- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Egjipt: Mediat qytetare paraqesin dhunën gjatë ndërprerjes së punës së mediave (përmbajtje shqetësuese)

Kategoritë: Lindja e Mesme e Afrika Veriore, Egjipti, Aktivizmi dixhital, Media e gazetaria, Media e qytetarëve, Protesta, Të rinjtë

Ky postim është pjesë e mbulimit tonë special të Protestave në Egjipt 2011 [1].

Vërejtje: videot e mëposhtme përmbajnë fotografi që kanë përmbajtje shqetësuese. Këshillohet shikuesi që vet të vendosë se a do t'i shikojë apo jo.

Më 2 shkurt, autoritetet egjiptiane vendosën ta rikthejnë funksionimin e internetit, pesë ditë pas ndërprerjes pothuajse të plotë të tij. Gjatë kësaj periudhe, që besohet se shtetit i ka kushtuar dhjetëra milionë dollarë [2], qeveria i shtrëngoi punën e gazetarëve dhe të mediumeve ndërkombëtare, duke i dëmtuar rëndë komunikimet nëpërmjet celularit dhe transmetimit satelitor. Gjatë ndalesës, aktivistët arritën ta anashkalojnë censurën dhe të nxjerrin jashtë orë të tëra me video materiale, duke e mbushur kështu zbrazëtirën e krijuar nga mosfunksionimi i mediave.

Përmbajtja e disave nga këto video nuk është vërtetuar në mënyrë të pavarur, mirëpo ato e paraqesin dhunën që po ndodhte në margjinat e “revolucionit”, larg nga skenat paqësore të trafikut të zakonshëm në qendër të Kairos dhe rrugët e zbrazëta që i emitonte televizioni shtetëror gjatë periudhës së ndalesës.

Videot e para që u nxorrën jashtë nga Kairoja paraqisnin një betejë të ashpër për urën Kasr Al Nile që ka ndodhur në ditën e parë të ndalesës. Një mënyrë ogurzezë po del në shesh: dhuna e madhe me të cilën regjimi i Hosni Mubarakut dëshiron t'u kundërvihet protestuesve që janë për demokraci duke përfshirë shkeljen e demonstruesve të paarmatosur me furgon të policisë speciale. Kjo video e përpiluar që është postuar nga Storyful [3]e paraqet skenën:

http://www.youtube.com/watch?v=o7d8HGDEGpU [4]

Në këtë video të postuar nga BlackDeadex [5], një protestues shkilet nga kamioni zjarrfikës, në mes të një konfuzioni total, ku demonstruesit hudhin gurë mbi policinë:

Kjo video e postuar nga Omar Rashid [6] paraqet një incident të ngjashëm, kur në mes të kaosit, një vozitës (gjoja me veturë diplomatike) në panik vozit drejt turmës dhe i shkel ata:

Në këtë video, një furgon që qartazi duket se i takon policisë egjiptiane, vozit drejt një grupi të protestuesve paqësorë dhe kalon mbi ta (postuar nga engai [7]):

Ky postim është pjesë e mbulimit tonë special të Protestave në Egjipt 2011 [1].