Epokë e re në politikën çeke pasi Petr Pavel fitoi zgjedhjet presidenciale

Kopertina e së përjavshmes së pavarur çeke Respekt nga data 16-22 janar, ku shfaqet në të majtë Petr Pavel dhe në të djathtë Andrej Babiš, dy kandidatët e balotazhit të zgjedhjeve presidenciale. Foto nga Filip Noubel, e përdorur me leje.

Republika Çeke zgjodhi kreun e ri të shtetit, gjeneralin Petr Pavel, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që u zhvilluan më 27-28 janar. Ky rezultat ka të ngjarë të forcojë lidhjet e Pragës me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Ukrainën.

Pas raundit të parë të votimeve më 13 dhe 14 janar, ku tetë kandidatë – përfshirë vetëm një grua – konkurruan për presidencën, asnjë kandidat i vetëm nuk siguroi mbi 50 për qind të votave. Kështu, dy kandidatët kryesorë kishin të drejtën e balotazhit. Këta ishin gjenerali Petr Pavel, një ish-zyrtar i lartë i NATO-s dhe Andrej Babiš, një ish-kryeministër dhe biznesmen.

Rezultati i balotazhit ishte i pasigurt: gjatë raundit të parë, ndërsa Pavel siguroi 35,4 për qind, Babiš ishte jashtëzakonisht afër me 34,9 për qind. Megjithatë, Pavel fitoi me një diferencë të madhe në raundin e dytë, 58.3 përqind, ndërsa rivali i tij mbeti nën 41.7 përqind. Me shumë mundësi, Pavel ka përfituar nga votat e kandidaties së tretë të raundit të parë, Danuše Nerudová.

Pavel është një fillestar në politikën çeke: ai është një ushtarak karriere, pasi është ngritur në gradat e gjeneralit dhe shefit të shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura çeke. Ai gjithashtu punoi për shumë vite në NATO, ku u bë kryetar i Komitetit Ushtarak nga viti 2015 deri në 2018, një pozicion që e ekspozoi dhe i krijoi lidhje globale. Pikëpamjet e tij politike konsiderohen si demokratike, properëndimore dhe paksa konservatore.

61-vjeçari, më 9 mars do të marrë detyrën e presidentit për një periudhë pesëvjeçare.

Fundi i karrierës politike të Babishit?

Andrej Babiš është i fuqishëm në politikën çeke, pasi ka shërbyer si kryeministër nga viti 2017 deri në vitin 2021, ndër të tjera. Përveç pushtetit të tij politik, ai është gjithashtu një biznesmen i njohur, që zotëron segmente të mëdha të ekonomisë çeke dhe medias. Por mjegullimi i dy karrierave të tij ka çuar gjithashtu në akuza për konflikt interesi dhe përvetësim të fondeve të Bashkimit Evropian në të kaluarën.

Duke u pozicionuar si një populist pranë njerëzve dhe duke u fokusuar në rajonet rurale dhe ekonomikisht të pafavorizuara të vendit, ai gjithashtu deklaroi se nuk do të dërgonte ushtarë çekë për të luftuar jashtë vendit në rast të një sulmi rus në Evropën Lindore dhe Qendrore. Siç tregojnë hartat elektorale, baza e tij kryesore mbështetëse mbetet në veriperëndim dhe verilindje, dy rajone dikur industriale që kanë varfëri dhe papunësi të theksuar.

Ai pranoi humbjen në deklaratën e 28 janarit duke nënvizuar se mbi dy milionë çekë votuan për të dhe partinë e tij ANO – Akce nespokojených občanů, e përkthyer: “veprim nga qytetarët e pakënaqur”, që gjithashtu tingëllon si fjala “ano”, që do të thotë “po” në çekisht. Ai u kërkoi mbështetësve të tij që tani të fokusohen në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. ANO mbetet forca udhëheqëse në parlament, me 72 nga 200 vende, por mbetet për t'u parë nëse partia do ta mbajë ende Babishin si lider pas një disfate të tillë.

Ndiqni drejtpërdrejt konferencën për shtyp

Një axhendë e vështirë për Pavel

Ndërsa roli i presidentit është simbolik dhe i kufizuar sipas kushtetutës çeke, Pavel mund të luajë një rol me ndikim si presidenti i katërt i një vendi që doli në 1993 nga ish Çekosllovakia. Ai ka thënë qartë se është frymëzuar nga presidenti i fundit i Çekosllovakisë dhe presidenti i parë i Republikës Çeke, Václav Havel, të cilin e citon shpesh, si në këtë postim në Facebook:

Václav Havel mě jmenoval generálem a poctil vůbec první medailí ČR Za hrdinství. Byl to prezident, který vždy naslouchal druhým. Včera jsem si připomněl jeho slova: Naděje není to přesvědčení, že něco dobře dopadne, ale jistota, že má něco smysl – bez ohledu na to, jak to dopadne.

