Reagime pasi Gjeorgjia shqyrton mundësinë e rifillimit të fluturimeve me Rusinë

Foto nga John McArthur. Përdorur sipas Unsplash License.

Sipas ministrit gjeorgjian të ekonomisë, Levan Davitashvili, që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022, rreth 200,000 qytetarë rusë mbërritën në Gjeorgji. Por jo të gjithë vendosën të qëndrojnë, tha ministri në një intervistë në dhjetor 2022, për platformën mediatike gjeorgjiane Interpressnews. Nga ata që erdhën, 60,000 qëndruan, ndërsa të tjerët përdorën Gjeorgjinë si pikë tranziti, duke u zhvendosur në vende të tjera. Me gjasë për shkak të këtij statusi, raportohet se vendi “është shfaqur si një kanal i përshtatshëm logjistik midis Rusisë dhe botës së jashtme”.

Nuk janë vetëm kamionë me mallra që lëvizin nëpër Gjeorgji. Vitin e kaluar, remitancat ruse në Gjeorgji arritën në 2 miliardë dollarë në total. Paratë që arrijnë në Gjeorgji janë në rubla ruse, të cilat më pas konvertohen në dollarë dhe kthehen në Rusi, ku shiten në tregun e zi, raportoi JamNews. E gjithë kjo është vlerësuar nga Rusia. Duke folur në një konferencë për shtyp më 18 janar, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se shpreson që fluturimet midis dy vendeve do të rifillojnë gjithashtu, një dëshirë që u përsërit shpejt nga Partia Ëndrra e Gjeorgjisë në pushtet.

Reagime dhe kritika publike

Ëndrra Gjeorgjiane mori kritika publike për qëndrimin pro Rusisë, përfshirë nga presidentja e Gjeorgjisë Salome Zurabishvili, e cila tha se ideja e rinisjes së fluturimeve ishte “e pakuptimtë”. Presidentja gjithashtu i kërkoi qeverisë që të “shikojë seriozisht fluksin e qytetarëve rusë në Gjeorgji dhe të gjitha implikimet sociale dhe politike”, në vend që të diskutojë rifillimin e fluturimeve.

Sekretari i Përgjithshëm i partisë opozitare Lelo, Badri Japaridze, ju tha gazetarëve se komentet e Lavrov për qeverinë gjeorgjiane ilustrojnë se politikat e Ëndrrës Gjeorgjiane janë antievropiane dhe “shërbejnë vetëm për të kënaqur autoritetet e Federatës Ruse”.

Anëtarët e partisë opozitare përsëritën thirrjet e presidentes Zurabishvili. “Kjo jo vetëm që bie ndesh me marrëdhëniet tona strategjike me Ukrainën dhe botën perëndimore, por është gjithashtu një hap kundër interesave kombëtare,” tha anëtarja e partisë opozitare Lëvizja Kombëtare e Bashkuar, Khatia Dekanoidze.

Themeluesi i një partie tjetër politike, Strategy Builder, Giorgi Vashadze, tha se lavdërimet e fundit nga Rusia sinjalizojnë një marrëveshje të pritshme midis Rusisë dhe Gjeorgjisë, e cila mund t'i kushtojë Gjeorgjisë kandidaturën për BE. “Rusia vendosi sanksione ndaj nesh ndërkohë që nuk kishte armiqësi dhe sot ata i heqin ato sanksione, kjo do të thotë se diçka tjetër po ndodh? Çfarë po ndodh? Një marrëveshje dhe nëse Gjeorgjia është pjesëmarrëse në këtë, ajo do të humbasë perspektivën për të marrë statusin e vendit kandidat. Kjo është arsyeja pse Rusia, [Irakli] Kobakhidze [Kryetari i Ëndrrës Gjeorgjiane] dhe [Bidzina] Ivanishvili [ish-Kryeministri] duan të rifillojnë këto fluturime, në mënyrë që të marrim refuzimin përfundimtar,” ju tha Vashadze gazetarëve.

Ambasadori i SHBA-së në Gjeorgji tha se, “shumica e gjeorgjianëve më mirë do të dëgjonin se Rusia po tërhiqte trupat e saj nga Abkhazia dhe Tskhinvali dhe më në fund po përmbushte detyrimet e saj sipas traktatit të 2008 – në vend të rinisjes së fluturimeve direkte.”

