- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Iran: Ndërprerje e internetit në prag të ditës së protestave

Kategoritë: Lindja e Mesme e Afrika Veriore, Irani, Media e qytetarëve, Politika, Protesta, Të drejtat e njeriut, Teknologjia

Interneti i ngadalshëm dhe filtrimi i ueb-faqeve është realitet i përditshëm [1] në Iran, mirëpo ditëve të fundit raportet nga ky vend thonë se e-maili nëpërmjet ueb-it dhe interneti i sigurt (https: [2]) janë bërë të paqasshëm [3], dhe se interneti është aq i ngadalshëm sa që softuerët për anti-filtrim nuk arrijnë t'i hapin ueb-faqet. Ndërprerja e pjesërishme filloi të enjten, më 9 shkurt 2012.

Përderisa autoritetet iraniane kanë heshtur, disa blogues spekulojnë sa shkaku për këtë bllokim është protesta e planifikuar për 14 shkurt (sipas kalendarit iranian, 25 bahman). Protestat e ditës së martë do ta shënojnë njëvjetorin [4] e demonstratave të organizuara nga liderët opozitarë iraninanë në vitin 2011, në shenjë solidariteti me kryengritjet popullore në Egjipt dhe në Tunizi. Dhuna fizike [5] në këtë ditë ishte brutale dhe la së paku dy njerëz të vdekur në Teheran.

An internet cafe in Tehran [6]

Një internet-kafe në Teheran, Iran. Fotografia nga Mr_L_in_Iran. Të drejtat autoriale © Demotix (24/02/11)

Blogu Azadi-Esteqlal-Edalat (që do të thotë Liri, Pavarësi, Drejtësi) shkruan [7] [persisht]:

Regjimi i Kamneit është frikësuar që kur Lëvizja e gjelbër i ka ftuar njerëzit t'i rifillojnë protestat. Sipas disa raporteve, në pjesët më të mëdha të vendit, nga Teherani në Ardebil, njerëzit nuk kanë qasje në Gmail, Yahoo mail, Google ose Google+. Ky bllokim mund të konsiderohet si përpjekje e regjimit për t'i penguar aktivistët e Lëvizjes së gjelbër që t'i informojnë njerëzit për të marrë pjesë në demonstratat që do të mbahen në ditët e fundit të shkurtit. Veprimi i regjimit është i kotë sepse aktivistët e gjelbër tashmë i kanë informuar miqtë dhe anëtarët e familjeve të tyre, dhe kanë përgatitur mënyra kreative për ta përcjellë porosinë, siç është shkruarja e slloganeve në paratë prej letre.

Dara 1390 thotë  [8][persisht]:

Pa asnjë dyshim, demonstratat e 14 shkurtit janë shkaku që qeveria e ka ndërprerë internetin. Ata frikësohen prej çdo lloj demonstrate nëpër rrugë. Nuk e dijmë se si do të reagojnë njerëzit më 14 shkurt, por regjimi po përgatitet për këtë ditë.

Një blogues tjetër, Mborjan shkruan [9] [persisht]:

Që nga e enjtja nuk është e mundshme asnjë qasje në Gmail, Facebook dhe ueb-faqet https, së paku në Isfahan. Dëgjova se kjo ka ndodhur vetëm nëpër qytetet e mëdha. Në qytetet e vogla dhe nëpër fshatra gjërat janë të zakonshme.

Yadasht Ha (që do të thotë ‘shënime’) thotë [10] [persisht] me ironi se nëse do të jetë e domosdoshme, “Do të përdorim pëllumba në vend e-mail-it kombëtar.”

Bani Man poashtu raporton [11] [persisht] se me afrimin e ditës së protestave, regjimi e ka bllokuar Gmail-in dhe Facebook-un. Bloguesi e citon një raport [12] të revistës Forbes, se ashtu siç Irani e ndërpret internetin, softueri Tor [13] për komunikime anonime onlajn, është duke testuar lidhje të koduara që nuk mund të zbulohen.