- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Në Bjellorusi ka pothuajse 1500 të burgosur politikë

Kategoritë: Bjellorusia, Ukraina, Aktivizmi dixhital, Censura, Liria e fjalës, Lufta e konflikti, Media e gazetaria, Media e qytetarëve, Protesta, Të drejtat e njeriut, Zgjedhjet

Video e Right Livelihood në YouTube [1] 

Sipas një OJQ-je bjelloruse, në vend aktualisht janë rreth 1500 të burgosur politikë.

Qendra për të Drejtat e Njeriut Viasna [2] është një OJQ e njohur ndërkombëtarisht për të drejtat e njeriut në Bjellorusi. Sipas [3] Reuters, ajo kishte një rol udhëheqës në ofrimin e ndihmës ligjore dhe financiare për bjellorusët, të cilët u ndoqën penalisht pas protestave masive që shpërthyen në vitin 2020 [4].  Shumë nga udhëheqësit e saj, përfshirë laureatin e Çmimit Nobel për Paqen [5], Ales Bialatski, janë ndaluar në mënyrë të paligjshme dhe të padrejtë [6]. Së bashku me Valiantsin Stefanovich, nënkryetar i Viasna-s dhe Uladzimir Labkovich, avokat i Viasna-s, Bialatski përballet me 7 deri në 12 vjet burgim [7]. Gjyqi i tyre filloi [6] më 5 janar 2023 në Bjellorusi.

Viasna publikoi raportin vjetor [8] mbi situatën e të drejtave të njeriut në Bjellorusi më 20 janar 2023.  Në një email, ekipi i Viasna i shkroi Global Voices se për vitin në vazhdim:

“Ne shpresojmë të shohim ndryshim, më mirë më shpejt se më vonë, sepse kaq shumë të burgosur politikë po lëngojnë nëpër burgje, duke qenë çdo ditë për ta torturë e pafund. Prioriteti ynë është të ndihmojmë për t'i liruar këta njerëz, veçanërisht kolegët tanë të burgosur, drejtuesit dhe anëtarët e Viasna-s.”

Global Voices po riboton një ekstrakt të redaktuar nga raporti, me lejen e organizatës.

Politikat represive të autoriteteve bjelloruse

Kriza e thellë socio-politike që u nxit nga uzurpimi i pushtetit dhe përqendrimi i tij në duart e Alyaksandr Lukashenkos, i cili refuzoi të pranonte humbjen e tij de fakto [4] në zgjedhjet presidenciale të gushtit 2020, së bashku me mungesën e institucioneve efektive demokratike në Bjellorusi, përcaktoi vazhdimin dhe ngritjen e politikave represive të autoriteteve bjelloruse në vitin 2022.

Nuk ka mekanizma të vërtetë ligjorë për ndryshim kushtetues të pushtetit në Bjellorusi. Nuk ka as mbrojtje dhe promovim të të drejtave për tubim paqësor, lirinë e organizimit, shprehjes, mbrojtje nga tortura dhe llojet e tjera të trajtimit mizor, çnjerëzor, poshtërues.

Veprimet e të gjitha degëve të pushtetit synojnë ndërtimin e një sistemi të ri totalitar që demonstron tolerancë zero ndaj çdo devijimi nga politika dhe ideologjia zyrtare. Në shoqëri është futur një atmosferë frike e përgjithshme. Çdo manifestim i mospajtimit zhduket.

Ndikimi i pushtimit rus të Ukrainës

Në këmbim të mbështetjes politike dhe ekonomike – të diktaturës bjelloruse nën sanksione – nga autoritetet e Federatës Ruse, vendi ofroi shumë. Para së gjithash, autoritetet i lejuan Rusisë përdorimin e territorit, hapësirës ajrore dhe infrastrukturës së Bjellorusisë në agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Së dyti, Bjellorusia dha gjithashtu mbështetjen e saj të pakushtëzuar politike dhe informative për ofensivën.

Viasna dënoi menjëherë dhe pa kushte aktin e agresionit [që ishte pushtimi rus i Ukrainës] dhe përfshirjen e regjimit të Lukashenkos në të. Viasna mendon se një nga parakushtet për fillimin e luftës ishte shtypja e shoqërisë civile bjelloruse, e cila vazhdimisht dhe pa kompromis refuzoi të mbështeste dëshirën e elitave të fuqisë ruse dhe të një pjese të fuqisë bjelloruse për të krijuar unione gjeopolitike dhe ushtarake që do të përfshinin Bjellorusinë në zbatimin e ambicieve perandorake të autoriteteve ruse.

Lufta në Ukrainë ka pasur një ndikim të paqartë në politikën e shteteve dhe organizatave ndërkombëtare ndaj Bjellorusisë. Nga njëra anë, ajo ndryshoi vektorin e vëmendjes së përgjithshme ndaj vendit, por, nga ana tjetër, provokoi pasoja më të gjera dhe një ndikim më të madh të politikës botërore në proceset e brendshme politike të Bjellorusisë.

