Asnjë përfitim për Shqipërinë nga nisma kineze “Brezi dhe Rruga”

Kryeministri shqiptar Edi Rama pret ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi në Tiranë më 29 tetor 2021. Foto nga një video nga zyra e Kryeministrit, përdorim publik.

Në vitin 2017, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Kinën në kuadër të Iniciativës Brezi dhe Rruga (BRI). U konceptua si një përpjekje për të rritur bashkëpunimin dypalësh në fushat e infrastrukturës, kapaciteteve prodhuese, turizmit dhe bujqësisë. Gjashtë vjet më vonë, shumë pak është arritur.

Gjatë një turi në Shqipëri nga zëvendëskryeministri kinez Zhang Gaoli më 17 prill 2017, të dyja palët deklaruan se shteti ballkanik është një vend kryesor përgjatë Brezit dhe Rrugës. Zhang nxiti Tiranën dhe Pekinin që të përshpejtojnë negociatat dhe nënshkrimin e një Memorandumi Ndërqeveritar Mirëkuptimi mbi BRI për të planifikuar dhe drejtuar më mirë bashkëpunimin dypalësh në mënyrë që të japë rezultate më të frytshme.

Zhang, siç citohet në një artikull të Xinhua, tha:

Kina dëshiron të jetë pjesë aktive në projektet e mëdha infrastrukturore dhe energjetike shqiptare si rrugët, hidrocentralet dhe zonat e zhvillimit ekonomik dhe të forcojë bashkëpunimin në shkëmbimet kulturore dhe njerëzit, kinematografi, arsimin dhe turizmin.

Megjithatë, u deshën pesë vjet pas vizitës së Zhang që Shqipëria të nënshkruante Memorandumin e Mirëkuptimit “Për krijimin e një grupi pune për bashkëpunim investues” në shkurt 2021 nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe Ministri kinez i Tregtisë, Wang Wentao.

Shqipëria mëson nga dështimet në vendet e tjera të Ballkanit

Ndërkohë që ka rreth 120 projekte të lidhura me Kinën me vlerë pothuajse 32 miliardë dollarë në Ballkan – shumica e të cilave janë në sektorët e infrastrukturës dhe energjisë – Shqipëria i është shmangur akumulimit të borxhit të madh kinez në këmbim të zhvillimit, duke zgjedhur blerjet që nuk kërcënojnë të ndikojnë në të ardhmen e vendit, shkruante Foreign Policy në një artikull.

Një nga shembujt e rritjes së borxheve kineze në Ballkan është Mali i Zi: një autostradë në kuadër të BRI prej 1 miliard dollarësh, e cila dështoi në studime të shumta fizibiliteti dhe u përball me vonesa. 41 kilometrat e para të autostradës gjithsej 163 km u hapën në korrik 2022. Dikur u përshëndet nga Kina si një projekt historik në 2014, autostrada është bërë që atëherë një histori paralajmëruese që bashkoi rreziqet e ndërtimit kinez me cilësi të dobët dhe praktikat e përkohshme të huadhënies me shqetësimet lokale të korrupsionit në vendin ballkanik.

Maqedonia e Veriut kishte një përvojë të ngjashme jo të këndshme me kreditë nga Exim Bank e Kinës për ndërtimin e autostradave. Gati nëntë vjet nga fillimi i punimeve, autostrada kryesore Kërçovë-Ohër nuk ka përfunduar. Ndërkohë, Kina, si pjesë e projekteve të BRI-së, ndërhyn edhe në sektorin hekurudhor të Maqedonisë së Veriut.

I pyetur nëse Shqipëria duhet të shqetësohet për përsëritjen e problemeve të përjetuara nga shtetet e tjera të Ballkanit, analisti politik nga Tirana, Ben Andoni, tha për Global Voices:

Dallimet e mëdha në politikën ndërkombëtare i bëjnë të dy vendet të jenë të mbështetur fort pas barrikadave të qëndrimeve gati të kundërta: Shqipëria si aleate besnike e SHBA-së dhe Kina si kundërshtare dhe sfiduese e vendosur e saj. Projekti i autostradës, i cili zgjati aq shumë dhe borxhi për të cilën Mali i Zi mori kredi nga Banka Export-Import e Kinës, treguan hapur një imazh jo aq pozitiv të Kinës në rajonin tonë dhe në Evropë.

Prania e Kinës në Ballkan duket e madhe dhe është rritur viteve të fundit. Kina ka investuar miliarda në rajon dhe ka rritur shqetësimet për varësi financiare nga Pekini. Për fat, sjellja e Kinës, bëri që të mobilizoheshin forcat e institucioneve financiare evropiane për ta ndihmuar Malin e Zi të shlyente borxhin ndaj Kinës në vlerën prej një miliard dollarësh. Shqipëria me kapacitetet e saj do mund ta kishte shumë më të vështirë dhe do të duhej një negociim i gjatë, nëse do të gjendeshim përballë një situate të tillë. Ndaj kujdesi duhet të shkoj paralel me shqetësimin.

Flamujt kinezë dhe shqiptarë në aeroportin e Tiranës në 2019. Foto nga Filip Stojanovski, CC BY 3.0.

