Trembëdhjetë provinca indoneziane u vërshuan gjatë javës së kaluar për shkak të shirave të rrëmbyeshëm. Fatkeqësia mori 14 jetë njerëzish, ndërsa tre të tjerë akoma janë të humbur. Vërshimet i kapluan disa zona në provincat Nusa Tenggara Perëndimore, Sumatra, Java, Bali, Borneo dhe Sulawesi. Mbi 50,000 njerëz duhej të evakuoheshin.
Xhakarta, kryeqyteti i Indonezisë, është pothuajse deri në dy metra nën ujë. Dyzet përqind e qytetit është nën sipërfaqen e detit. Destinacioni i popullarizuar turistik Bali, është vërshuar poashtu.
Shiko hartë më të madhe
Harta e Indonezisë në Google
Java Jive shkruan për vërshimet në Xhakartë:
“Përderisa dhjetori ishte me diell dhe i këndshëm, Viti i Ri solli shira të inatosur dhe të rrëmbyeshëm, të shoqëruar me vetëtima të shpeshta dhe gjithsesi, vërshime vjetore.
“Derisa jam duke e shkruar këtë artikull, shikoj në një kanal të gjerë të mbushur përplot me ujëra shiu dhe mbeturina. Në qiell po mblidhen re, dhe hapen si një plagë, ndërsa për këtë javë përsëri parashihen stuhi kërcënuese. Një natë me shi të vazhdueshëm dhe nuk do të kemi mundësi të dalim nga Kelapa Gading, sepse rruga që çon deri te vendpagesa rrugore është ndër më të ulëtat dhe që mund të vërshohet më shpejt.
“A jam nervoz? Jo aspak.
“Por jam i brengosur për ato familje që nuk mund të dalin nga vendbanimet e tyre. Për ato që kanë fëmijë të vegjël dhe nuk kanë ujë të pastër për pije ose ndihmë mjekësore. Për ato që kanë rrezikuar (ose nuk kanë pasur besim) dhe nuk i kanë siguruar shtëpitë, bizneset dhe veturat e tyre. Dhe për ata që përsëri do të mund të humbnin gjithçka.”
Mywebsiteku pret që vërshimet të vazhdojnë deri në muajin e ardhshëm:
“Kulmi i sezonit të shirave është duke u zhvilluar dhe pritet të ndodhë në shkurt të vitit 2009. Ky është një shkaktar potencial i fatkeqësive siç janë rrëshqitjet e tokës, vërshimet, erërat dhe sasitë e mëdha të ujit. Kjo mund të shihet nga rritja e reve në Xhakartë dhe në zonat përreth që mund të ndikojnë mbi intensitetin e shirave. Prandaj duhet të informohet publiku për kushtet aktuale kohore.”
Ka raportime për vërshimet edhe nëpërmjet Twitter-it:
irwanlee: Qielli është gjithnjë e më i errët, ethet tropikale dhe vërshimet po kthehen në qytet.
lusy_sunsetgirl: Thënë sinqerisht, shkaktarë të vërshimeve të këtij viti në kryeqytet janë qeveria edhe qytetarët.
nanashambles: Nuk e dua shiun. Vërshime çdokund. Gjendje kaotike.
storymasterq: Koha e ftohtë vazhdon. Vërshimet e mëdha të Xhakartës zakonisht ndodhin në ditën e njëtë çdo 5 vjet, dhe pritet vërshimi i radhës. Apokalipsë?
Vërshimet në Indonezi janë të shpeshta. Riau publikon fotografi të bëra në Kampar, Indonezi, i cili u vërshua disa javë më parë:
Fotografi nga Riau Daily Photo