Ndërtimi i një sistemi totalitar kërkonte një ndryshim në kushtetutë. Versioni aktual, megjithëse i krijuar për të mbështetur prioritetin e pakushtëzuar të pushtetit ekzekutiv të kryesuar nga Lukashenko, ka pushuar së kënaquri nevojat e diktatorit. Në të njëjtën kohë, kuadri legjislativ ka humbur tiparet e tij juridike dhe vazhdon të jetë i mbushur me norma reaksionare që shpërfillnin themelet kushtetuese demokratike dhe detyrimet ndërkombëtare të Bjellorusisë. Mjetet kryesore për mbajtjen e pushtetit dhe shtypjen e kundërshtarëve, kritikëve të regjimit dhe disidentëve janë ende ndjekja penale dhe administrative, arrestimet arbitrare, largimet nga puna dhe dëbimi de fakto.

Ndjekja penale e të burgosurve politikë

Që nga 1 janari, në Bjellorusi ka 1,446 të burgosur politikë, sipas një koalicioni kombëtar të organizatave të të drejtave të njeriut. Lista e të burgosurve politikë bazohet në një sërë parimesh të njohura botërisht të parashikuara nga udhëzimet [9] tematike. Gjatë vitit 2022, lista u rrit me 477 persona. Ndërsa më shumë se 580 ish të burgosur politikë u liruan në vitin 2022, Viasna numëroi gjithsej 889 persona që u quajtën të burgosur politikë gjatë vitit.

Viasna ka dijeni për të paktën 1,242 persona të dënuar për akuza penale të motivuara politikisht në vitin 2022. Të paktën 2,627 individë u dënuan për ngjarjet e shkaktuara nga protestat e vitit 2020 dhe pothuajse 3,800 persona u përballën me ndjekje penale gjatë kësaj periudhe. Viasna di emrat e 6381 personave të arrestuar dhe të paktën 3272 të dënuar sipas procedurave administrative për ushtrimin e të drejtave dhe lirive të tyre. Prej tyre, 2274 u dënuan me burgim administrativ me afat të shkurtër dhe 938 u gjobitën.

Ndjekja penale e përfaqësuesve të medias dhe avokatëve

Autoritetet vazhdojnë të përdorin në mënyrë aktive represionin kundër gazetarëve në lidhje me aktivitetet e tyre profesionale: sipas BAJ [10] (Shoqata Bjelloruse e Gazetarëve), 33 gazetarë dhe punonjës të medias janë aktualisht të burgosur dhe 43 gazetarë janë arrestuar gjatë vitit.

Legjislacioni që rregullon aktivitetet e shoqatave të shoqërisë civile ka përkeqësuar ndjeshëm pozitën e tyre në një sërë fushash kyçe. Sipas Lawtrend [11], që nga viti 2021, rreth 1180 organizata joqeveritare janë mbyllur ose janë në proces shpërbërjeje. Kjo nënkupton tendencën e vazhdueshme të rrënimit të institucioneve të shoqërisë civile.

Sistemi gjyqësor injoron në mënyrë rutinore standardet e një gjykimi të drejtë. Fusha juridike, pasi kishte humbur tiparet kryesore të një institucioni të pavarur vetëqeverisës, u bë vetë një instrument represioni ndaj avokatëve. Në përgjithësi, avokatët i kryejnë aktivitetet e tyre nën presion të vazhdueshëm, kërcënime dhe ngacmime. Më aktivët prej tyre i nënshtrohen ndjekjes penale dhe administrative, ndërsa shumë prej tyre humbasin të drejtën e punës.

Dënimi me vdekje dhe ekzekutimi: Një krizë e thellë e të drejtave të njeriut

Bjellorusia vazhdon të zbatojë dënimin me vdekje. Gjatë vitit 2022, nuk kishte asnjë informacion për dënime të reja me vdekje, por u krye një dënim i mëhershëm me vdekje ndaj Viktar Paulau. Dy persona janë në pritje të ekzekutimit. Qeveria ka zgjeruar më tej bazat ligjore për të përdorur dënimin me vdekje.

Represioni i motivuar politikisht vazhdoi të ishte i përhapur në vitin 2022, duke dëshmuar për një krizë të thellë të të drejtave të njeriut. Ajo çoi në izolimin ndërkombëtar të Bjellorusisë dhe sanksione të gjera nga vendet e BE-së, SHBA dhe Britania e Madhe.

Viasna vazhdon punën e saj aktive për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Më 30 shtator 2022, organizata mori çmimin [12] Albie nga Fondacioni Clooney për Drejtësi në kategorinë “Mbrojtës të Demokracisë së Drejtësisë”. Më 8 dhjetor 2022, në Hagë, Viasna u nderua me çmimin [13] Tulip për të Drejtat e Njeriut, i qeverisë së Holandës.

Raporti i plotë mund të shkarkohet këtu [8] (në anglisht).