Edhe Ukraina nuk ka heshtur për këtë çështje. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko, përdori gjuhë të drejtpërdrejtë, duke akuzuar partinë në pushtet për “mungesë solidariteti” dhe “të poshtër politikisht”. Në një intervistë për mediat ukrainase, Andrii Kasianov, i ngarkuari me punë i Ukrainës në Gjeorgji, nuk përjashtoi evakuimin e mundshëm të qytetarëve ukrainas që jetojnë në Gjeorgji nëse rifillojnë fluturimet midis Rusisë dhe Gjeorgjisë. Intervista shkaktoi thirrjen e Kasianovit nga Ministria e Jashtme e Gjeorgjisë, ndërsa një anëtar i partisë në pushtet të Gjeorgjisë Irakli Kobakhidze i përshkroi komentet e diplomatit si “spekulime të turpshme”.

Fluturimet midis Gjeorgjisë dhe Rusisë janë ndaluar që nga viti 2019, me urdhër të presidentit Putin, pas vizitës së ligjvënësit rus Sergey Gavrilov në qershor 2019. Një grup protestuesish sulmuan ndërtesën e parlamentit në kryeqytetin Tbilisi, pikërisht kur Gavrilov po bëhej gati t'u drejtohej ligjvënësve nga vendet e krishtera ortodokse nga kolltuku i kryetarit. Për pasojë ka pasur përplasje mes protestuesve dhe policisë. Më shumë se 200 persona u plagosën.

Pavarësisht kritikave, partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane është e bindur se rifillimi i fluturimeve do të ishte i dobishëm, veçanërisht për gjeorgjianët që jetojnë në Rusi, të cilët nuk do të duhet të kërkojnë rrugë alternative për të udhëtuar në shtëpi. OKB-ja vlerësoi se rreth 450,000 qytetarë gjeorgjianë banonin në Rusi në vitin 2020. “Ju e dini që fluturimet janë kufizuar në një drejtim. Gjeorgjia u sanksionua. Nëse ky vendim merret nga ana e tyre, unë nuk shoh asgjë të keqe. Përkundrazi, mund të jetë mirë për vendin tonë. Duhet të jetë mirë nga pikëpamja që deri në një milion bashkatdhetarë tanë jetojnë në Rusi dhe fluturimet direkte do t'i ndihmojnë edhe të udhëtojnë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Ëndrrës Gjeorgjiane, kryebashkiaku i Tbilisit, Kakha Kaladze, sipas raportimit të Interpressnews.ge.

Partia në pushtet e përshkroi gjithashtu artikullin e New York Times, i cili detajonte transportin e mallrave në Rusi nëpërmjet Gjeorgjisë, si informacion të rremë. Artikulli që përshkruan në detaje se si dërgesat arrijnë në Rusi kryesisht përmes autostradës malore në Gjeorgji, u përmend gjithashtu edhe pse në mënyrë indirekte, në një intervistë të presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen me Christiane Amanpour të CNN. “Nëse Gjeorgjia do të kishte eksportuar produkte të sanksionuara në Rusi, eksportet nga Gjeorgjia në Rusi në vitin 2022 do të ishin rritur në mënyrë disproporcionale”, shkroi kryetari i Ëndrrës Gjeorgjiane, Irakli Kobakhidze, në faqen e tij në Facebook.

Autoritetet gjeorgjiane bënë deklarata të tjera se kanë marrë masa për të siguruar zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare për mallrat e transportuara përmes Gjeorgjisë. Duke folur në një aktivitet kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Doganave, ministri i Financave, Lasha Khutsishvili, tha se një grup pune brenda doganave u krijua menjëherë pas vendosjes së sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë. “Më shumë se 1000 operacione doganore janë anuluar që nga hyrja në fuqi e sanksioneve. Përveç kësaj, kemi më shumë se 500 raste kur operatorët e biznesit janë paralajmëruar paraprakisht se me kryerjen e operacionit të përmendur do të shkeleshin sanksionet ndërkombëtare. Prandaj këto operacione nuk kryheshin më. Ne punojmë në mënyrë proaktive me operatorët e biznesit për t'i bërë të ditur paraprakisht se çfarë përbën shkelje të sanksionit,” vuri në dukje Khutsishvili.

Qeveria gjeorgjiane u përball me kritika publike pas pushtimit rus të Ukrainës për mungesën e deklaratave dhe kritikave të forta. Ajo gjithashtu nuk iu bashkua listës së vendeve dhe aleatëve që sanksionojnë Rusinë, ndërsa kryeministri gjeorgjian Irakli Gharibashvili shkoi aq larg sa kritikoi furnizimin e Ukrainës me armë.

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.