Dhe me të vërtetë progresi në pjesëmarrjen e Shqipërisë në BRI ka qenë i ngadaltë. Qëndrimi i vendit ndaj nismës u artikulua qartë nga kryeministri gjatë një vizite të fundit në Japoni. Edi Rama deklaroi se nuk shihte përfitime ekonomike nga ajo që ka mbetur nga blloku i bashkëpunimit ekonomik të Kinës “17+1″ me vendet e Evropës Lindore – një format i nisur përpara BRI-së dhe më pas i përdorur në realizimin e qëllimeve të BRI-së.

Anëtarësimi i bllokut është zvogëluar, me tërheqjen e Lituanisë në vitin 2021 dhe Letoninë dhe Estoninë që u tërhoqën vitin e kaluar. Duke folur me Nikkei Asia në Tokio më 22 shkurt 2023, Rama e përshkroi kornizën si jo të dobishme, duke shtuar: “Për sa i përket ndikimit ekonomik, do të thosha zero”. Megjithatë, tha Rama, qeveria e tij “nuk do të tërhiqet. Ne do të qëndrojmë dhe mendoj se tërheqja në parim nuk është një ide e mirë.” Ai shtoi se është e rëndësishme që vendet “të flasim sa më shumë me njëri-tjetrin” dhe “të vendosim veten në vendin e të tjerëve”.

Një lojë pa përfitime pavarësisht lidhjeve historike?

Shqipëria në fakt është e kushtëzuar për bashkëpunim me Kinën. Ishte një nga vendet më të hershme evropiane që vendosi marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës, në vitin 1949. Në një farë mënyre mund të ishte më e përshtatshme të flitej për kthimin e Kinës në Shqipëri sesa për mbërritjen në Shqipëri. Në të vërtetë, mbështetja për ekonominë shqiptare ishte vendimtare gjatë viteve '70. Në vitet 1973 dhe 1974, Shqipëria dërgoi 24 për qind të eksporteve të saj në Kinë, nga ku merrte 60 për qind të totalit të importeve (në mallra me mbështetjen financiare kineze). 1971–1975 mund të konsiderohen “vitet e arta të bashkëpunimit ekonomik dypalësh”.

Por Shqipëria sot është anëtare e NATO-s, aleate e ngushtë e SHBA-së dhe dëshiron ta shohë veten pjesë të Bashkimit Evropian në të ardhmen. “Ne duam të ndajmë barrën tonë të sigurisë me vendet që janë pjesë e aleancave tona strategjike. Këto quhen Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, tha Rama në të njëjtën intervistë me Nikkei Asia.

Uashingtoni dhe Pekini po konkurrojnë qartësisht për vëmendje dhe sipas të njëjtit artikull të Foreign Policy, SHBA duket se e shpërblen Shqipërinë që i tha jo Kinës:

Interesi i ripërtërirë i Uashingtonit për Shqipërinë filloi në vitin 2020, kur vendi iu bashkua nismës Clean Network, një program i administratës së Trump që synonte të sfidonte dominimin e firmave kineze në teknologjinë celulare 4G dhe 5G. Shqipëria ishte vendi i parë në rajon që u bashkua dhe e ka përdorur pjesëmarrjen e saj për tu favorizuar nga Uashingtoni, i cili ka qenë i lumtur për mbështetjen në rajon.

Siguria kombëtare është ndoshta një nga pengesat kryesore për projektet e mëdha kineze, siç shpjegon për Global Voices Leftioni Peristere, një gazetar që mbulon Kinën:

Për Kinën, projektet në Shqipëri janë shumë të vogla. Është shprehur interesi për rinovimin e të gjithë rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike, i cili është shumë i nevojshëm. Por ka faktorë që kërkojnë analizë se përse një projekt i tillë nuk mund t'i besohet një kompanie kineze. Shqipëria është një vend i NATO-s; nuk mund ta lërë të gjithë rrjetin energjetik, një infrastrukturë kritike, në duart e një kompanie kineze.

Peristere gjithashtu thekson se Kinës i duhej të falte hua për projektet e BRI-së, diçka që shpesh anashkalohet nga Pekini sepse:

Duke qenë se BRI konsiderohet një iniciativë ekskluzive e presidentit Xi Jinping, edhe pa korrur asnjë rezultat, ajo do të promovohet brenda vendit në Kinë, si një sukses i liderit.

Në çdo rast, Kina nuk ka arritur shumë në këtë rikthim historik. Sipas China Index, një nismë e Doublethink Lab, një organizatë tajvaneze e shoqërisë civile e përkushtuar ndaj studimit të ndikimit keqdashës të autoritarizmit dixhital, Shqipëria është një nga vendet më pak të ndikuar nga Kina në një listë prej 82 vendeve të anketuara deri më tani. Kryesisht, Pekini është i pranishëm në media dhe në tregti. Deri më tani duket se miqësia kinezo-shqiptare e viteve '70 nuk ka dhënë shumë mbështetje për BRI-në dhe mbetet kryesisht simbolike.

I pyetur se si duhet ta trajtojë Shqipëria bashkëpunimin me Kinën në situatën aktuale gjeopolitike, Andoni përmend se kujtimi i lidhjeve historike dhe kulturore është ende i gjallë tek brezi i vjetër në Kinë:

Këtë duhet ta përdorim për të mirën e dy vendeve tona, edhe në sport, por pa cënuar detyrimet ndërkombëtare të dy palëve.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.