Václav Havel më emëroi gjeneral dhe më nderoi me Medaljen e parë për Heroizëm të Republikës Çeke. Ai ishte një president që i dëgjonte gjithmonë të tjerët. Dje m'u kujtuan fjalët e tij: Shpresa nuk është besimi se gjërat do të shkojnë mirë, por siguria se gjërat kanë një kuptim – pavarësisht se si do të shkojnë gjithçka.

Në të njëjtën kohë, Pavel distancohet qartë dhe shpesh nga presidenti aktual Miloš Zeman. Ndoshta një nga imazhet më të kundërta të të dyve është ky postim në Twitter, ku Pavel shihet duke u marrë me sporte ekstreme, ndërsa Zeman njihet për varësinë e tij nga alkooli.

Ju lutem shkoni dhe votoni – është vetëm një kërcim larg

Sfida kryesore është polarizimi i shoqërisë çeke, e cila është e ndarë jo vetëm politikisht, por edhe ekonomikisht. Hendeku i të ardhurave midis Pragës dhe Brnos, qyteti i dytë më i madh dhe pjesës tjetër të vendit, shpjegon pjesërisht suksesin e retorikës populiste të Babiš-it. Siç tregon ky artikull nga iDnes, një nga të përditshmet elektronike më me ndikim:

Polovina lidí v Česku bere měsíčně méně než 29 tisíc Kč čistého. […] Největší rozdíl mezi Prahou a zbytkem republiky je v nejvyšší platové kategorii. V Praze vydělávají ti nejlépe placení v průměru přes 70 tisíc Kč měsíčně.

Gjysma e njerëzve në Republikën Çeke fitojnë më pak se 29,000 CZK [1,323$] neto në muaj. […] Dallimi më i madh midis Pragës dhe pjesës tjetër të vendit është në kategorinë e pagave më të larta. Në Pragë, më të paguarit fitojnë mesatarisht mbi 70,000 CZK  [3,194$] në muaj.

fjalimin e tij të parë më 28 janar, duke komentuar fitoren, Pavel këmbënguli se i gjithë vendi duhet të bëhet bashkë për të mbështetur vlerat e demokracisë. Ai tha:

Vyhrály hodnoty jako pravda, důstojnost, respekt a pokora. […] Musíme společně přesvědčit všechny občany této země, že návrat k těmto hodnotám a návrat normální smysluplné komunikace nám výrazně pomůže zlepšit kvalitu života v této zemi.

Fituan vlera të tilla si e vërteta, dinjiteti, respekti dhe përulësia. […] Së bashku, duhet të bindim të gjithë qytetarët e këtij vendi se kthimi në këto vlera dhe kthimi në komunikim normal dhe kuptimplotë do të na ndihmojë shumë të përmirësojmë cilësinë e jetës në këtë vend.

Një burim tjetër i ndarjes së thellë është pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe pasojat e tij: rritja e kostos së energjisë, rreshtimi i Pragës me NATO-n për çështjet ushtarake, kriza diplomatike me Moskën, ardhja e afro gjysmë milioni refugjatësh ukrainas që nga 24 shkurti 2022, kur filloi pushtimi. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka uruar Pavel në llogarinë e tij në Twitter:

Unë e përgëzoj sinqerisht @general_pavel për fitoren e tij bindëse në zgjedhjet presidenciale të Republikës Çeke. Unë e vlerësoj mbështetjen tuaj për Ukrainën dhe luftën tonë kundër agresionit rus. Mezi pres bashkëpunimin tonë të ngushtë personal për të mirën e popujve të Ukrainës dhe Republikës Çeke dhe në interes të një Evrope të bashkuar.

Një çështje tjetër ndarëse është barazia e martesës për personat LGBTQ+, një çështje që presidenti Zeman e ka kundërshtuar ashpër dhe për të cilën presidenti çek ka të drejtën e vetos nëse nuk është dakord me parlamentin. Në fushatën e tij, Pavel foli në favor të barazisë martesore, ndryshe nga kandidatët e tjerë dhe anëtarët aktualë të qeverisë çeke.

Një nga surprizat e para që nga shpallja e rezultateve ishte vizita spontane në selinë e Pavelit në Pragë nga presidentja sllovake Zuzana Čaputová, një shenjë se fqinjët po vërejnë një ndryshim rrënjësor në politikën çeke:

Presidentja sllovake @ZuzanaCaputova sapo ka mbërritur te shtabi i @general_pavel

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.