Legjislacioni i Sllovenisë mundëson barazi të plotë për martesat e të njëjtit seks, përfshirë lejimin e personave LGBTQ+ të birësojnë fëmijë

Njerëzit nën një flamur ylber në Marshimin e Krenarisë 2019 në Shkup, Maqedonia e Veriut. Foto nga Global Voices, CC BY 3.0.

Ky lajm është publikuar fillimisht nga Meta.mk. Një version i redaktuar është ribotuar këtu nën një marrëveshje për ndarjen e përmbajtjes midis Global Voices dhe Fondacionit Metamorphosis.

Amendamenti i Kodit të Familjes hyri në fuqi të plotë në Slloveni më 31 janar 2023, duke mundësuar kështu që martesa nuk është më vetëm një bashkim midis një burri dhe një gruaje, por një bashkim midis dy personave dhe çiftet e të njëjtit seks tashmë mund të adoptojnë fëmijë, njoftoi Radio-Televizioni i Sllovenisë.

Sipas Ministrisë së Punës të Sllovenisë, bashkëshortët ose partnerët mund të adoptojnë bashkërisht një fëmijë ose njëri prej tyre mund të adoptojë fëmijën e bashkëshortit ose partnerit.

Përfaqësuesit e partisë në pushtet Levica (e majta) dhe Ministrisë së Punës, Familjes, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, e shpallën 31 janarin një ditë shumë të veçantë, duke përshëndetur ndryshimin që u iniciua nga organizatat e shoqërisë civile (OSHC) 30 vjet më parë.

“Nga sot, të gjitha martesat e të njëjtit seks gëzojnë të njëjtat të drejta si gjithë të tjerat. Nuk ka humbës, por një pakicë e shtypur gjatë historisë tani është fituese. Mendoj se kemi bërë një hap të madh përpara si shtet”, tha ministri slloven i punës dhe koordinatori i Levicës, Luka Mesec, sipas N1 TV.

Kjo arritje e e rëndësishme në Slloveni u përshëndet me një deklaratë të organizatës joqeveritare Legebitra.

“Këto ndryshime do të sjellin shumë përfitime si për komunitetin LGBT ashtu edhe për shoqërinë sllovene. Amendamenti do t'u sigurojë çifteve të të njëjtit seks mbrojtje ligjore dhe do t'u mundësojë atyre të ushtrojnë të njëjtat të drejta dhe detyrime që ishin privilegj vetëm për çiftet heteroseksuale, një prej të cilave ishte birësimi i fëmijëve, “tha Sebastian Sitar nga Legebitra.

Tatjana Greif, deputete nga Levica, tha se amendamenti eliminoi diskriminimin prej dekadash dhe sipas saj, ka ende punë për të bërë përtej kornizës ligjore për të arritur barazi të plotë në shoqëri, si dhe për të ruajtur këto drejta ligjore të arritura me vështirësi. Ajo megjithatë theksoi se ky është një moment historik i madh për vendin. Në konferencën e përbashkët për shtyp të përfaqësuesve të qeverisë dhe shoqërisë civile më 31 janar, ajo tha:

25. maja 1997 sem v imenu društva Škuc na vlado vložila pobudo za spremembo zakonske zveze in pravno ureditev statusa istospolnih parov. Takrat si nisem predstavljala, da bo to trajalo vse do leta 2023, se pravi 26 let.

[Më 25 maj 1997] në emër të shoqatës Skuc, i paraqita qeverisë një iniciativë për modifikimin e martesës dhe legalizimin e statusit të çifteve të të njëjtit seks. Në atë kohë nuk e imagjinoja që një gjë e tillë do të zgjaste deri në vitin 2023, 26 vjet.

Ministrja sllovene e Punëve të Jashtme, Tanja Fajon, shkroi në Twitter se Sllovenia u bë vendi i parë në Evropën Lindore dhe në Ballkan që mundësoi të drejta të barabarta për martesat e të njëjtit seks si ato që gëzojnë heteroseksualët. Për të, 31 janari 2023 është një ditë e rëndësishme për barazi, diversitet dhe përfshirje.

“Vetëm kur i njohim të gjithë individët, pavarësisht nga rrethanat e tyre personale, mund të përparojmë si shoqëri demokratike. Jam e kënaqur që Sllovenia ka bërë hapin e parë në këtë drejtim duke barazuar të drejtat e të gjithë individëve që hyjnë në martesë”, shkroi Fajon në Twitter.

Kodi i Familjes i ndryshuar përcakton edhe mënyrën e shndërrimit të partneriteteve aktuale në martesa. Sipas ligjit, ai shndërrohet në martesë brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nëse partnerët paraqiten para gjendjes civile dhe kërkon një ndryshim të tillë.

Lufta për të drejta të barabarta martese në Slloveni ka zgjatur me dekada. Kundërshtarët organizuan dy referendume që penguan një ndryshim për të përfshirë të drejtat e LGBTQ+ në Kodin e Familjes. I pari në vitin 2012 pati një pjesëmarrje votuesish prej vetëm 30.1 për qind me 55 për qind që votuan “jo”, ndërsa referendumi i dytë në 2015 pati një pjesëmarrje prej 36 për qind dhe 64 për qind e pjesëmarrësve votuan kundër. Megjithatë, një referendum i ri i tillë nuk ka gjasa, siç shpjegoi për DW Barbara Rajgelj, profesore e drejtësisë në Universitetin e Lubjanës:

To je zbog članka 90 slovenskog ustava koji jasno kaže da ne može biti referenduma o aktima kojima se otklanja nešto neustavno u oblasti ljudskih prava i osnovnih sloboda ili neka druga neustavnost. A to je ovdje slučaj.

Kjo sepse neni 90 i Kushtetutës sllovene thotë qartë se nuk mund të mbahen referendume për akte që heqin dispozitat antikushtetuese në fushën e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, apo disa rregulla të tjera antikushtetuese. Dhe ky është një rast i tillë.

Në qershor të vitit 2022, Gjykata Kushtetuese e Sllovenisë miratoi një vendim sipas të cilit rregullimi ligjor brenda Kodit të Familjes që përcakton martesën si bashkim i një burri dhe një gruaje nuk ishte në përputhje me kushtetutën. Gjithashtu u vendos që rregullimi i mundësisë së adoptimit të përbashkët të një fëmije nuk ishte gjithashtu në përputhje me kushtetutën. Prandaj, Gjykata Kushtetuese udhëzoi parlamentin që brenda gjashtë muajve të heqë rregulloren e specifikuar antikushtetuese. Parlamenti miratoi ndryshimet tetorin e kaluar.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.