikojnë qeverinë në internet, nëqoftëse dy ligje të reja miratohen nga Duma ruse. Por, në një zhvillim relativisht pozitiv, ndryshimet e reja në projektligje përfshijnë “të drejtën për të bërë gabime”.

Me këtë ndryshim, autoritetet ruse mund të lëshojnë paralajmërime për individët ose mediat, kur shkrimet konsiderohen të rreme ose ofenduese. Nëse ata i marrin parasysh paralajmërimet e autoriteteve për të fshirë përmbajtjen, mund të shmangin ndëshkimet për shkeljen e parë – dhe mediat mund të shmangin bllokimin e faqeve të internetit. Vlen të theksohet megjithatë se paralajmërimet e tilla nuk do të prekin në mediat që nuk kanë licencë të lëshuar nga qeveria.

Ligji për menaxhimin e IT-së të Nepalit rrezikon lirinë e fjalës

Një projektligj para parlamentit të Nepalit do t'u jepte autoriteteve kompetenca të gjera [25] për heqjen e përmbajtjeve të mediave sociale, penalizimin e përdoruesve për postimet që konsiderohen “të pahijshme” dhe bllokimin e platformave të tëra në internet nëse nuk janë të regjistruara në vend. Gjithashtu do të kërkohet që kompanitë e huaja të teknologjisë, me një prani të madhe në vend, si Facebook dhe Google, të hapnin zyra në Nepal dhe të paguanin një taksë të veçantë mbi fitimet që marrin nga përdoruesit e Nepalit.

Ligji do të zëvendësojë Aktin ekzistues të Transaksioneve Elektronike, të cilin qeveria e ka përdorur në 106 raste gjatë tre viteve të fundit, për ndjekje penale mbi përmbajtjen në internet. Avokatët e lirisë së fjalës  paralajmërojnë se ligji i ri mund t'i hapë rrugën shkeljeve edhe më arbitrare, pasi ligji lejon autoritetet që të mos kërkojnë miratimin e gjykatës para se të urdhërojnë ofruesit e shërbimeve të internetit (ISP-të) që të bllokojnë faqet e internetit. ISP-të që nuk ndjekin urdhërat do të përballen me gjoba.

Sulmohet faqja për verifikimin e fakteve në Indonezi

Faqja indoneziane për verifikimin e fakteve Cekfakta.com [26] thuhet se u sulmua dhe u infiltrua [27] më 19 shkurt, vetëm dy ditë pas transmetimit të debatit të dytë presidencial. Sulmuesit kibernetikë ndryshuan konfigurimin e DNS të faqes dhe i ridrejtuan përdoruesit te një video tjetër në YouTube. Cekfakta.com është një projekt bashkëpunimi mes 24 mediave në Indonezi, që ka për qëllim eleminimin e lajmeve të rremë dhe dezinformimin. Instituti i Ndihmës Juridike të Shtypit e dënoi [28] sulmin dhe i bëri thirrje autoriteteve të hetojnë menjëherë incidentin. Faqja iu rikthye normalitetit.

Kërkime të reja në anglisht:

  Abonohu te Raporti i Netizen (në anglisht) [31]

Afef Abrougui [32]Ellery Roberts Biddle [33]Marianne Diaz [34]L. Finch [35], Juliana Harsianti, Leila Nachawati [36]Mong Palatino [37] dhe Elizabeth Rivera  [38]ndihmuan për këtë shkrim.